Kardinali Arborélius: besimtarët mund të punojnë së bashku për paqen
R.SH. / Vatikan
Konferenca e parë ekumenike "Jeta e puna", në të cilën në vitin 1925 patën marrë pjesë, në Stokholm, disa qindra udhëheqës dhe përfaqësues të krishterë (afërsisht 600 përfaqësues ortodoksë, anglikanë dhe protestanë, katolikët mungonin), kontribuoi ndjeshëm për forcimin e unitetit ndërmjet besimeve të ndryshme të krishtera. Qëllimi i saj, në një kohë kur bota po dilte nga Lufta I Botërore, ndeshje e përgjakshme, ishte ta nxiste hapur paqen dhe bashkëpunimin. E thirrur nga kryeipeshkvi luteran suedez Nathan Söderblom, i cili do të merrte Çmimin Nobel për Paqen pesë vjet më vonë, hodhi themelet për veprimin e përbashkët të krishterë dhe, më pas, shumëfishoi dëshmitë e unitetit në fe, larg përçarjeve doktrinore.
Për të përkujtuar njëqindvjetorin e kësaj nisme, prijës të ndryshëm të krishterë u mblodhën në Suedi, këtë herë me një delegacion katolik të udhëhequr nga Kryeipeshkvi Flavio Pace, Sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterë, dhe Kardinali Anders Arborélius. Në një intervistë me median e Vatikanit, Kryeipeshkvi i Stokholmit, kard. Arborélius kujton kontributin e dialogut ekumenik për paqen në një botë thellësisht të përçarë.
Hirësi, si e kuptojnë sot fetë e ndryshme të krishtera përgjegjësinë e tyre për paqen?
Në një kohë të tronditur rëndë nga konfliktet e luftat, është e rëndësishme të punohet më aktivisht për paqen. Sigurisht, ne të krishterët kemi lutje, por gjithashtu kërkojmë të angazhohemi me autoritetet për t’i zgjidhur problemet e kohës. Ne bëjmë atë që mundemi, edhe nëse duket pak. Punojmë për të edukuar popullin e Zotit, në mënyrë që të gjithë të mund të punojnë së bashku për paqen.
Si mund të kontribuojnë Kishat për pajtimin ndërmjet popujve të ndarë nga konflikti?
Mendoj se Kishat dhe bashkësitë e krishtera mund të jenë pika referimi në nivel ndërkombëtar. Mund të përcjellin një mesazh shprese. Besimtarët nga të gjitha vendet, veçanërisht ato në luftë, mund të punojnë krah për krah për paqen. Në rastin e situatës në Ukrainë, ne lutemi veçanërisht për unitetin e ortodoksëve të përçarë, që ata të mund të bashkohen në paqe - dhe për paqen.
Roli që luajnë deklaratat dhe nismat e përbashkëta në parandalimin e zgjidhjen e konflikteve?
Natyrisht të gjithë lutemi për paqen. Por ndjehet edhe një britmë dëshpërimi, veçanërisht përballë mungesës së dëgjimit të lutjeve tona nga ana e politikanëve. Përballë situatës në Ukrainë ose në Tokën Shenjte, shohim varfëri e është edhe njëfarë zhgënjimi për shkak se nuk jemi në gjendje të punojmë për paqen, siç do të dëshironim. Megjithatë, nuk duhet ta humbasim shpresën se Zoti do të na ndihmojë të vazhdojmë punën tonë për ditë më të mira.
Çfarë tensionesh lindin kur disa kisha marrin anën e njërit prej fraksioneve në konflikt?
Dhimbja brenda Kishës është e thellë. Lufta, në nivelin politik, krijon përçarje në Kishat tona. Kjo është arsyeja pse takimet janë vërtet të nevojshme, për të ecur drejt pajtimit, madje edhe ndërmjet të krishterëve. Shpresojmë se besimtarët do ta gjejnë paqen përmes lutjeve tona.
Si mund ta parandalojnë fetë e krishtera shfrytëzimin e fesë, për të justifikuar dhunën?
Shfrytëzimi i Kishave tona është një rrezik real. Prandaj zëri i Atit të Shenjtë është tejet i rëndësishëm. Papa na ndihmon t’i duam armiqtë e të punojmë së bashku për dialog. I shprehim mirënjohjen, sepse veprimi i tij na ndihmon të punojmë për pajtim, veçanërisht në kohë lufte.
Konferenca e vitit 1925 u mbajt pas Luftës I Botërore. Kjo e vitit 2025 po zhvillohet në një botë ku janë në vazhdim të paktën 50 konflikte, një lloj Lufte III Botërore e copëzuar, siç thoshte shpesh Françesku. Në këtë kuptim, a ka rëndësi të veçantë kjo ngjarje?
Po, absolutisht. Ky çast është themelor për të lejuar shpalljen e paqes, veçanërisht në kontekstin aktual global. Nëpërmjet këtij mesazhi shprese i lutemi Zotit të na ndihmojë të arrijmë tek një paqe pajtuese. Edhe këto çaste lutjeje të organizuara në Stokholm ndërmjet të krishterëve të konfesioneve dhe Kishave të ndryshme, janë shenjë e qartë e kësaj dëshire. Na lejojnë ta naltojmë lutjen dhe të krijojmë një klimë më të favorshme për dialogun.
Në vitin 1925, Kisha Katolike nuk përfaqësohej në Konferencën e Stokholmit. Njëqind vjet më vonë, një delegacion nga Selia e Shenjtë është i pranishëm. Çfarë ka ndryshuar?
Kisha Katolike kishte nevojë për kohë që të përgatitej të hynte në këtë dialog ekumenik e, mbi të gjitha, ishte i nevojshëm Koncili II i Vatikanit. Duhet të kuptohet se në atë kohë kishte distancë të konsiderueshme dhe shumë keqkuptime. Por mund të themi edhe se ekumenizmi ndërmjet protestantëve e katolikëve lindi në kampet e përqendrimit në Gjermani, ku u takuan. Kishte gjithashtu shumë pionierë në disa vende, si Franca dhe Italia. Por mbi të gjitha, nën shtysën e Koncilit II të Vatikanit, Kisha Katolike u bë pjesëmarrëse aktive në dialogun ekumenik.