ÐÓMAPµ¼º½

2025.07.31 Em.mo Card. Matteo Zuppi - Veglia di Preghiera Giubileo dei Giovani

Jubileu, kard. Zuppi: njerëzimi duhet t'i japë fund luftës, ose lufta do t'i japë fund njerëzimit

Dyzet mijë të rinj italianë morën pjesë në takimin "Ti je Pjetri" mbrëmë, 31 korrik, në Sheshin e Shën Pjetrit. Kreu i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI) u bëri thirrje: çarmatosini zemrat e duart, në botën e dhunshme. Videomesazh nga Patriarku i Jeruzalemit, kardinali Pizzaballa: të bëhemi veprimtarë të paqes; është ende e mundur. Në këtë "det të papërfytyrueshëm mosbesimi dhe urrejtjeje", duhen lavdëruar shumë njerëz që nuk i dorëzohen së keqes, por përqendrohen te "ne së bashku"

R.SH. - Vatikan

"Ta ndjeni veten të përqafuar sonte nga e gjithë Kisha, e cila shikon me gëzim, mirësi dhe besim freskinë dhe spontanitetin e jetës suaj." Kardinali Matteo Zuppi, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kryesoi ritin e shpalljes së fesë me 40,000 të rinj italianë, të mbledhur për Jubileun e tyre në Sheshin e Shën Pjetrit, që zjente nga energjia. Ishte familje universale, kjo që u mblodh mbrëmë, më 31 korrik, në zemër të Romës; e thirrja ishte për të gjithë, të gjithë, që të ndihen pjesëmarrës. Kardinali kujtoi Papën Françesku me fjalë prekëse: "Mendoj se Papa Françesku na bekon nga Qielli".

Ishte një pasdite argëtimi muzikor, leximesh biblike, dëshmish të fesë, por edhe, e mbi të gjitha, afërsie shpirtërore me shumë vende, ku lufta shkatërron shpirtra, trupa, shtëpi.

"Njerëzimi duhet t'i japë fund luftës, ose lufta do t'i japë fund njerëzimit". Këtë theksoi Kardinali në predikimin e tij, pas projektimit të një videomesazhi nga Patriarku i Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa, dhe leximit të Ungjillit të Mateut, në të cilin Jezusi ia dorëzon Shën Pjetrit Apostull Pjetër çelësat e Mbretërisë së Hyjit. Sepse gëzimi përzihet me shqetësim për ata që e shohin të zhduket çdo ditë për shkak të konfliktit. E dy kardinajtë, larg njëri-tjetrit, por të bashkuar ngushtë në lutjen drejtuar Zotit, janë zëdhënësit e tyre.

  (@Vatican Media)

T'i çarmatosim zemrat!

Mendimi i ipeshkvit italian shkoi te "kryqet ndërtuar çmendurisht nga njerëz, që prodhojnë armë për të vrarë" e që "shkatërrojnë çka mbron jetën, madje edhe spitalet. Kisha - kujtoi me dhimbje të thellë - është nën kryq, me sy të mbushur me lot e me zemër të plagosur nga një vuajtje kaq e madhe, e padurueshme për një nënë, siç duhet të jetë gjithmonë për të gjithë njerëzimin". Sot, po kryhen kaq shumë masakra të pakuptimta dhe kaq shumë luftëra, vërejti ai, duke shtuar: "Mjaft më me vizitat në varrezat e luftës". E më pas kujtoi fjalët e Leonit XIV, menjëherë pas zgjedhjes, kur bëri thirrje për paqe të paarmatosur dhe çarmatosëse. Prej këndej, thirrja e  Kryeipeshkvit të Bolonjës:

"T'i çarmatosim zemrat tona, për të çarmatosur zemrat dhe duart e një bote të dhunshme, për të shëruar plagët e saj e për të parandaluar konflikte të reja!".

  (@Vatican Media)

Kard. Pizzaballa: synoni tek "ne së bashku", jo tek "unë e s’ka tjetër"

Kardinali Zuppi i bëri jehonë thirrjes të Patriarkut Pier Battista Pizzaballa, që foli për situatën në Tokën Shenjte, në një mesazh video, duke shprehur kompleksitetin dhe luftën për ta jetuar nga afër mungesën "e papërfytyrueshme" të ushqimit e të ilaçeve, e edhe të urisë, që nuk është "teori". Megjithatë, pikërisht kur jetohet dëmi i dhunës në "një natë që nuk mbaron kurrë" - vijon kardinali françeskan - duhet shikimi i fesë: "Dhimbja është aty dhe nuk mund të mohohet" - pohon Patriarku - por pikërisht brenda kësaj dhimbjeje duhet të sjellim ngushëllim e paqe. Në vijim, citon shembullin e shumë njerëzve që janë "shkëndija drite" të vërteta, edhe në Gaza e në Izrael - ku të dalësh për të ndihmuar njerëzit e Rripit shpesh krijon keqkuptime – ashtu si në të gjithë Tokën Shenjte.

"Në këtë det të pabesueshëm mosbesimi dhe urrejtjeje" - përfundon kardinali - "shumë nuk po dorëzohen, duke u përqendruar te "ne së bashku" dhe jo te "unë dhe askush tjetër".

01 gusht 2025, 11:09