ÐÓMAPµ¼º½

Port-au-Prince Port-au-Prince

Ipeshkvijtë e Haitit falënderojnë Papën për "thirrjen në favor të popullit haitian"

Kisha e Haitit falënderon Papën për fjalët e tij kushtuar krizës së po kalon vendi më i varfër iAmerikave, ku madje edhe funeralet janë bërë mall shkëmbimi për të pasuruar bandat kriminale. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, mbi tre mijë persona janë vrarë.

R.SH. - Vatikan

"Konferenca Episkopale e Kishës katolike të Haitit falënderon Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, për thirrjen në favor të popullit haitian dhe për thirrjen ndaj komunitetit ndërkombëtar që të merret më shumë dhe konkretisht me situatën në Haiti": kështu thotë Imzot Max Leroy Mesidor, kryeipeshkvi i Port-au-Prince, duke folur për mediat e Vatikanit. Fjalët e shqiptuara të dielën e kaluar, pas lutjes së Engjëllit të Zotit, më 10 gusht, nga Papa Leoni XIV, i cili kërkoi lirimin "e menjëhershëm të pengjeve" dhe theksoi nevojën e "mbështetjes konkrete të komunitetit ndërkombëtar" për Haitin, kanë hequr velin e indiferencës ndaj një krize që bota tenton ta lërë në margjinat e kronikës, por që, në fakt, është pjesë e një "lufte të tretë botërore me copëza" e aftë të gllabërojë jo vetëm jetë dhe shpresa, por madje edhe shpirtra.

Funeralet si mall shkëmbimi

Në vendin më të varfër të Amerikave, Haiti tashmë i nënshtruar nga dominimi i bandave të armatosura, edhe funeralet janë bërë mall shkëmbimi: për të varrosur një anëtar të familjes duhet të paguhet një taksë grupeve kriminale që kontrollojnë varrezat dhe procesionet funerale. Këtë e ka denoncuar për agjencinë e lajmeve Efe, në mënyrë anonime, drejtori i një agjencie funerale haitiane, sipas të cilit "që nga viti 2024 nuk jemi më në gjendje të punojmë. Për çdo varrim duhet të kontaktojmë grupin e armatosur që kontrollon varrezën përkatëse. Kjo është mënyra e vetme për të shmangur incidentet në ditën e funeralit".

14 gusht 2025, 10:58