MAP

Imzot Arjan Dodaj: gëzimi i vërtetë i të rinjve në Jubile është takimi me Jezu Krishtin

Me ëndrrat, dëshirat dhe shpresat e tyre, të rinjtë shqiptarë nga kryedioqeza e Tiranë-Durrësit, u ulën në studion e Radio Vatikanit për të folur mbi përvojën e tyre jubilare e mbi të ardhmen, ende të pasigurtë. Ndërkaq, kryeipeshkvi metropolit, imzot Arjan Dodaj, vë në dukje rritjen e tyre shpirtërore, ndërsa përjetojnë etapat e ndryshme të shtegtimit, nga San Giovani Rotondo, në Loreto e në Romë

R.SH. - Vatikan

Në vitin 2023, gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë, Papa Françesku u kërkoi të rinjve “të shkëlqejnë, të dëgjojnë, të mos kenë frikë”, për t’u bërë kështu shpresë e një bote ndryshe. Pas dy vitesh, në Romë, Papa Leoni XIV, në meshën për hapjen e Jubileut të Rinisë, që po kremtohet këto ditë, u kërkoi që britma e tyre të jetë për paqen. E të rinjtë nga e gjithë bota, ndër të cilët edhe një grup i madh shqiptarësh, po presin mesazhin e tij të së shtunës e të së dielës, kur do të bashkohet me lutjet e shpresën e tyre në Tor Vergata, aty ku 25 vjet më parë u kremtua një Ditë tjetër Botërore, me atë gjigant të fesë, që ishte Papa shenjt Gjon Pali II. Është vazhdimësia e Kishës dhe e impenjimit të saj për rininë, e cila është gjithnjë në zemrën e Papëve.

Sot, grupet e shqiptarëve nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Mali i Zi janë bashkuar në Circo Massimo të Romës, për ditën pendestare, gjatë së cilës të rinjtë rrëfehen e pajtohen me Zotin. Pas grupit të parë nga Shqipëria, ftuam në studio një përfaqësi të të rinjve nga kryedioqeza e Tiranë- Durrësit, shoqëruar nga kryeipeshkvi metropolit i saj, imzot Arjan Dodaj. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, vetë ai përshkruan udhën e bërë deri tani me grupin rinor prej gati 60 vetësh, por edhe çfarë i frymëzon të rinjtë, që pavarësisht se janë ende në kërkim të vetvetes, shpesh, arrijnë t’i bëjnë shumëngjyrëshe edhe jetët e të tjerëve përreth tyre. Ta dëgjojmë…

Dëgjoni imzot Arjan Dodajn...

Ua drejtuam mikrofonin edhe të rinjve, tejet të emocionuar, por edhe tejet të pastër, të bukur, me sy të shndritshëm e dëshirë për impenjim. Dyshimet, pyetjet, shpresat, kanë vendosur t’i marrin me vete në këtë Jubile, ku mendojnë se mund të gjejnë të paktën disa përgjigje, në kapërcimin e Portës Shenjte, në shkëmbimet me bashkëmoshatarët e tyre nga vende të tjera, por, edhe thjesht, duke ndenjur së bashku për të përjetuar një rrugëtim, që i bën miq ndërmjet tyre dhe i çon te Krishti. Ja si shprehen në intervistën e realizuar në studiot e Radio Vatikanit…

Dëgjoni të rinjtë e kryedioqezës Tiranë-Durrës...

 

Photogallery

Shtegtimi i të rinjve të kryedioqezës metropolite të Tiranë-Durrësit në Romë, për Jubileun e Shpresës
01 gusht 2025, 10:32