MAP

Hiroshima, në ditën e bombardimit atomik Hiroshima, në ditën e bombardimit atomik

Hiroshima, kard. Cupich: kujtesë e gjallë për rizgjimin e ndërgjegjeve

Kardinali Blase Cupich, kryeipeshkëv i Çikagos, mbajti homelinë e meshës për viktimat e bombës atomike, kremtuar në Hiroshima, në ditën kur Kisha kremton Shndërrimin e Zotit dhe tetëdhjetë vjetorin e atij shpërthimi, që ia ndryshoi përgjithmonë faqen historisë njerëzore

R.SH. - Vatikan

"Ndërsa në Malin Tabor drita zbuloi thirrjen tonë për ta ndarë përjetësisht lavdinë hyjnore si bij dhe bija të Atit - në Hiroshima, drita solli shkatërrim, errësirë, vdekje të papërfytyrueshme". Me këto fjalë, Kardinali Blase Cupich, Kryeipeshkëv i Çikagos, e nisi homelinë e Meshës për viktimat e bombës atomike, kremtuar sot, në Hiroshima, në ditën kur Kisha përkujton Shndërrimin e Zotit si dhe në tetëdhjetë vjetorin e atij shpërthimi, që ia ndryshoi përgjithmonë fytyrën historisë njerëzore.

Shndritje shkatërrimi

Në zemër të homelisë, Kardinali Cupich përdori një kontrast të fuqishëm: kontrastin e "dritës që shkëlqeu në Malin Tabor", me "dritën verbuese" që shkatërroi Hiroshimën. "Në Tabor kujtoi, Jezusi iu duk dishepujve si Zot i historisë. E u dëgjua zëri i Atit nga qielli: 'Ky është Biri im i dashur... dëgjojeni'.

Edhe këtu, tetëdhjetë vjet më parë, një dritë tjetër zbriti nga qielli: ishte dritë shkatërrimi, që e zhyti botën në heshtje tmerruese". Për kardinalin, ky kontrast na detyron të ballafaqohemi me të vërtetën: "Kur e injorojmë vegimin e Taborit, kur i bëjmë veshët të shurdhër për zërin e Zotit, që na thërret në dashuri vëllazërore, përfundojmë duke hapur rrugë për urrejtje dhe shkatërrim".

Dëshmia e të mbijetuarve

Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, të thëna në të njëjtin vend në vitin 2019, Cupich përsëriti "tri imperativat morale" për të mbrojtur të ardhmen e njerëzimit: kujtoniecni së bashku, mbroni!

 "Të kujtosh" theksoi, "do të thotë të parandalosh që tragjedia e Hiroshimës të bjerë në harresë. Do të thotë t'u kalosh brezave të ardhshëm kujtimin e hibakusha-sve, atyre të mbijetuarve që, me dëshminë e tyre, thirrën për dekada: kurrë më!"

Por kujtesa - shtoi - nuk mund të jetë thjesht historike: "Ashtu si Jezusi që bisedoi me Moisiun dhe Elinë në mal, edhe ne jemi të thirrur t'i dorëzojmë tragjeditë tona brenda planit shëlbues të Zotit, i cili përqafon origjinën dhe tregon ditën kur Biri i Njeriut do t’i bashkojë rishtas popujt e gjuhë. Ne kemi nevojë për kujtesë të gjallë, që zgjon ndërgjegjet, ngre zërin e u thotë breznive: kurrë më!".

Dëgjimi dhe respekti

Për Cupich, përgjigjja e krishterë kërkon "reaksionet zinxhir të paqes dhe të pajtimit, duke ecur së bashku si populli në dalje, duke lënë mënjanë nacionalizmin dhe rivalitetin, duke dëgjuar historitë e njëri-tjetrit dhe duke ndërtuar një tryezë, ku askush nuk përjashtohet".

Kryeipeshkvi i Çikagos theksoi, gjithashtu, kontributin e Kishës në të mirën e përbashkët: "Përvoja jonë sinodale", tha ai, "i ofron botës një shembull konkret: të mësohemi për ta dëgjuar njëri-tjetrin, të dialogojmë, të respektojmë. Kjo është rruga drejt paqes dhe, njëherësh, drejt çlirimit të shpirtit". Jo me bomba! Po me dorëzimin tonë në dorë të Zotit!

Papa Françesku në Memoralian e Paqes në Hiroshimë, viti 2019
Papa Françesku në Memoralian e Paqes në Hiroshimë, viti 2019   (Vatican Media)

Ndërtimi i shtigjeve të paqes

Së fundi, Kardinali shqiptoi urdhërin e tretë: të mbrojmë!

“Në një botë të rrënuar nga lufta botërore, që po vijon ‘pjesë-pjesë’ - kujtoi ai - nuk ka siguri për askënd, për sa kohë që paqja mungon edhe në një cep të vetëm të tokës”.

 E, pasi kujtoi figurën ungjillore të dishepujve “të mbështjellë nga reja mbi mal” për të treguar kuptimin më të thellë të kësaj mbrojtjeje, Cupich e përfundoi fjalimin e tij me një ftesë, njëkohësisht edhe angazhim e mision:

“Tetëdhjetë vjet më parë, bota dëshmoi shpërdorimin alarmues të zgjuarsisë njerëzore, orientuar për të shkatërruar. Sot, këtu në Hiroshima, jemi të thirrur ta përdorim atë zgjuarsi për të mbrojtur veten dhe për të ndërtuar shtigje paqeje”.

Festa e Shndërrimit ndryshoi përgjithmonë tetëdhjetë vjet më parë. T’i tregojmë botës pse”.

06 gusht 2025, 15:01