ÐÓMAPµ¼º½

Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku latin i Jeruzalemit, dhe Patriarku greko-ortodoks Teofili III (AFP ose licensuesit) Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku latin i Jeruzalemit, dhe Patriarku greko-ortodoks Teofili III (AFP ose licensuesit)

Gaza, Patriarkët e Jeruzalemit: zhvendosja, "një dënim me vdekje"

Në një notë të përbashkët, Kisha Ortodokse Greke dhe ajo Latine e Jeruzalemit shprehin shqetësimin e tyre për pasojat e veprimit ushtarak izraelit, të "urdhrave të evakuimit" nga Rripi Gazës: "Nuk mund të ketë të ardhme të bazuar në robëri", është e nevojshme të veprohet për t'i dhënë fund "kësaj lufte të pakuptimtë dhe shkatërruese"

R. SH. / Vatikan

Priftërinjtë dhe motrat rregulltare të Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza — e goditur më 17 korrik nga një sulm izraelit që shkaktoi tre të vdekur, duke plagosur lehtë edhe famullitarin atë Gabriel Romanelli — dhe ata të Kishës Ortodokse Greke të Shën Porfirit «kanë vendosur të qëndrojnë dhe të vazhdojnë të kujdesen për të gjithë ata që do të gjenden në dy komplekset» në Gaza.

Kjo është ajo që thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar sot, më 26 gusht, nga Patriarkana Ortodokse Greke dhe Patriarkana Latine e Jeruzalemit, të cilat shprehin shqetësimin e tyre pas vendimit të fundit të qeverisë izraelite «për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Gazës».

Duke kujtuar se si dy komplekset kishtare në Gaza kanë qenë «strehë për qindra civilë», duke përfshirë «të moshuar, gra dhe fëmijë» dhe «persona me aftësi të kufizuara», Patriarkët theksojnë vuajtjet që këta njerëz tashmë mbajnë mbi supe për shkak të gati dy viteve luftë: «Shumë njerëz janë të dobësuar dhe të kequshqyer» dhe për ta, pra, «të përpiqesh të ikësh drejt jugut do të ishte e barabartë me një dënim me vdekje».

Shkatërrim dhe vdekje

«Popullsia e qytetit të Gazës — thuhet më tej në notë — ku jetojnë qindra mijëra civilë, dhe ku ndodhet komuniteti ynë i krishterë do të evakuohet dhe transferohet në jug të Rripit». «Urdhrat e evakuimi» lëshuar «për disa lagje të qytetit të Gazës» dhe «bombardimet e rënda», shtojnë «shkatërrime dhe vdekje të mëtejshme në një situatë tashmë dramatike para fillimit të operacionit». Veprime këto që tregojnë, sipas dy Patriarkanave, se «operacioni nuk është vetëm një kërcënim, por një realitet tashmë në fazë zbatimi».

Pa të ardhme

Në pasigurinë që po godet jo vetëm «komunitetin tonë», por «të gjithë popullsinë», deklarata thekson se «nuk mund të ketë të ardhme të bazuar në robëri, zhvendosje të palestinezëve ose hakmarrje. Kjo nuk është rruga e duhur — thuhet më tej në notë — nuk ka asnjë arsye që justifikon zhvendosjen e qëllimshme dhe të detyruar të civilëve».

Në deklaratën e përbashkët, Patriarkët kërkojnë ndërmjetësimin e vendeve të tjera për të ndërprerë «mobilizimin masiv ushtarak» të Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) në Rripin e Gazës, për t'i kthyer familjeve të tyre pengjet izraelitë, të rrëmbyer gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023, dhe për të sjellë më në fund paqen në rajon. «I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë për t'i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë dhe shkatërruese, dhe që personat e zhdukur dhe pengjet izraelitë të mund të kthehen në shtëpi».

Të jetosh në tokën tënde

Patriarkana Ortodokse Greke dhe Patriarkana Latine e Jeruzalemit citojnë, së fundi, fjalët e drejtuara, gjatë audiencës së të shtunës së kaluar, nga Papa Leoni XIV një delegacioni të shoqatës Chagos Refugees Group, e angazhuar në kthimin e Ishujve Chagos në Republikën e Mauritiusit: «Të gjithë popujt, edhe më të vegjlit dhe më të dobëtit, duhet të respektohen nga të fuqishmit në identitetin dhe të drejtat e tyre, në veçanti të drejtën për të jetuar në tokat e tyre; dhe askush nuk mund t'i detyrojë ata në një mërgim të detyruar». Fjalë që i bashkëndajnë e të cilave u bëjnë jehonë. Në fund lutja që zemrat të kthehen, të ecet në shtigjet e drejtësisë dhe të jetës «për Gazën dhe për të gjithë Tokën e Shenjtë».

26 gusht 2025, 16:43