MAP

Gaza, At Romanelli: bombardohet natë e ditë, por lutjet për paqe vazhdojnë

Famullitari i Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza flet për luftën që nuk ndalet dhe për rritjen e nevojave të civilëve, por edhe për shpresën që nuk shuhet: “Nuk ka pasur urdhër evakuimi në këtë zonë të lagjes sonë, atë të Qytetit të Vjetër të Gazës”. Hamasi deklaron se pranon një propozim për armëpushim, ndërsa viktimat shtohen: sot 25 të tjerë të vrarë, që i shtohen 62 mijë të vrarëve që nga viti 2023.

R.SH. / Vatikan

Bombardime, viktima, shkatërrim dhe një popull që kërkon ndihmë të çdo lloji. Kjo është Gaza, vend dhimbjeje dhe vdekjeje, por ku, pavarësisht gjithçkaje, vazhdon “lutja për paqe”. Zëri i Atë Gabriel Romanellit, famullitar i Kishës së Familjes së Shenjtë, vjen nga Kisha e qytetit të Gazës. Zonë “e rrezikshme”, thotë Romanelli për mediat e Vatikanit, “dëgjohen bombardime natë e ditë. Disa larg, të tjerë më afër. Ndonjëherë, vijnë edhe copëza”, sepse “fatkeqësisht lufta vazhdon. Dhe, me luftën, çdo ditë shtohen të vdekur, të plagosur, shkatërrime, dhe rriten nevojat e çdo lloji për të gjithë popullsinë civile të Gazës”. Famullitari argjentinas më pas saktëson se “nuk ka pasur urdhër evakuimi në këtë zonë të lagjes sonë, atë të Qytetit të Vjetër të Gazës, brenda lagjes së madhe të Zeytounit”.

62 mijë të vdekur që nga viti 2023

Të vdekurit në Gaza, që nga fillimi i luftës në vitin 2023, kanë kaluar shifrën 62 mijë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, ndërsa të plagosurit janë mbi 150 mijë. Numra në rritje çdo orë, duke menduar për mbi 25 viktimat e sotme, të vrarë ndërsa prisnin dorëzimin e ndihmave humanitare, ose nga uria si tre të moshuar në 24 orët e fundit. Dhe në ditën e sotme kushtuar punonjësve humanitarë të vrarë në botë në vitin 2024, zyrtarizohet se numri më i lartë i të vdekurve, 185 nga një total i përgjithshëm prej 383, regjistrohet pikërisht në Gaza, në luftën midis Izraelit dhe Hamasit. Kështu bën të ditur zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara, përgjegjësi i së cilës, Tom Fletcher, i cilëson sulmet “një akuzë të turpshme për mosveprim dhe apati ndërkombëtare”, duke kërkuar në të njëjtën kohë nga “ata që kanë pushtet dhe ndikim të veprojnë për njerëzimin, të mbrojnë civilët dhe punonjësit humanitarë dhe të sjellin përgjegjësit para drejtësisë”.

Hamasi pranon armëpushimin

Hamasi ndërkohë ka deklaruar synimin për të pranuar një propozim për armëpushim. Në një komunikatë, Taher al Nunu, lider i lëvizjes palestineze, tregon se marrëveshja përfshin “garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pranuar”, duke shtuar më pas se shpresa është që propozimi “të çojë në përfundimin e luftës”, duke synuar një “mbrojtje më të madhe të civilëve në Gaza dhe lehtësimin e vuajtjeve humanitare të cilave popullsia i është nënshtruar për shkak të pushtimit të zgjatur izraelit”. Propozimi do të zbatohet, “pasi të marrë dritën jeshile nga pala tjetër”, saktësoi al Nunu.

Ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit propozojnë një armëpushim fillestar prej 60 ditësh për të filluar negociatat dhe lirimin e një numri pengjesh, të gjallë dhe jo, në këmbim të lirimit të pjesshëm të të burgosurve.

Ndërkohë, në portin izraelit të Ashdodit mbërrini një anije, me flamur panamez, e nisur nga Qipro dhe e ngarkuar me 1.200 tonë ushqime të destinuara për Rripin e Gazës, makarona, oriz, ushqime për fëmijë dhe produkte të konservuara.

19 gusht 2025, 16:04