Fjala e Zotit e festës të “Të ngjiturit të Zojës në Qiell”
R.SH. - Vatikan
Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit,e kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të solemnitetit të Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar Mari në Qiell me trup e me shpirt.
Çdo vit në zemër të verës kthehet solemniteti i Të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, festa më e lashtë mariane. E për ne besimtarët është një rast i volitshëm për t’u lartuar me Marinë Virgjër në lartësitë e shpirtit, ku thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme dhe kundrohet bukuria më e vërtetë dhe e plotë, që është shenjtërimi. Atmosfera e kremtimit të kësaj feste është e mbushur me gëzimin e Pashkëve.
“Sot Maria është ngjitur në qiell: galdoni e gëzohuni, me Krishtin mbretëron përgjithmonë. Haleluja”. Ky kumtim na flet për një ngjarje tejet të jashtëzakonshme dhe unike, por që e mbush zemrën e njeriut me shpresë e lumturi. Vërtetë, Mari është krijesa e parë e njerëzimit të ri, krijesa në të cilën misteri i Krishtit - Mishërimi, Vdekja, Ngjallja, të Ngjiturit të Krishtit në qiell kanë pasur efektin apo rezultatin e plotë, duke shpëtuar nga vdekja e duke e transferuar (bartur) me shpirti e me trup në mbretërinë e jetës së pavdekshme. Për këtë Virgjëra Mari, sikur na kujton Koncili II i Vatikanit, për ne është shenjë e shpresës së sigurt dhe ngushëllim.
Festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ pohon se dashuria, në dukje ligështi e Hyjit, fiton mbi pushtetin e egoizmit e të dhunës. “E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët”, thotë Shën Augustini. Festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës.
E kështu festa e ‘Të ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë: Është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj, për ta gjetur vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë. Atëherë mund të themi me plot gojën se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligsht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja.
Shembulli i Marisë tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën e vet. Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit rritet në se ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën tonë e me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Zb 11, 19; 12, 1-6.10
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh!
Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes. Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit – dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante.
Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë. Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Fjala e Zotit!
Psalmi 44
Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha
----- ----- -----
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde,
në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha, në ar Ofiri e ngrirë.
----- ----- -----
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd.
Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote,
nderoje atë, ai është zotëria yt!
----- ----- -----
Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori,
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
----- ----- -----
Leximi i dytë 1 Kor 15, 20-26
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri.
Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Fjala e Zotit.
ALLELUJA, Alleluja.
Maria u ngjit në qiell: galdojnë aradhet engjëllore.
Alleluja
Ungjilli Lk 1, 39-56
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.”
Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet. Fjala e Zotit!