Sfidat e emigracionit në Mesdhe: të rinjtë e “Bel Espoir” në Durrës
R.SH. – Vatikan
Odiseja me të cilën jemi mësuar është ajo e shkruar nga Homeri, që tregon për mbretin e Itakës, i cili bën ç’është e mundur për t’u kthyer në atdheun e në familjen e tij. Kthehet pas 20 vitesh e pas 12 etapash, i detyruar, si emigrantët e sotëm, të kapërcejë pengesa e vështirësi, që shpesh, nuk vareshin prej tij. Por Odiseja, që duam të përshkruajmë këtu, zgjat 8 muaj e prek rreth 30 porte të Mesdheut, me dëshirën për të çuar ëndrrën e paqes e të drejtësisë në të gjitha kombet, që i lag ky det, shpesh, të përfshira në konflikte etnike, politike e fetare, ose në varfëri, që çdo vit, detyron qindra mijëra njerëz të ikin nga atdheu i tyre në kërkim të një jete më të mirë e të kthehen në emigrantë. Nga 1 marsi e deri në fund të tetorit, reth 200 “Odise” të rinj, të ndarë në 8 grupe nga 25 vetë, me anijen “Bel Espoir” – që në frëngjisht do të thotë “Shpresa e bukur” – po lundrojnë rreth e përqark Mesdheut, duke u alternuar e duke marrë pjesë në sesione formimi për paqen, në konferenca e në festivale rinie, në kuadrin e nismës MED25. Është fjala për sesionin e këtij viti të Takimeve Mesdhetare, filluar me dëshirën e Papës Françesku, në Bari, në vitin 2020, për të vijuar në Firence (2022), Marsejë (2023) e Tiranë (2024).
Etapa e Shqipërisë, simbol bashkëjetese
Nga 4 deri më 6 gusht, anija “Bel Espoir” me 25 të rinj nga Italia, Palestina, Libia, Siria, Mali i Zi, Greqia, Egjipti dhe vende të tjera mesdhetare, edhe nga Shqipëria, u ndal në Durrës, për një sërë veprimtarish, që përfshinë edhe Tiranën, ndër të cilat, një konferencë për emigracionin në kontekstin e Shqipërisë, mbajtur në Kurien katolike të kryeipeshkvisë në kryeqytet e të nesërmen, edhe në Durrës, një vizitë tek ortodoksët e një tek bektashinjtë, mesha në katedralen e Shën Luçisë në Durrës e takimi me nxënësit e shkollës së murgeshave benedektine. Shqipëria, vendi që prej dekadash shquhet për mikpritjen dhe bashkëjetesën ndërfetare, u zgjodh si ndalesa simbolike e një udhëtimi, që ka në thelb temën e sfidave të migracionit – një realitet i përbashkët për shumë prej vendeve të Mesdheut dhe një fushë ku të rinjtë duan të thonë fjalën e tyre.
Imzot Arjan Dodaj: rëndësia e mikpritjes, solidaritetit dhe e dialogut ndërfetar
Ndër takimet e organizuara në Durrës e Tiranë, me bashkëpunimin e Karitasit të Shqipërisë e të Rojes italiane të Financës, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, i cili është edhe president i Karitasit, theksoi rëndësinë e mikpritjes, solidaritetit dhe forcimit të dialogut ndërfetar për përballimin e sfidave të migracionit. Ai dha një mesazh shprese e kujtoi përvojën e tij personale të emigracionit, duke nënvizuar se ky udhëtim me anijen “Bel Espoir” është shumë më tepër se një shtegtim në det.
“Kur vendos të lundrosh në Mesdhe - vuri në dukje imzot Dodaj - vendos të lundrosh në një histori, që është plot dhimbje, por edhe plot dritë. Kjo anije nuk bart vetëm vela, por bart edhe zëra, kujtime, dëshira, dhe mbi të gjitha, dëshirën për të mos heshtur përballë padrejtësive, që i ndodhin njeriut, i cili lë tokën për të kërkuar jetën. Nga Shqipëria niset sot jo vetëm një segment i itinerarit të Bel Espoir, por një ftesë për ta kthyer Mesdheun në një hapësirë takimi e shprese”.
Festivali i të rinjve në Trieste
Pas Shqipërisë, nga 7 deri më 14 gusht, pjesëmarrësit do të bashkohen në një përvojë unike lundrimi, ku do të vijojnë diskutimet mbi sfidat e migracionit në një format interaktiv dhe ndërkulturor. Nga 15 deri më 17 gusht, iniciativa do të kulmojë në festivalin e të rinjve në Trieste të Italisë. Kujtojmë se Takimet Mesdhetare koordinohen ga dioqeza e Marsejës (Francë) në bashkëpunim me Selinë e Shenjtë.
Të dëgjojmë informacionin, që na jep njëra nga pjesëmarrëset në veprimtaritë e Med25-Bel Espoir, Anjeza Piroli nga Tirana…