ÐÓMAPµ¼º½

Dioqeza e Haitit, pas thirrjes së Papës, dënon 'kolapsin moral'

Falënderimi i Imzot Max Leroys Mésidor për fjalët e Papës gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Zotit, më 10 gusht, për "thirrjen në favor të popullit haitian". Në vendin më të varfër të Amerikave, madje edhe funeralet janë bërë mall shkëmbimi për të pasuruar bandat kriminale. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, mbi tre mijë persona janë vrarë.

R.SH. / Vatikan

Rrëmbimi i nëntë personave, përfshirë një misionar irlandez dhe një fëmijë me aftësi të kufizuara, është "akt i ri barbarie", akt "i turpshëm",  shprehje e një "kolapsi moral" më Haiti, që e prek të gjithë shoqërinë haitiane. Ankesa vjen nga Kryedioqeza e kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince, e cila, në një deklaratë të ribotuar nga Vatican News, dënon atë që ndodhi të dielën, më 3 gusht, në jetimoren Sainte-Hélène de Kenscoff, në juglindje të qytetit.

Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV bëri një thirrje të fortë për t’i dhënë fund situatës "gjithnjë e më të dëshpëruar". Nga ana tjetër Kisha katolike vendase u bëri thirrje si besimtarëve, të ftuar për të reaguar me lutje dhe angazhim konkret, ashtu edhe institucioneve, të nxitura për të garantuar rendin, sigurinë e drejtësinë.

"Konferenca Episkopale e Kishës katolike të Haitit falënderon Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, për thirrjen në favor të popullit haitian dhe për këtë apel ndaj komunitetit ndërkombëtar që të merret më shumë dhe konkretisht me situatën në Haiti": kështu e nis Imzot Max Leroy Mesidor, kryeipeshkvi i Port-au-Prince, duke folur për mediat e Vatikanit. Fjalët e shqiptuara dje, pas lutjes së Engjëllit të Zotit, më 10 gusht, nga Papa, i cili kërkoi lirimin "menjëherë të pengjeve" dhe theksoi nevojën e "mbështetjes konkrete të komunitetit ndërkombëtar" për Haitin, kanë hequr velin e indiferencës mbi një krizë që bota tenton ta lërë në margjinat e kronikës, por që, në fakt, është pjesë e një "lufte të tretë botërore me copëza" e aftë të gllabërojë jo vetëm jetë dhe shpresa, por madje edhe shpirtra.

Funeralet si mall shkëmbimi

Në vendin më të varfër të Amerikave, tashmë i nënshtruar nga dominimi i bandave të armatosura, edhe funeralet janë bërë mall shkëmbimi: për të varrosur një anëtar të familjes duhet të paguhet një taksë grupeve kriminale që kontrollojnë varrezat dhe procesionet funerale. Këtë e ka denoncuar për agjencinë e lajmeve Efe, në mënyrë anonime, drejtori i një agjencie funerale haitiane, sipas të cilit "që nga viti 2024 nuk jemi më në gjendje të punojmë. Për çdo varrim duhet të kontaktojmë grupin e armatosur që kontrollon varrezën përkatëse. Kjo është mënyra e vetme për të shmangur incidentet në ditën e funeralit".

11 gusht 2025, 14:40