Çelësi i fjalëve të Kishës: rruga e dashurisë
R.SH. - Vatikan
Vlerat e së vërtetës, të drejtësisë, të lirisë, për të cilat ju folëm javën e kaluar, lindin e zhvillohen prej burimit të brendshëm të dashurisë: bashkëjetesa njerëzore është e rregullt, e mbushur me të mirën dhe i përgjigjet dinjitetit të njeriut, kur bazohet në të vërtetën; vihet në jetë sipas drejtësisë, pra, në respektimin e të drejtave dhe në plotësimin besnik të detyrave përkatëse; vihet në jetë me lirinë, që i përshtatet dinjitetit të njerëzve, të nxitur prej vetë natyrës së tyre racionale që të marrin përsipër përgjegjësinë e veprimeve të tyre; gjallërohet nga dashuria, e cila bën që njeriu t’i ndiejë si të vetat nevojat dhe kërkesat e të tjerëve. Këto vlera përbëjnë shtyllat prej të cilave merr forcë e qëndrueshmëri jeta dhe vepra e njeriut dhe e çdo institucioni shoqëror.
Dashuria, e kuptuar si bamirësi e krishterë, e presupozon dhe e tejkalon drejtësinë: kjo e fundit «duhet ta gjejë plotësimin e vet në dashurinë», siç pati shkruar Papa shenjt Gjon Pali II në Mesazhin për Ditën e Paqes 2004. Nëse drejtësia, vijonte më tej Papa në enciklikën “Dives in misericordia”, është «në vetvete e përshtatshme për “të arbitruar” ndër njerëz ndarjen e të mirave objektive sipas masës së drejtë, dashuria dhe vetëm dashuria (edhe ajo dashuri mirëdashëse, të cilën e quajmë “mëshirë”), është e aftë t’ia kthejë njeriun vetvetes». Marrëdhëniet njerëzore, thekson Kisha, nuk mund të rregullohen vetëm përmes drejtësisë: «Përvoja e së kaluarës dhe ajo e kohës sonë tregon se drejtësia, e vetme, nuk mjafton dhe se, madje, mund të çojë në mohimin e në asgjësimin e vetvetes» (Dives in misericordia). Në të vërtetë, drejtësia, «në çdo sferë të marrëdhënieve ndërnjerëzore, duhet të pësojë, të themi, një “ndreqje” të ndjeshme nga ana e asaj dashurie, e cila siç shpall Shën Pali ‘është e durueshme’ dhe ‘zemërgjerë’, pra, mbart në vetvete tiparet e dashurisë së mëshirshme, aq thelbësore për Ungjillin dhe për krishterimin» (Dives in misericordia).
Asnjë legjislacion, asnjë sistem rregullash apo marrëveshjesh nuk do të arrijë t’i bindë njerëzit dhe popujt që të jetojnë në unitet, vëllazërim e paqe, asnjë argumentim nuk mund ta kapërcejë thirrjen e dashurisë. Vetëm dashuria mund ta frymëzojë dhe ta plazmojë veprimtarinë shoqërore për paqen në kuadrin e një bote gjithnjë e më të ndërlikuar. Që e gjithë kjo të ndodhë, duhet që dashuria të jetë jo vetëm frymëzuese e veprimit individual, por edhe forcë e aftë të nxisë rrugë të reja për të përballuar problemet e botës së sotme e për të përtërirë thellësisht nga brenda strukturat, organizimet shoqërore, rendet juridike. Në këtë perspektivë dashuria bëhet dashuri shoqërore e politike: dashuria shoqërore na bën ta duam të mirën e përbashkët dhe na bën ta kërkojmë efektivisht të mirën e gjithë njerëzve, jo vetëm atë individuale, por edhe në përmasën shoqërore që i bashkon ata, siç pati thënë një Papë tjetër shenjt në FAO, në vitin 1970: Papa Pali VI.
Dashuria shoqërore e politike nuk kufizohet në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, por zgjerohet në rrjetin kupërfshihen këto marrëdhënie, që është pikërisht bashkësia shoqërore e politike dhe mbi këtë ndërhyn, duke synuar të mirën e mundshme për bashkësinë në tërësinë e vet. Për shumë aspekte, i afërmi që duhet dashur bën pjesë «në shoqëri», prandaj, ta duash atë, ta ndihmosh, do të thotë ta duash jo thjesht individualisht: ta duash në planin shoqëror do të thotë, sipas situatave, të përdorësh mundësitë shoqërore për t’ia përmirësuar jetën apo për t’i zhdukur faktorët, që shkaktojnë varfërinë e tij. Është pa dyshim akt dashurie vepra e mëshirshme me të cilën i përgjigjemi mënjëherë një nevoje reale dhe të ngutshme të të afërmit, por është akt dashurie po aq i domosdoshëm angazhimi, që ka për qëllim ta organizojë e ta strukturojë shoqërinë, në mënyrë që i afërmi të mos bjerë në mjerim, situatë që sot merr përpjestimet e një çështjeje të mirëfilltë shoqërore botërore.