MAP

2025.02.13 libertà

Çelësi i fjalëve të Kishës: e vërteta, liria, drejtësia

Doktrina shoqërore e Kishës, përveç parimeve që duhet të udhëheqin ndërtimin e një shoqërie të denjë për njeriun, tregon edhe disa vlera themelore. Marrëdhëniet ndërmjet parimeve e vlerave janë të ndërsjellta, meqë vlerat shoqërore shprehin vlerësimin që u duhet dhënë atyre aspekteve të caktuara të së mirës morale që parimet synojnë të arrijnë. Prandaj, vlerat kërkojnë qoftë praktikimin e parimeve themelore të jetës shoqërore, qoftë ushtrimin personal të virtyteve e, qëndrime morale përkatëse

R.SH. - Vatikan

Të gjitha vlerat shoqërore kanë të bëjnë me dinjitetin e njeriut e me zhvillimin e njëmendtë të tij. Kryesisht, ato janë: e vërteta, liria, drejtësia, dashuria. Sot, do të flasim për tri të parat e për mënyrën si i shikon Kisha Katolike, në doktrinën shoqërore të saj.

E vërteta

Njerëzit e kanë për detyrë të priren vazhdimisht nga e vërteta, ta respektojnë e ta dëshmojnë atë me përgjegjësi. Bashkëjetesa ndërmjet njerëzve, thekson Papa shenjt Gjoni XXIII në enciklikën “Pacem in Terris”, është e organizuar, e frytshme dhe i përgjigjet dinjitetit të tyre, kur bazohet në të vërtetën. Sa më shumë që njerëzit dhe grupet shoqërore përpiqen t’i zgjidhin problemet sipas të vërtetës, aq më shumë largohen prej arbitraritetit dhe u përshtaten kërkesave objektive të moralit.

Koha jonë kërkon një veprimtari të madhe edukative dhe impenjimin e të gjithëve, që kërkimi i të vërtetës të nxitet në çdo fushë dhe të sundojë mbi çdo përpjekje për t’i relativizuar kërkesat e saj apo për ta cënuar atë, thuhet në kushtetutën “Gaudium et Spes” të Koncilit II të Vatikanit. Është çështje, që ka të bëjë veçanërisht me botën e komunikimit publik dhe me atë të ekonomisë. Në to, përdorimi i pamend i parasë bën që të dalin në pah pikëpyetje gjithnjë e më të mprehta, që të çojnë patjetër në nevojën për transparencë dhe ndershmëri në veprimtarinë personale dhe shoqërore.

Liria

Një vlerë tjetër është liria e njeriut, shenjë e dinjitetit sublim të tij si shembëllim i Zotit. Ushtrimi i lirisë nuk ka të bëjë vetëm me individin e nuk është ushtrim arbitrar e i pakontrolluar i autonomisë personale. Vlera e lirisë, si shprehje e veçantisë së çdo njeriu, respektohet kur secilit anëtar të shoqërisë i lejohet ta realizojë thirrjen e vet personale; të kërkojë të vërtetën e të dëshmojë idetë e veta fetare, kulturore e politike; të shprehë opinionet e veta; të vendosë për gjendjen e vet të jetës dhe, për sa është e mundur, për punën e vet; të marrë nisma me karakter ekonomik, shoqëror e politik. Kjo duhet të ndodhë brenda një «konteksti të qëndrueshëm juridik» (Gjon Pali II, “Centesimus Annus”), brenda kufijve të së mirës së përbashkët e të rendit publik dhe, në çdo rast, me përgjegjësi.

 Kisha thekson veçanërisht fakti se liria është edhe mundësi për të mos pranuar gjithçka është moralisht negative, në çfarëdo forme që të paraqitet, e drejtë për t’u shkëputur pa pasoja nga gjithçka, që mund ta pengojë zhvillimin personal, familjar e shoqëror. Liria e individit plotësohet nga aftësia për t’u përmbajtur, që të mos cënohet liria e tjetrit dhe e mira e përbashkët universale.

Drejtësia

Në këtë kuadër, hyn respektimi i drejtësisë, vlerë tjetër e promovuar nga Doktrina Shoqërore e Kishës, që “përcaktohet me vullnetin e vazhdueshëm e të patundur për t’i dhënë Hyjit dhe të afërmit atë që i takon» (Katekizmi i Kishës Katolike). Magjisteri shoqëror bën thirrje për respektimin e formave klasike të drejtësisë: asaj të ndërsjellë, asaj përndarëse, asaj ligjore. Një rëndësi gjithnjë e më të madhe ka marrë për të drejtësia shoqërore, që përfaqëson një zhvillim të vërtetë të drejtësisë së përgjithshme, rregulluese e marrëdhënieve shoqërore në bazë të kriterit të zbatimit të ligjit

Drejtësia është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin aktual, në të cilin vlera e njeriut, e dinjitetit dhe e të drejtave të tij, rrezikohet seriozisht prej prirjes së përhapur për të përdorur ekskluzivisht kriteret e dobisë dhe të pasjes. Në të vërtetë, drejtësia nuk është thjesht marrëveshje njerëzore, sepse ajo që është «e drejtë» nuk përcaktohet qysh në zanafillë prej ligjit, por prej identitetit të thellë të qenies njerëzore. «E vetme, drejtësia nuk mjafton. Mundet edhe të arrijë ta mohojë vetveten, nëse nuk i hapet asaj force më të thellë, që është dashuria», thoshte Papa shenjt Gjon Pali II në mesazhin e Ditës Botërore të Paqes 2004. Në të vërtetë, vlerës së drejtësisë doktrina shoqërore i afron atë të solidaritetit, si rrugë e privilegjuar e paqes.

Nëse paqja është fryt i drejtësisë, «sot mund të thuhet, me të njëjtën saktësi dhe të njëjtën forcë me frymëzim biblik (shih Is 32, 17; Jak 3, 18): Opus solidaritatis pax, paqja është fryt i solidaritetit» (Gjon Pali II, “Sollicitudo rei socialis”). Në të vërtetë, thekson Doktrina Shoqërore e Kishës, paqja «do të arrihet, sigurisht, me zbatimin e drejtësisë shoqërore dhe ndërkombëtare, por edhe me vënien në jetë të virtyteve, që favorizojnë bashkëjetesën dhe na mësojnë të jetojmë të bashkuar, për të ndërtuar të bashkuar, duke dhënë e duke marrë, një shoqëri të re dhe një botë më të mirë»(Gjon Pali II, “Sollicitudo rei socialis”).

21 gusht 2025, 09:02