ÐÓMAPµ¼º½

CEAMA, takim në Bogota për të dalluar se si të vazhdohet udha sinodale

Ipeshkvijtë e Pan-Amazonës, të thirrur nga Konferenca Kishtare e Amazonës (CEAMA), u mblodhën, në Bogota, Kolumbi, nga 17 deri më 20 gusht 2025 për të analizuat realitetet e Kishave lokale dhe për të reflektuar se si të kontribuojnë në proceset e ndërtimit të një Plani Sinodal për Kishën e rajonit. Kremtime, momente spiritualiteti, punë në grup, biseda që do të mbyllen me një deklaratë përfundimtare.

R.SH. – Vatikan

Një mundësi për "dallim të përbashkët për të vazhduar" udhën sinodale "dhe për të verifikuar realizimin e saj përmes një konference kishtare", por edhe "dëgjim në funksion të vazhdimësisë së konsolidimit të sinodalitetit në Kishat e Amazonës". Këtë synon takimi i Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA), hapur dje, më 17 gusht, në selinë e Këshillit Episkopal Latinoamerikan (CELAM), në Bogota, Kolumbi, që do të përfundojë të mërkurën më 20 gusht. Qëllimi i këtij takimi është të ofrojë elemente për një veprim konkret të Këshillit Episkopal Latinoamerikan (CELAM) më afër Kishave lokale. Gjatë punimeve, të cilat do të përfundojnë me një deklaratë përfundimtare, janë në program kremtime të përbashkëta liturgjike, momente spiritualiteti, punë në grup, biseda të sinqerta sipas nxitjes së Shpirtit Shenjt, sipas metodës "shiko, dëgjo, dallo, vepro".

Objektivat e takimit

Ndër perspektivat, riafirmohet roli i ipeshkvijve si barinj të Kishave lokale dhe përgjegjës të parë të sinodalitetit. Kësaj i shtohet nevoja për të identifikuar përparimet që janë shqyrtuar udhës sinodale duke filluar nga Sinodi për Amazonën dhe krijimi i CEAMA-s. Në këtë rrugë, dëshirohet gjithashtu të reflektohet edhe mbi impulset dhe rezistencat e hasura, me bashkëndarjen e përvojave për të ndihmuar në vlerësimin e udhëve të sinodalitetit, për të arritur, më pas, në propozime konkrete që duhen artikuluar më mirë përmes CEAMA-s. Kjo është një mundësi për të krahasuar realitetet e Kishave lokale dhe për të reflektuar se si CEAMA mund të kontribuojë në proceset e ndërtimit të një Plani Sinodal për Kishën e Pan-Amazonës.

CEAMA

Konferenca Kishtare e Amazonës është fryt i Sinodit për Amazonën, i cili në numrin 115 të Dokumentit Përfundimtar propozon të "krijohet një organizëm episkopal që promovon sinodalitetin midis Kishave të rajonit, që ndihmon në përcaktimin e fytyrës amazoniane të kësaj Kishe dhe që vazhdon detyrën e gjetjes së udhëve të reja për misionin ungjillor, duke përfshirë në veçanti propozimin e ekologjisë integrale, duke forcuar kështu fizionominë e Kishës amazoniane".

Që nga themelimi i saj, CEAMA ka bërë hapa të ndryshëm drejt zbatimit të rezultateve të Sinodit për Amazonën. Për këtë qëllim, janë krijuar udhë veprimi duke filluar nga disa udhëzime të nxjerra nga Dokumenti Përfundimtar i Sinodit për Amazonën dhe nga Ëndrrat e Querida Amazonia. Sfida kryesore ka qenë afrimi i Kishave lokale me proceset e zhvilluara nga CEAMA.

Udha sinodale

Proceset sinodale të nisura me Sinodin për Amazonën janë thelluar mëtej me Sinodin mbi Sinodalitetin, i cili ka ftuar të bëhen hapa përpara në ekleziologjinë e bashkësisë kishtare vendore, në nivelin personal, komunitar dhe social. Në këtë perspektivë, pa dashur të trajtojë çështjet e mëdha pastorale të Amazonës – një detyrë që do të jetë në qendër të Asamblesë së Përgjithshme të CEAMA-s të parashikuar nga 18 deri më 21 mars 2026 – takimi aktual në Bogota paraqitet si një etapë reflektimi dhe dallimi. Raporti i Sintezës i Sesionit të Parë të Sinodit mbi Sinodalitetin, në pikën e parë kushtuar "Sinodalitetit: përvojë dhe kuptim", citon CEAMA-n si shembull, duke treguar se Konferenca Kishtare e Amazonës "është fryt i procesit sinodal misionar të atij rajoni".

18 gusht 2025, 14:31