ÐÓMAPµ¼º½

2025.08. P. Felix Juan Cabases s.j.  davanti alla locandina delle postazioni della RV: 1984 - P. Felix Juan Cabases s.j. (di fronte) con Mons. John Foley, Presidente della Pontificia Commissione per le Comunicazioni Sociali.

Atë Cabasés, meshtar jezuit në Radion e Vatikanit, shpikës i "cabasario", ndërroi jetë

Ishte 94 vjeç. Shërbeu nga viti 1974, deri në vitin 1988. "Studioi thellësisht si realizohet seriozisht informacioni gazetaresk", kujton kolegu i tij jezuit, Atë Federico Lombardi. Dy mjetet që projektoi për punën e redaktorëve, janë ende në përdorim: parashikimet dhe guida - apo udhëzuesi, që e mori këtë emër prej tij, i përgatitur për çdo udhëtim apostolik, me të dhëna e përshkrime të vendeve e të ngjarjeve, siç përgatitet edhe sot nga media e Vatikanit e u shpërndahet edhe vatikanistëve

R.SH. - Vatikan

Ati jezuit Félix Juan Cabasés, drejtor historik i Zyrës Qendrore Redaktuese të Radio Vatikanit, më vonë i Shërbimit të Dokumentacionit, nga viti 1974 deri në vitin 1988, ndërroi jetë më 31 korrik, në Loyola të Spanjës, në ditën e kujtimit liturgjik të Shën Injacit, themeluesit të Shoqërisë së Jezusit. Ishte 94 vjeç.

I lindur më 5 nëntor 1930, në Aoiz, Navarrë, Spanjë, hyri në Shoqërinë e Jezusit më 18 shtator 1945, bëri betimin e përjetshëm njëzet vjet më vonë dhe u shugurua prift më 26 korrik 1961. Njeri "me shumë punë, me shumë vëmendje, shumë besnik edhe në marrëdhëniet e tij me njerëzit" - kështu e përshkroi për mediat e Vatikanit shoku i tij, Atë Federico Lombardi, ish-drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit, tani kryetar i "Fondacionit  vatikanas Joseph Ratzinger - Benedikti XVI".

Ideja e "Shërbimit të Dokumentimit" në Radio Vatikan

Ai kishte shumë interesa, e në shumë fusha të ndryshme, "aftësi të madhe për punë" dhe "talente të jashtëzakonshme si shkrimtar", kujton rregulltari. Studioi Shkrimin Shenjt në Institutin Papnor Biblik në Romë, në vitet 1960, dha mësim në Universitetin e Deustos, drejtuar nga Jezuitët në Bilbao, shkroi për revistën spanjolle "Mensajero"...

Në vitet 1970, eprorët e dërguan në kryeqytet për të shërbyer në Radio Vatikan, ku punoi me kohë të plotë, duke vazhduar të bashkëpunonte edhe me gazeta të ndryshme. "Cabasés mbetet arkitekti i madh i sistemit të dokumentimit për çështjet aktuale", shpjegon Atë Lombardi. "Kishte studiuar me kujdes se si funksiononin agjencitë, si bazohej informacioni për çështjet aktuale dhe, brenda transmetuesit papnor, organizoi një zyrë qendrore editoriale, e cila më vonë u bë 'Shërbimi i Dokumentacionit', ku një ekip nisi të përgatisë dokumente dhe burime, që u vunë në dispozicion të të gjitha zyrave editoriale gjuhësore, më shumë se tridhjetë në atë kohë. Ndërmjet tyre, edhe zyra e gjuhës shqipe"

Parashikime

Nga ky organizim mbeten ende dy mjete, "të vlefshme edhe sot", thekson presidenti i Fondacionit Ratzinger. I pari është 'Shërbimi i Parashikimit' për ngjarjet kryesore në çështjet aktuale ndërkombëtare, të Kishës dhe të Selisë së Shenjtë, besuar një redaktori përgjegjës për të azhurnuar vazhdimisht një buletin që i kushtohej. "Ky shërbim, i kryer me kujdes dhe besueshmëri, duke mbledhur vazhdimisht informacion, ishte baza e programimit të Radio Vatikanit", shpjegon Atë Lombardi. "Ishte mjet kaq inteligjent dhe i mirë-përpunuar, saqë e gjithë bashkësia e Vatikanit donte ta merrte, sepse ishte tepër i dobishëm për parashikimin dhe përgatitjen paraprake, për marrjen e informacionit, dokumentacionit, kryerjen e intervistave dhe për mbulimin efektiv të ngjarjeve të parashikueshme".

Il “Cabasario"

Mjeti i dytë "mbeti i lidhur me emrin e tij në historinë e informacionit të Vatikanit", sepse është "shpikja e tij". Është fjala për "cabasario-n",  burim i përgatitur për çdo udhëtim papnor, për mbledhjen e informacionit mbi vizitat baritore të Papës dhe për ndjekjen më të mirë të tyre. "Ishte koha e Gjon Palit II, me udhëtime të panumërta, të gjata dhe komplekse, të cilat ishin vërtet pjesë themelore e papnisë së tij dhe mënyrës së tij të qeverisjes së Kishës; e Cabasés shpiku një dosje që përshkruante progresin e çdo vizite apostolike të Papës, sipas programit zyrtar dhe burimeve të besueshme, të cilat ai mund t'i konsultonte nga afër, nga Atë Tucci (organizator i shtegtimeve të huaja të Papës nga viti 1982 - deri në vitin 2001, red.), i cili ishte gjithashtu në Radio Vatikan", kujton jezuiti. Kronologjikisht, "cabasario" përmbante të gjitha ngjarjet, por të pasuruara me informacion: përshkruante vendet dhe ndërtesat ku do të zhvilloheshin ngjarjet, njerëzit kryesorë që Papa do të takonte, krerët e shteteve e kështu me radhë, me informacion mbi secilën, e pastaj ishte "programi i detajuar i liturgjive e edhe më shumë". "Një mjet tejet i saktë, i përditësuar vazhdimisht" - thekson Atë Lombardi - "i cili ishte në duart e të gjithëve, duke filluar nga shoqëruesit e vetë Papës, që i ndihmonte të ndiqnin me vëmendje dhe të përgatisnin, me shumë kujdes, informacionin mbi secilën ngjarje".

Profesionalizëm i madh në shërbim të Kishës

Për Atin Cabasés, Atë Lombardi thekson edhe "aftësinë për të organizuar gjithçka me përpikëri, por edhe për të ofruar njohuri shumë të detajuara" si dhe "saktësinë dhe besueshmërinë e dokumentimit të tij, të shërbimit të tij". "Nuk më duket se kam takuar ndonjëherë dikë me aftësi të tilla dhe, le ta themi, saktësi shkencore", vëren Atë Lombardi. "Ai kishte studiuar në thellësi se si të drejtonte seriozisht informacionin gazetaresk sot. Profesionalizmi i tij ishte i madh e i vënë në shërbim të një misioni". Pasi mbaroi punën në Radio Vatikan, Cabasés dha mësim në Universitetin Gregorian, në Fakultetin e Shkencave Sociale, pastaj u kthye në Spanjë dhe u caktua në Loyola, "ku ndodhet shtëpia e Shën Injacit, me të gjitha kujtimet e familjes së tij e edhe me kthesën e tij". Këtu ai u angazhua për të dokumentuar dhe për të shpjeguar me hollësi gjithçka lidhej me jetën e Shën Injacit dhe krijoi një udhëzues audio në gjuhë të ndryshme. Funerali i Atit Cabasés u kremtua sot, më 2 gusht, në orën 11:00  paradite, në Bazilikën e Loyolës.

02 gusht 2025, 09:22