MAP

Ipeshkvi Bohdan Manyshyn me disa ushtarë në Ukrainë Ipeshkvi Bohdan Manyshyn me disa ushtarë në Ukrainë

Ukraina, kryekapelani: "I ndihmojmë ushtarët e familjet t’i shërojnë plagët e luftës"

Imzot Bohdan Manyshyn, Ipeshkëv Ndihmës i Heparkisë së Stryi-t dhe kreu i Departamentit të Kapelanisë Ushtarak të Kishës Greko Katolike Ukrainase, në përfundim të Sinodit të kësaj Kishe ukrainase në Romë, përshkroi nismat e ndryshme për t’i mbështetur veteranët nga fronti ose ata që kanë humbur një të afërm: "Të kujtojmë se edhe kur jemi të sëmurë, mund t'u japim gjithmonë një dorë atyre që janë më keq. Jemi ata që kanë nevojë për ta; duke u shërbyer atyre, shikojmë se sa të krishterë jemi".

R.SH. / Vatikan

"Njeriu që ka qenë në luftë, nuk do të kthehet kurrë i njëjtë në shtëpi. Megjithatë, mund ta transformojë këtë përvojë të thellë në një përvojë tjetër, atë që kërkon të sjellë paqe". Imzot Bohdan Manyshyn është Ipeshkëv Ndihmës i Eparkisë së Stryi-t (Ukraina Perëndimore) dhe kreu i Departamentit të Kapelanisë Ushtarak të Kishës Greko-Katolike Ukrainase.

"Sot, ne kapelanët, ashtu si vullnetarët, mjekët dhe familjet e ushtarakëve, jemi ata që qëndrojmë në vijën ndarëse të paqes e luftës. E duhet të sigurohemi që njerëzit të mos e sjellin luftën me vete në shtëpi", theksoi në një intervistë me mediat e Vatikanit, në përfundim të punimeve të Sinodit të Ipeshkvijve të Kishës Greko-Katolike Ukrainase, mbajtur në Romë nga 30 qershori deri më 10 korrik me temën "Kujdesi baritor i familjes në rrethanat e Luftës". Prelati ishte një nga pjesëmarrësit e Sinodit. "Kushti themelor për t’i shoqëruar këto familje e edhe njerëz të tjerë në vështirësi - theksoi ai - është vetëdija se jemi ne ata që kanë nevojë për ta: duke u shërbyer atyre, mund të shohim se sa të krishterë jemi, sa afër jemi me Zotin, sa shumë ndihemi të dashur dhe sa të aftë jemi për të dashur".

Projekte, nisma, kurse formimi

Ndër nismat e Departamentit të Kapelanisë Ushtarake që synojnë mbështetjen e familjeve, është edhe projekti "Gratë e Heronjve", i udhëhequr nga Natalia Dubchak, ish-ushtare dhe nënë e një ushtari që u vra në luftë. Nisma përfshin kurse formimi dhe takime, por mbi të gjitha, rikrijimin e bashkësisë: tashmë ekzistojnë më shumë se njëzet e shtatë bashkësi të këtyre rretheve familjare, nga familjet e ushtarëve.

"Ne po kërkojmë metoda dhe po bëjmë përpjekje për t'i ndihmuar këta njerëz të shërohen nga plagët e luftës, t'i japin vetes kohë për të kapërcyer pikëllimin, për të kujtuar se edhe kur vuajmë, mund t'u japim gjithmonë një dorë atyre që janë edhe më keq. Kjo do të na ndihmojë të ngrihemi përsëri në këmbë", shpjegon Imzot Manyshyn.

Mbledhja e ndihmave për këshillim psikologjik

Heparkia e Stryi-t, vazhdon ipeshkvi, përpiqet edhe t'u ofrojë mbështetje familjeve të ushtarëve të zhdukur e atyre, që u vranë në betejë: "Në vitin 2016, ne filluam nismën kreshmore që të mund të mblidhnim lëmoshë për një fond, përmes të cilit të ofronim ndihmë, duke përfshirë edhe këshillimin psikologjik për të rritur fëmijë. Drejtojmë, kështu, grupe mbështetëse dhe organizojmë shtegtime. Është e rëndësishme t'i bëjmë të afërmit e ushtarëve ta ndjejnë se flijim i tyre nuk është i kotë, se dikush është pranë tyre, se dikush thotë: “Duam të hyjmë në jetën tuaj, të ndihemi pjesë e flijimit tuaj. Asnjë flijim nuk është i kotë".

I duhet dhënë kuptim dhimbjes

“Për ata që humbën të dashurit e tyre, është themelore t'i jepet kuptim pikëllimit - thekson Imzot Manyshyn - Askush nuk mund t'i shpëtojë vuajtjes, por njeriu për të cilin feja është marrëdhënie me Zotin, mund të përgatitet ta kapërcejë pragun e shpresës - siç na e kujton Gjon Pali II, dhe pastaj, pragun e amshimit". "Çdo vuajtje është lindje e diçkaje të re", shpjegon prelati, "por ne jemi ata që duhet ta gjejmë kuptimin e saj. Nëse nuk e bëjmë, biem në dëshpërim”. Megjithatë, nuk duhet ta hedhim poshtë atë që është njerëzore, sepse Zoti na krijoi me emocione, me lot.

Periudha që po përjeton Ukraina është kohë zije, po ne duhet të jemi në gjendje ta jetojmë edhe atë. Për ne është themelore të mos i lëmë vetëm ata që vuajnë nga humbjet e të dashurve: ne duhet t'i mbështesim! Shumë shpesh, vetëm prania jonë aty është e mjaftueshme. Mjafton vetëm heshtja, që flet me gjuhën e vet pa fjalë".

14 korrik 2025, 14:00