ÐÓMAPµ¼º½

Toka Shenjte: nga Taybeh, thirrje për paqen

Krerët e Kishave të Krishtera të Tokës Shenjte shprehin solidaritetin me banorët e fshatit të krishterë në Çisjordani: për javë të tëra jetuan në kushte të tmerrshme për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga kolonët hebrenj, të cilët duan t’i përvetësojnë shtëpitë dhe tokat e tyre në zonë.

R.SH. / Vatikan

Taybeh në arabisht do të thotë "i mirë". Por asgjë e mirë nuk ka ndodhur kohët e fundit në fshatin palestinez, banuar tërësisht nga të krishterët. Të hënën, më 14 korrik, krerët e Kishave të Krishtera të Tokës Shenjte, së bashku me ambasadorët dhe konsujt, shprehën solidaritetin e tyre me banorët dhe meshtarët e Taybeh, të cilët për javë të tëra kaluan çaste të tmerrshme për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga qindra kolonë hebrenj, që duan t’i marrin me dhunë shtëpitë dhe tokat e tyre. Banorët e Taybe-së, afërsisht 1,500, u përkasin besimeve të ndryshme të krishtera. Janë latinë, ortodoksë grekë e melkitë. Të hënën në mëngjes të gjithë ishin të pranishëm, duke përfshirë klerin dhe banorët e fshatrave përreth, që e vlerësuan shumë afërsinë vëllazërore të atyre, që ua kuptojnë vuajtjet.

Kur arrin nga rruga në veri të Jeruzalemit, Taybeh duket me një pamje të këndshme dhe mikpritës: kambanoret e tri kishave të krishtera lartohen mbi fshatin, duke vigjëluar bashkësinë paqësore e të bashkuar. Frika, vuajtja dhe tensioni i këtyre javëve të fundit ndiheshin drejtpërdrejt nga njerëzit - të rritur, të moshuar dhe fëmijë. Në këtë zonë, shumëkush ka humbur jetën, të tjerë janë plagosur; të tjerë akoma, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Shumë ndërtesa u shembën e shumë toka u shkrumbuan. Këto janë sulme frikacake kundër njerëzve të paarmatosur që, për qindra vjet, mbetën besnikë ndaj fesë së paraardhësve të tyre, në një tokë që ende ruan traditat e kohës së Krishtit. Nuk është dëgjuar asnjë fjalë hakmarrjeje, as urrejtjeje, as zemërimi... Dëgjohen vetëm lutje të ngutshme për ndihmë, për të mbrojtur jetën e tyre në paqe, në tokën e tyre.

 Tokë e plagosur

Toka Shenjte po vuan për të gjithë banorët e saj: për çdo njeri, për çdo copë tokë të dhunuar, për çdo çast dhimbjeje. Në Gazë, masakra vazhdon: njerëzit vdesin, ndërsa presin në radhë, duke vuajtur poshtërimin e lypjes së ushqimit. E dhe fëmijët vdesin, ndërsa i afrohen "vëllaut ujë ", që është mbështetje, freskim dhe jetë për të gjithë.

Në Bregun Perëndimor, e veçanërisht në Betlehem, vështirësitë e përditshme janë të shumanshme, ndaj të krishterët vendas detyrohen të largohen nga atdheu i tyre për të kërkuar siguri dhe për të punuar jashtë. Ata do të donin të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe të mbronin identitetin e tyre si popull, e edhe fenë e tyre, por ngacmimi dhe sulmet e vazhdueshme nga kolonët, të cilët veprojnë të pashqetësuar, dhe kufizimet gjithnjë në rritje të lirisë së lëvizjes, e pengojnë këtë.

Masakra e fundit e Kishës në Damask dhe ajo që po ndodh në Taybeh dhe në Bregun Perëndimor, megjithatë, nuk janë pjesë e asaj që ata do të donin ta portretizonin si luftë fetare. Është sigurisht e dhimbshme të shohësh vende të shenjta të fyera dhe të zemëruara nga dhuna, ndaj ne duhet t’i dalim zot e ta mbrojmë jetën e njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur.

Ajo që po ndodh në Tokën Shenjte është e mirëdokumentuar: pamjet e lajmet janë tronditëse e shkandulluese. Që nga takimet e javëve të fundit, të gjithë kemi pritur një zgjidhje për absurditetin e situatës në Tokën  Shenjte, por, për fat të keq, nuk ka mbërritur. Organizatat ndërkombëtare nuk janë në gjendje ta ndalojnë numrin në rritje të buletineve të luftës dhe të denoncojnë humbjen e njerëzimit. Bashkësia ndërkombëtare, e cila  joshet pa frikë e pa droje nga egoizmi dhe hipokrizia e individëve, nuk ka përgjegjësi. Bisedimet për paqe lëkunden ndërmjet shpresës dhe zhgënjimit: ata që flasin për armëpushim duhet ta bëjnë këtë me përgjegjësi dhe ndërgjegje, duke menduar për ndalimin e zjarrit - që të parandalohen vuajtjet e mëtejshme për ata, të cilët tashmë kanë vuajtur në teprí. Duhet t’i jepet fund urisë dhe etjes e të ndalen përpjekjet “për ta ngujuar" një popull në një pëllëmbë të tokës së vet!

Një fshat i hapur dhe mikpritës

Taybeh, siç u përmend më sipër, në arabisht do të thotë i mirë. Është fshati i fundit i banuar tërësisht nga të krishterët, ndaj prej tij vjen një mesazh po aq i mirë: unitet dhe paqe për të gjithë banorët e Tokës Shenjte. Të krishterët, pakicë në tokën e Krishtit, prej dy mijë vjetësh vijojnë të përhapin premtimet e Shëlbuesit. Fshati i vogël Taybeh nuk është izoluar; ka mbetur i hapur, mikpritës dhe i bashkuar, me shpresën e bashkëjetesës paqësore në tokën e Princit të Paqes.

16 korrik 2025, 11:19