Të rinjtë shqiptarë në Jubile: dëshmitarë të Krishtit, në vendet ku jetojmë
R.SH. – Vatikan
Jubileu i Rinisë, që kremtohet këto ditë në Romë, ia ka ndryshuar faqen Qytetit të Amshuar. Turistët e zakonshëm ia kanë lënë vendin ushtrisë paqësore të të rinjve dhe të rejave, që kanë ardhur për të kremtuar Vitin Shenjt së bashku me Papën Leoni XIV. Flamujt shumëngjyrësh, bluzat, kapelat dhe shamitë e dioqezave përkatëse mbushin metrotë, rrugët, autobusët dhe baret, së bashku tingujt e zërave rinorë dhe të zhurmës, që rezulton e këndshme edhe për qytetarin më të bezdisur të kryeqytetit italian, sepse e mbushur me energji pozitive. Ndërmjet gjysmë milioni të rinjsh nga 146 vende të botës, edhe shumë shqiptarë, që vijnë me grupe. I pari, i kryesuar nga përgjegjësi kombëtar për Komisionin Rinor të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Angjelin Krygja, ndodhet që nga fillimi i kësaj jave në Romë, ndërsa tjetri, i kryesuar nga kryipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, pas vizitave në San Giovanni Rotondo dhe në Loreto, mbërriti mbrëmë, 30 korrik. Të pranishëm në kryeqytetin italian edhe të rinj shqiptarë nga dioqeza Prizren-Prishtinë e Kosovës dhe nga kryedioqeza e Tivarit në Malin e Zi.
Pikërisht mbrëmë, grupi i parë nga Shqipëria mori pjesë në lutjen e organizuar nga Bashkësia e Taizé-së, në bazilikën e Shën Marisë në Aracoeli, në qendër të kryeqytetit italian. Atje edhe i takuam, duke ua hapur mikrofonin e Radio Vatikanit që të ndajnë me ne dhe me të gjithë dëgjuesit e ndjekësit e emisioneve tona në internet e në Facebook, përvojën e tyre të këtyre ditëve, përshtypjet e pritshmëritë. Të dëgjojmë fillimisht don Angjelin Krygjën…
Të rinjtë shqiptarë, ulur përtokë në meditim e lutje me bashkësinë e Taizé-së, me të cilën Kisha Katolike në Shqipëri është lidhur menjëherë pas rënies së komunizmit, ishin vërtet të shumënumërt, por ne zgjodhëm tre prej tyre, në përfaqësi të emocioneve, që po përjetojnë bashkërisht këtyre ditëve. T’i dëgjojmë, ndërsa prezantohen vetë, një nga një, duke ju kujtuar se dëshminë së tyre të plotë, mund ta ndiqni edhe në …