MAP

Rojtari i ri i Tokës Shenjte, atë Francesco Ielpo dhe vikari i tij, atë Ibrahim Faltas Rojtari i ri i Tokës Shenjte, atë Francesco Ielpo dhe vikari i tij, atë Ibrahim Faltas

Rojtari i ri i Tokës Shenjte mbërriti në Jerusalem

“E jona nuk është vetëm përkujdesje për Vendet e Shenjta, por një prani e gjallë baritore krah të krishterëve të kësaj toke”. Këto, fjalët e françeskanit, Atë Francesco Ielpo, i cili hyri zyrtarisht në Jerusalem në kishën e Shëlbuesit, pas emërimit nga ana e Papës. “Rojtaria”, nënvizon ai, “nuk është thjesht kujdes, por përkushtim, punë e palodhur dhe talente nga më se 300 fretër, që e përbëjnë”

R.SH. – Vatikan

Të hënën pasdite, më 21 korrik, Rojtari i ri i Tokës Shenjte, Atë Francesco Ielpo, hyri solemnisht në kishën e Shëlbuesit në Jerusalem - ngjarje që, së bashku me dorëzimin e vulës nga Rojtari në largim, Atë Francesco Patton, shënon fillimin zyrtar të misionit të tij në Tokën Shenjte. Ndoshta, kjo është koha më e vështirë që ka përjetuar kjo tokë që nga lufta e vitit 1967, nëse jo që nga viti 1948. Në Gazë, gjatë 22 muajve të fundit, kanë humbur jetën 57.000 vetë dhe armëpushimet e trumbetuara ende nuk shihen. Në Cisjordani, sulmet e kolonëve po bëhen më të shpeshta dhe më të dhunshme. Edhe pakica e krishterë po e vuan këtë dhunë, siç mund të kuptohet fare mirë nga sulmet e kolonëve kundër fshatit të krishterë Taibeh e, sidomos, nga bombardimi i famullisë katolike në Gaza të enjten e kaluar, që shkaktoi tre të vdekur dhe dhjetë të plagosur.

Rojtaria mbahet me përkushtimin e më se 300 fretërve

Në një intervistë me mediat e Vatikanit, Atë Ielpo nënvizon se është i vetëdijshëm për këtë kohë shumë të vështirë. Por, “e jona - deklaron ai - nuk është thjesht kujdestari e Vendeve të Shenjta, por prani e gjallë baritore krah të krishterëve të kësaj toke. Falë veprimit të Shpirtit Shenjt, françeskanët kanë arritur, për 800 vjet dhe përmes shumë fatkeqësive, të dëshmojnë praninë e krishterë në tokën e Jezusit”. Rojtari i ri thekson se do të ndjekë rrugën e përvijuar nga paraardhësit. Rojtaria mbahet me përkushtimin, përpjekjet dhe talentet e më se 300 fretërve, që jetojnë në ato vende.

Puna baritore e françeskanëve

 Rojtaria ka natyrë ndërkombëtare, pasi përfshin më se pesëdhjetë kombësi të ndryshme. “Detyra ime – vë në dukje atë Ielpo - është të harmonizoj këtë simfoni thirrjesh dhe talentesh. Pastaj, do të theksoja frymën misionare të françeskanëve, që gjen shprehje jo vetëm në pritjen e shtegtarëve të panumërt, por edhe në drejtimin e famullive, që u janë besuar nga Patriarkati Latin i Jerusalemit (në Jerusalem, Betlehem, Nazaret dhe Jaffa)”. Atë Ielpo përmend 17 shkollat katolike në Izrael dhe Palestinë, që edukojnë për paqen mijëra studentë në vit. Këto shkolla janë pa dyshim vlera e shtuar e punës baritore. Pastaj, veprat bamirëse të krishtera, që synojnë lehtësimin e vuajtjeve të shtresave më të varfra të popullsisë palestineze. E Rojtari i ri i Tokës Shenjte nuk harron të përmendë edhe nismat e rëndësishme në favor të fëmijëve, viktima të luftës, nisur gjatë këtyre muajve nga atë Ibrahim Faltas, vikari i tij.

Vizita e atë Ielpos në Siri e Liban

Gjatë ditëve të kaluara, para hyrjes së tij zyrtare në Jerusalem, Atë Francesco Ielpo vizitoi bashkësitë katolike në Siri dhe Liban, ku françeskanët vlerësohen jashtëzakonisht nga popullsia e jo vetëm nga të krishterët. “Në Siri – shpjegon ai - fretërit më shoqëruan për të takuar Vikarin e Patrikanës Ortodokse dhe, më pas, bariun e Kishës së Shën Elisë në lagjen Dwelah të Damaskut. Më 21 qershor, ajo Kishë u vu në shënjestër nga ekstremistët islamikë, që vranë më se 30 të krishterë dhe plagosën mbi 60 të tjerë. Bariu shpirtëror më tregoi për sulmin dhe për besimtarët, që u vranë: një vajzë e re, viktima e parë, e cila u qëllua në shkallët e Kishës, ndërsa po vinte në meshë me një qiri në dorë; një djalë i ri, që u hodh mbi kamikazen pak para shpërthimit, duke e ndalur atë para se të arrinte te stolat plot me besimtarë e duke sakrifikuar veten për të shpëtuar dhjetëra jetë. Kur fretërit organizuan një meshë të veçantë për vizitën time, mendova se frika do t'i mbante njerëzit larg. Por kisha ishte plot. Identiteti i krishterë lartohet mbi identitetet etnike, ose politike. Edhe në Liban, pashë punën e madhe bamirëse të fretërve gjatë bombardimeve izraelite. U ofruan strehim shumë familjeve të zhvendosura, si në Bejrut, ashtu edhe në jug”.

Trashëgimtarë të një pranie 800-vjeçare

Pikërisht për impenjimin e tyre të madh, Rojtari i ri i Tokës Shenjte nuk u kërkon tjetër gjë fretërve françeskanë, përveçse të jenë fretër të mirë, si ata para tyre, që ruajtën dhe siguruan praninë e krishterë në këto vise për 800 vjet me radhë. Të tregojnë kujdes për të afërmin, gjithmonë, me shikimin e fiksuar te Krishti. “Sot, ashtu si në kohën e Jezusit – vëren, së fundi, atë Francesco Ielpo - valët e detit janë të larta e kërcënuese dhe frika në barkë është e madhe. Por kur dishepujt e shohin Jezusin duke ecur mbi ujë, frika e tyre shuhet. Pjetri përpiqet ta ndjekë, por fillon të fundoset. Pse? Sepse e hoqi vështrimin nga sytë e Jezusit. Ky, për mua, është çelësi. Është qëllimi im personal dhe propozimi, që u bëj fretërve: të qëndrojmë të fortë e pa frikë në stuhitë e kësaj bote, duke i mbajtur sytë të fiksuar te Jezu Krishti”.

22 korrik 2025, 11:31