ÐÓMAPµ¼º½

FILES-DRCONGO-UNREST-ATTACK

RD e Kongos, masakër në një kishë katolike në Komanda

Më se dyzet vetë u vranë në sulmin e 27 korrikut, kryer nga anëtarë të milicisë së Forcave Demokratike Aleate (ADF), ish-rebelë ugandianë. Besimtarët e mbledhur për t'u lutur u mbytën me hanxharë e armë zjarri, sipas burimeve lokale për AFP. Gjatë viteve ADF ka qenë përgjegjëse për disa masakra të civilëve, duke vrarë me mijëra

R.SH. - Vatikan

Rebelët, të mbështetur nga Shteti Islamik, sulmuan brutalisht një kishë në Kongon lindore. Ishte ora 1.00 e mëngjesit të 27 korrikut, kur anëtarët e Forcave Demokratike Aleate (ADF) sulmuan kishën në Komanda e vranë rreth dyzet vetë.

Sulme me hanxharë dhe armë zjarri

Një stacion radiofonik i mbështetur nga OKB-ja, duke cituar burime nga forcat e rendit, foli për 43 viktima. Kujtoi se sulmuesit erdhën nga një fortesë rreth 12 kilometra nga qendra e Komandës dhe ikën para se të mbërrinin forcat e sigurisë, e pasi kishin djegur disa shtëpi e dyqane. Ndërsa kërkimi për të vdekurit dhe të plagosurit e përfshirë në sulm vazhdon. Togeri Jules Ngongo, zëdhënës i Ushtrisë së Republikës Demokratike të Kongos në Ituri, njoftoi agjencinë e lajmeve AFP se në zonë kishin hyrë burra të armatosur me hanxharë dhe armë zjarri

Edhe një tjetër sulm vrasës kundër civilëve

ADF vepron në zonën kufitare ndërmjet Ugandës dhe Kongos, ku ka kryer rregullisht sulme kundër popullsisë civile, duke vrarë mijëra njerëz. Dy javë më parë u vranë 66 persona në zonën Irumu. Prijësi Jamil Mukulu, i krishterë që u kthye në Islam, iku në Kenia; mbërriti Yusuf Kabanda, që u bashkua me grupin laik rebel ugandian të Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Ugandës (NALU).

Armiku i përbashkët është Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni. Pas humbjes së aleatit të tyre Nalu, në vitin 2000, grupi u radikalizua dhe u bë gjithnjë e më agresiv ndaj popullatave lokale. Kujtojmë edhe sulmin e fillimit të vitit të kaluar në Baeti, po në pjesën lindore të vendit, ku të paktën u vranë tetë vetë, pesë prej tyre ndërsa luteshin. Autorët ishin rishtas rebelë të ADF, të lidhur me ISIS.

Në atë rast, mbi tridhjetë vetë u morën peng nga sulmuesit, të cilët bastisën disa nga fshatrat përreth.

28 korrik 2025, 08:54