MAP

Më 26 korrik, festa e Shën Prendës

Me rastin e festës liturgjike të Shën Prendës, virgjër e martire, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, do të kremtojë në Gallatë, në orën 10.00, meshën në Kishën kushtuar kësaj shenjtjeje të shekujve të parë të krishtërimit

R.SH. - Vatikan

Nesër, me rastin e festës liturgjike të Shën Prendës, virgjër e martire, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, do të kremtojë në Gallatë, në orën 10.00, meshën në Kishën kushtuar kësaj shenjtjeje të shekujve të parë të krishtërimit. Siç njofton vetë kryedioqeza e Tiranë-Durrësit në rrjetet sociale, dioqeza italiane e Acireale-s, në Siçili, i ka dhuruar kësaj Kishe një relike të rëndësishme të shenjtes, një fragment nga eshtrat e saj, që Kisha e quan “relike të shkallës së parë”. Të tilla janë të gjitha ato relike, që vijnë nga pjesë të trupit të shenjtorëve.

Relikja e Shën Prendës
Relikja e Shën Prendës   (archidiocesi di Tirana)

Shën Prenda, që njihet edhe me emrat Parashqevi, Venera e Veneranda, u martirizua në vitet e para të krishtërimit. Jeta dhe vdekja e saj përshkruhet në disa versione, por në Acireale, në provincën e Katanies, pohohet se ajo ka lindur pikërisht aty e aty është edhe vrarë më 26 korrik 143 e varrosur nga i krishteri Antimo, me 14 nëntor.

25 korrik 2025, 15:22