Patriarku kaldeas: "Të shpëtohen varrezat historike të krishtera të Naxhafit"
R.SH. – Vatikan
Në përpjekjen për të mbrojtur trashëgiminë e brishtë të krishterë të Irakut, Patriarku kaldeas i Bagdadit i bën thirrje urgjente kryeministrit Mohammed Shia al-Sudani për të ndalur atë, që ai e quan "përpjekje për të shkatërruar varrezat historike të krishtera" në provincën e Naxhafit. Në vend të tyre, denoncon kardinali Louis Raphael Sako në një reflektim të botuar në faqen e internetit të Patriarkatit, autoritetet lokale duan të përkrahin planet e zhvillimit tregtar, që do të fshinin nga faqja e dheut një dëshmi të vlefshme historike.
Sipas primatit të Kishës Kaldease, "burime të besueshme në Naxhaf" - qytet 160 km në jug të kryeqytetit – kanë dhënë alarmin lidhur me "përpjekjet për t’ua kaluar kontrollin e varrezave historike të krishtera" investitorëve dhe sipërmarrësve, për projekte ndërtimi. Për këtë arsye, kardinali ka marrë iniciativën të kontaktojë drejtpërdrejt kryeministrin për të bllokuar shpronësimin dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e pranisë së krishterë në zonë.
Ruajtja e vendeve të shenjta të krishtera, interes kombëtar
Sipas notës, kardinali Sako i bën thirrje al-Sudanit të "ndërhyjë dhe të ndalojë shkeljen e vendeve të shenjta të krishtera", konkretisht, "varrezat e Manathirës" dhe "varrezat Umm Kheshm për Manathirën e krishterë", që janë më në rrezik. "Këto vende historike", shkruan kardinali, "duhet të mbikëqyren dhe të rrethohen. Gjithashtu, ato nuk duhet t'u nënshtrohen planeve për investime private, të cilat do t'i fshinin ato plotësisht nga faqja e dheut".
Duke e inkuadruar thirrjen në kornizën e interesave kombëtare, kardinali argumenton se këto zona kanë një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe ekonomike, e cila i kalon kufijtë e bashkësisë së krishterë, për t’u shtrirë mbi gjithë popullsinë irakiane, përfshirë myslimanët. Kardinali Sako vë në dukje se historia e larmishme e Irakut daton shumë kohë para epokës islame e përfshin "akadët, sumerët, kaldeasit, babilonasit, asirët, arabët, persianët, të krishterët dhe së fundmi myslimanët".
Mbështetja vetëm në të ardhurat nga nafta është e paqëndrueshme
Primati kaldeas kujton më pas se ruajtja dhe promovimi i këtyre vendeve, në fund të fundit, do t’i bënte mirë edhe ekonomisë së vendit. "Këto zona arkeologjike, së bashku me faltoret shiite të Naxhafit dhe Qerbelasë, janë vende shtegtimi në të cilat mund të investohet si duhet që, në një plan afatgjatë, të bëhen destinacione turistike dhe fetare", vëren kardinali Sako. Ai paralajmëron më tej autoritetet se "mbështetja vetëm në të ardhurat nga nafta është e paqëndrueshme, pasi një ditë nafta do të mbarojë".
Kjo thirrje mbërrin në mesin e një krize ekzistenciale për një nga bashkësitë më të vjetra të krishtera në botë, që tani po përjeton persekutim, dhunë, abuzim dhe shkelje në shumë zona, duke nxitur eksodin dhe duke e privuar rajonin nga një prani e rëndësishme. Para ndërhyrjes amerikane të vitit 2003, Iraku kishte afërsisht 1,5 milion të krishterë; megjithatë, dekada konflikti, paqëndrueshmërie dhe persekutimi kanë bërë që ky numër të bjerë në më pak se 200.000 sot.
Qindra mijëra njerëz detyrohen të ikin
Fushata genocide e vitit 2014 e Shtetit Islamik (ISIS) kundër të krishterëve dhe bashkësive të tjera fetare në Pllajën e Ninives dhe në Irakun verior - si edhe në Sirinë fqinje - shënoi një kthesë katastrofike. Qindra mijëra njerëz u detyruan të iknin, kishat dhe manastiret e lashta u përdhosën, ose u shkatërruan dhe një ndjenjë e thellë frike u ngul në kujtesën kolektive të bashkësisë. Pas disfatës ushtarake të ISIS-it, kriza vazhdoi, ashtu si edhe eksodi. Për më tepër, të krishterët (e paktë) që u kthyen, u përballën me një sërë pengesash të reja, përfshirë sigurinë e paktë, ndryshimet demografike në qytetet e tyre historike dhe problemin sistemik të sekuestrimit të pronave.
Përpjekja për të zhvilluar projekte ndërtimi në varrezat historike të Naxhafit shihet si shembull tjetër i kësaj "zhdukjeje të ngadaltë" të pranisë së tyre fizike dhe kulturore nga peizazhi irakian. Patriarku shtoi se kjo trashëgimi e krishterë u pasurua edhe nga poetë të famshëm arabë të krishterë si Imru' al-Qais dhe al-Nabigha al-Dhubyani, të cilët luajtën një rol themelor në plazmimin e letërsisë arabe.
Arkeologjia, arti dhe letërsia, "ari i zi" i vërtetë i Irakut
Arkeologjia, arti dhe letërsia përbëjnë një trashëgimi me vlerë të madhe ekonomike, historike dhe kulturore, janë "ari i zi" i vërtetë i Irakut, siç ka deklaruar më parë vetë Primati kaldeas. Që nga koha kur ishte kryeipeshkëv i Kirkukut, kardinali Sako ka denoncuar vazhdimisht rrezikun, që rëndon mbi këtë "pasuri universale", e cila duhet mbrojtur nga vjedhja, trafikimi i paligjshëm e, madje, edhe nga ndryshimet klimatike, sepse ajo - e vetme - vlen "më shumë se nafta". Kjo është detyrë për të gjithë irakianët, jo vetëm për të krishterët, siç theksoi Patriarku në vitin 2016, gjatë "Konferencës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Zonat e Përfshira nga Konflikti" në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.