MAP

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-WEST BANK-SETTLEMENTS-RELIGION-CHRIS

Gaza, Pizzaballa: nuk do t’i lëmë kurrë vetëm njerëzit tanë

Patriarku Latin i Jerusalemit konfirmon bilancin e viktimave të sulmit izraelit kundër famullisë së Familjes Shenjte, gjatë të cilit u plagos edhe famullitari, atë Gabriel Romanelli. “Asgjë s’mund ta justifikojë sulmin kundër civilëve të pambrojtur”, shkruhet në një notë të Patriarkatit

R.SH. – Vatikan

Një një komunikatë të mesditës së sotme, Patriarkati Latin i Jerusalemit konfirmoi se sulmi i forcave izraelite kundër kishës së Familjes Shenjte në Gazë ka shkaktuar vdekjen e dy personave. “Lutemi që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe dhe që kjo luftë barbare të marrë fund. Asgjë s’mund ta justifikojë sulmin kundër civilëve të pambrojtur”, shkruhet në notë.

Vetë Patriarku, kardinali Pierbattista Pizzaballa, duke folur për mediat e Vatikanit, sqaron se izraelitët kanë deklaruar që predha kundër famullisë katolike “ishte gabim nga një tank i tyre, por e goditi drejtpërdrejt kishën".

Histori që përsëritet

Nuk është hera e parë që goditet kisha katolike në Gaza. Natën e 16 dhjetorit 2023, një tjetër episod dramatik pati për protagoniste të njëjtën famulli të Familjes Shenjte, në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës: bomba të shumta izraelite ranë mbi gjithë kompleksin, duke dëmtuar kishën, ambientet e Motrave të Nënë Terezës dhe panelet diellore, që furnizonin ndërtesën me energji. Gjatë sulmit, dy gra - një nënë e moshuar dhe vajza e saj - dolën për të shkuar në tualet dhe u vranë me breshëri automatiku nga snajperët. Punonjësit e ndihmës së shpejtë, që erdhën me atë rast, e përshkruanin gjendjen brenda kompleksit, ku strehoheshin rreth 700 të shpërngulur, si "panik të përgjithshëm". Famullitari, atë Gabriel Romanelli, me origjinë nga Argjentina, pati konfirmuar se fragmente bombash patën rënë në disa zona të kompleksit, por, për fat të mirë, asnjë nga refugjatët nuk u plagos.

Nuk do t’i lëmë kurrë vetëm

Lidhjet me Gazën dhe famullinë janë aktualisht shumë të vështira, konfirmon kardinali Pizzaballa, i cili thekson vendosmërinë për të mbrojtur palestinezët në Rripin e Gazës: "Ne përpiqemi gjithmonë të arrijmë në Gazë me çdo mënyrë të mundshme, drejtpërdrejt e tërthorazi. Është tepër shpejt për të folur tani; duhet kuptuar çfarë ndodhi, çfarë duhet bërë, veçanërisht për të mbrojtur njerëzit tanë. Natyrisht, duhet të sigurohemi që këto gjëra të mos ndodhin më dhe, pastaj, do të shohim si mund të vijojmë, por sigurisht që nuk do t’i lëmë kurrë vetëm".

17 korrik 2025, 14:07