ÐÓMAPµ¼º½

Faltas: kryqi i Gazës mbeti i fuqishëm e i patundur

Reflektim i Famullitarit të Kujdestarisë së Tokës Shenjte mbi kuptimin e Kryqit dhe praninë e rëndësishme të të krishterëve në Gaza, simbol solidariteti dhe ndarjeje të përbashkët me popullsinë, që vuan për shkak të luftës.

R.SH. / Vatikan

Kryqi prej guri të bardhë, i vendosur në Kishën Latine të Gazës, i paprekur, i fortë, i palëkundur, ruan një bashkësi që vuan e frigohet. Ishte mendimi im i parë, kur pashë fasadën e Kishës famullitare të Gazës të goditur nga një raketë.

Kryqi nuk është thjesht simbol; për ne të krishterët, është shenjë e pashlyeshme, shenjë e përkatësisë ndaj Krishtit, kartë e identitetit të Kishës universale. Gjatë viteve, Kryqi i famullisë së Gazës mirëpriti gazet e helmet e besimtarëve të devoçëm e të bashkuar. Pas 7 tetorit 2023,  mirëpriti edhe vuajtjet e tyre, druajtjet, shpresat. Që nga orët e para të asaj të shtune tragjike, dyert e kishës, të shkollës dhe të ambienteve të famullisë u hapën për të pritur më shumë se gjashtëqind vetë.

Me frymë vëllazërore, meshtarët dhe motrat rregulltare ndanë çka kishin e i ngushëlluan, në ato kohë të dëshpëruara, të gjithë ata njerëz që kishin nevojë për shpresë, duke lehtësuar edhe zemrat e fëmijëve të tmerruar. Herët në mëngjesin e së enjtes, 17 korrik, e gjithë bashkësia famullitare e Gazës u zgjua nga zhurma shurdhuese, tani e mirënjohur, e një bombardimi aty pranë: një raketë ishte drejtuar tashmë drejt tyre, ndërsa shumica nuk pati kohë të strehohej. Tre vetë vdiqën. Dhjetë u plagosën. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Jeta e njërit, të riut Suheil, është në rrezik...

Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV lutet për ta dhe shpreh afërsinë e tij atërore me të gjithë bashkësinë famullitare. Meshtari i dashur i famullisë, Atë Gabriel Romanelli, pësoi lëndime të lehta por, pavarësisht frikës dhe dhimbjeve, rifilloi menjëherë misionin e tij si atë e bari, duke qetësuar fëmijët e të moshuarit, duke ngushëlluar të plagosurit e duke u shqetësuar thellësisht  për ata që ishin më rëndë.

Kushtet e 53 banorëve me aftësi të kufizuara të famullisë janë gjithashtu shqetësuese: përveç mungesës së ilaçeve dhe kujdesit të specializuar, nuk funksionojnë as pajisjet mjekësore e as respiratorët, të cilët u dëmtuan nga shpërthimi. Famullia ka qenë strehë e sigurt dhe mikpritëse për më shumë se njëzet e një muaj, kur bashkësia e saj inkurajohej me dashuri nga telefonatat e mbrëmjes të Papës Françesku, i cili e njihte çdo anëtar të familjes së madhe të krishterë të Gazës.

Famullitari, Atë Gabrieli, ndihmësi i tij, Atë Yousefi, Motra Nabila së pari, e më vonë edhe murgeshat e tjera, janë gjithnjë, me shumë dashuri, pranë besimtarëve të zhvendosur, që kanë nevoja materiale dhe shpirtërore. Pas sulmit, e ngushëllojnë dhe e mbështesin të gjithë familjen e famullisë së Gazës, që i konsideron tre të ndjerët si anëtarët e vet, me të cilët ndau një kohë të gjatë e të dhimbshme të jetës së tyre. Kisha e Gazës, e indinjuar nga dhuna, mirëpret lutjet për paqen dhe kërkon kthim në jetë, në siguri, në dinjitet. Mbi famullinë vigjëlon një kryq guri i bardhë, me vija të pastra, që ruan... I bardhë,  mbrojtës i jetës, i pastër si paqja!

 

19 korrik 2025, 10:01