ÐÓMAPµ¼º½

2025.07.19 Comece - mons. Crociata e mons. Barrios Prieto al cimitero di Leopoli

Comece, imzot Crociata: dialogu dhe diplomacia janë të vetmet rrugë drejt paqes në Ukrainë

Duke u kthyer nga një mision zyrtar në Lviv, ipeshkvi-kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian flet për një popull të tronditur, por që nuk e ka humbur shpresën: "Nuk janë shkurajuar a demoralizuar. Për të qenë protagonist në procesin e paqes, Bashkimi Evropian duhet të rizbulojë unitetin e tij të humbur"

R.SH. – Vatikan

"Ishte takim me një popull të gjallë, që dëshiron të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht nga lufta dhe vuajtjet". Flet plot emocion imzot Mariano Crociata, në bisedë me mediat e Vatikanit. Kur ipeshkvi i Latina-Terracina-Sezze-Priverno bën bilancin e misionit zyrtar, që ndërmori në qytetin ukrainas të Lvivit, nga 16 deri më 18 korrik, si kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), zëri i dridhet, ndërsa përshkruan gjithçka me hollësi.

Ngjarje prekëse

Ndodh pikërisht kur prelati rikthehet në kujtimet e tij dhe tregon një ngjarje, që nuk ishte planifikuar në axhendën e ngjeshur të delegacionit, ku merrnin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i COMECE-s, atë Manuel Barrios Pietro dhe Këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë, Marek MiÅ¡ák: "Në Kishën greko-katolike të Shën Pjetrit e të Shën Palit morëm pjesë në funeralin e një ushtari të vrarë në luftime. Ishte diçka tejet prekëse. Më bëri përshtypje veçanërisht ndjenja e pjesëmarrjes intime nga njerëz kaq të ndryshëm; u preka kur pashë shumë prej tyre të gjunjëzoheshin në rrugë".

Solidariteti, qëllimi kryesor

Misioni i COMECE-s kishte si qëllim kryesor të çonte një shenjë të dukshme dhe konkrete solidariteti nga ana e ipeshkvijve evropianë për një popullsi që, sipas imzot Crociata-s, "nuk është shkurajuar e as demoralizuar, por, me këmbëngulje, dëshiron të ecë përpara me jetën e saj".

Takime kuptimplote

Takimet me anëtarë të Kishës greko-katolike dhe të Kishës latine, me organizata solidariteti, që mbështesin dhe ndihmojnë viktimat e konfliktit, si edhe me drejtues të Universitetit Katolik lokal karakterizuan axhendën e delegacionit. U shfrytëzua rasti edhe për të diskutuar mbi rolin, që mund të luajë ekumenizmi në të ardhmen e afërt të vendit. "Në këtë drejtim", shpjegon kryetari i COMECE-s, "Kishat po bëjnë përpjekje të shumta. E para ka të bëjë me afërsinë dhe ndihmën ndaj viktimave. Vizituam një qendër për veteranët, ku dëgjuam dëshmi, që ta thyejnë zemrën. Fusha e dytë e veprimit është kujdesi i rregullt baritor. Së fundi, përpjekja për dialog ekumenik, bazuar mbi paqen, e cila sot luan një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm për vetë Kishat, por edhe për shoqërinë në tërësi".

Uniteti i Evropës

Qëllimi i këtij misioni ishte edhe një tjetër, më politik: t'i përsëriste Bashkimit Evropian nevojën për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në udhëtimin e saj të gjatë të rindërtimit dhe të pajtimit. Kryeipeshkvi Crociata është i qartë: "Në përputhje të plotë me Papën Leoni XIV, lutja jonë është të inkurajohet kërkimi i kanaleve diplomatike për pika takimi. Në këtë kuptim, mirëpresim të gjitha përpjekjet diplomatike, që u japin mundësinë palëve në konflikt të ulen në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, për të ndikuar në këtë proces, Bashkimi Evropian duhet absolutisht të rizbulojë unitetin e tij të humbur".

21 korrik 2025, 12:22