MAP

Trinia Shenjte Trinia Shenjte

Të meditojmë me Ungjillin e festës së Trinisë Shenjte: Shpirti Shenjt do t’jua zbulojë

Ti, o Jezus, na zbulove/fytyrën e Atit tënd, /butësinë, mëshirën, /dashurinë e Tij, që nuk ka kufi. /..Përmes teje, o Jezus, hyjmë/në atë mister të jetës, /të unitetit e të dashurisë, /që na bashkon me Atin e me Shpirtin. /Përmes teje, o Jezus, largohemi nga pushteti i së keqes/e dalim në një oqean pa fund/ begatie e paqeje.

R.SH. - Vatikan

E Diela e Trinisë Shenjte na bën të mendojmë për misterin e Zotit, si Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë. Ky mister na zbulohet për Pashkë, kur Jezu Krishti jep jetën për hir të dashurisë për njerëzit, por nuk jemi në gjendje ta kuptojmë pa ndihmën e Shpirtit Shenjt. Çdo i krishterë është i thirrur të dorëzohet para dashurisë e para Shpirtit të Krishtit të kryqëzuar e të ringjallur. Solemniteti i kësaj së diele është rast i mirë për ta marrë këtë vendim. Të ndjekim Ungjillin sipas Gjonit (16, 12-15)…

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai - Shpirti i së Vërtetës - Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’”.

Të lutemi së bashku

Ti, o Jezus, na zbulove

fytyrën e Atit tënd,

butësinë, mëshirën,

dashurinë e Tij, që nuk ka kufi.

Ti na mësove

të kemi besim në Të,

sepse, sigurisht që nuk do të na braktisë

në duart e vdekjes,

megjithëse nuk na lë pa sprova.

Ti na dëshmove

ç’do të thotë të bësh vullnetin e Tij,

të pranosh planin e Tij të shëlbimit.

 

Ti, o Jezus, pas ringjalljes

na dhurove Shpirtin Shenjt

që të bëhej për ne Ngushëllues,

Udhëheqje e sigurt, Zjarr shpirtëror,

Ujë që shuan etjen, Forcë e pashterrshme.

Pa Shpirtin nuk jemi në gjendje

ta dallojmë të mirën nga e keqja,

pa Shpirtin nuk jemi të aftë

të jetojmë sipas Ungjillit tënd,

të ndërtojmë një botë të re

me drejtësi e vëllazërim.

 

Përmes teje, o Jezus, hyjmë

në atë mister të jetës,

të unitetit e të dashurisë,

që na bashkon me Atin e me Shpirtin.

Përmes teje, o Jezus, largohemi nga pushteti i së keqes

e dalim në një oqean pa fund

begatie e paqeje.

14 qershor 2025, 09:43