MAP

2024.06.01 la festa del corpus christi

Të meditojmë me Ungjillin e festës së Korpit e Gjaku të Krishtit

Ti, o Jezus, je Buka jonë:/Bukë e thyer për jetën e botës, /Bukë e ofruar me flijimin në kryq, / Bukë e dhuruar për të gjithë të varfërit e tokës, /për ata që të luten, për ata që të kërkojnë, / për ata, që Ty të duan/me gjithë zemër e me gjithë shpirt. /Je Ti, o Jezus, Buka që na e shuan/ urinë tonë më të madhe, sepse na jep amshimin.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike kremton sot Korpin e Gjakun e Krishtit, të cilin kalendari, pavarësisht se e parashikonte për të enjten e kaluar (dita e festës në Vatikan), e shtyn për të dielën më të afërt, për t’u dhënë mundësinë besimtarëve të marrin pjesë në procesionin tradicional e në meshë. Ungjilli i kësaj së diele, marrë nga kreu 9 i shën Lukës (11-17), duke na treguar për mrekullinë e shumëzimit të bukëve e të peshqve nga Jezu Krishti, na mëson se Ai është buka e thyer dhe e dhuruar për shpëtimin e gjithë njerëzve, kthyer në ushqim eukaristik për të na mbështetur në jetën tonë shpirtërore. Të ndjekim Ungjillin…

Në atë kohë Jezusi predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të dymbëdhjetët dhe i thanë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës, të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.” “Jepni ju të hanë!” – u tha ai. Ata iu përgjigjën: “Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” E ishin rreth pesë mijë burra.

Atëherë u tha nxënësve të vet: “Vëni të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!” Bënë ashtu: i ulën të gjithë. Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. Hëngrën të gjithë dhe u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.

Të lutemi së bashku

Në shkretëtirat e jetës, o Jezus,

ecim me vështirësi e,

hap pas hapi, e provojmë

se nuk është e lehtë ta vijojmë rrugën,

mes armiqësive e keqkuptimeve,

mes konflikteve e paragjykimeve.

 

Në shkretëtirat e jetës, o Jezus,

bëhemi çdo ditë të vetëdijshëm

për brishtësinë tonë:

shpesh lëkundemi e biem,

e nuk arrijmë të ngrihemi

për t’u vënë sërish për udhë.

 

Ndihemi të rraskapitur,

na mungojnë forcat dhe energjitë

për t’i përmbushur detyrat,

misionin, që na ke besuar.

Po, është e vërtetë, kemi në duar

shumë, tepër pak:

me pesë bukë e dy peshq,

me çka arrijmë të gjejmë,

me forcat tona, ku mund të shkojmë vallë?

 

Por Ti, o Jezus, je Buka jonë:

Bukë e thyer për jetën e botës,

Bukë e ofruar me flijimin në kryq,

Bukë e dhuruar për të gjithë të varfërit e tokës,

për ata që të luten, për ata që të kërkojnë,

për ata, që Ty të duan

me gjithë zemër e me gjithë shpirt.

Je Ti, o Jezus, Buka që na e shuan

urinë tonë më të madhe, sepse na jep amshimin.

21 qershor 2025, 09:13