T? meditojm? me Ungjillin e fest?s s? Korpit e Gjaku t? Krishtit
R.SH. - Vatikan
Kisha Katolike kremton sot Korpin e Gjakun e Krishtit, të cilin kalendari, pavarësisht se e parashikonte për të enjten e kaluar (dita e festës në Vatikan), e shtyn për të dielën më të afërt, për t’u dhënë mundësinë besimtarëve të marrin pjesë në procesionin tradicional e në meshë. Ungjilli i kësaj së diele, marrë nga kreu 9 i shën Lukës (11-17), duke na treguar për mrekullinë e shumëzimit të bukëve e të peshqve nga Jezu Krishti, na mëson se Ai është buka e thyer dhe e dhuruar për shpëtimin e gjithë njerëzve, kthyer në ushqim eukaristik për të na mbështetur në jetën tonë shpirtërore. Të ndjekim Ungjillin…
Në atë kohë Jezusi predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të dymbëdhjetët dhe i thanë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës, të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.” “Jepni ju të hanë!” – u tha ai. Ata iu përgjigjën: “Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” E ishin rreth pesë mijë burra.
Atëherë u tha nxënësve të vet: “Vëni të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!” Bënë ashtu: i ulën të gjithë. Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. Hëngrën të gjithë dhe u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.
Të lutemi së bashku
Në shkretëtirat e jetës, o Jezus,
ecim me vështirësi e,
hap pas hapi, e provojmë
se nuk është e lehtë ta vijojmë rrugën,
mes armiqësive e keqkuptimeve,
mes konflikteve e paragjykimeve.
Në shkretëtirat e jetës, o Jezus,
bëhemi çdo ditë të vetëdijshëm
për brishtësinë tonë:
shpesh lëkundemi e biem,
e nuk arrijmë të ngrihemi
për t’u vënë sërish për udhë.
Ndihemi të rraskapitur,
na mungojnë forcat dhe energjitë
për t’i përmbushur detyrat,
misionin, që na ke besuar.
Po, është e vërtetë, kemi në duar
shumë, tepër pak:
me pesë bukë e dy peshq,
me çka arrijmë të gjejmë,
me forcat tona, ku mund të shkojmë vallë?
Por Ti, o Jezus, je Buka jonë:
Bukë e thyer për jetën e botës,
Bukë e ofruar me flijimin në kryq,
Bukë e dhuruar për të gjithë të varfërit e tokës,
për ata që të luten, për ata që të kërkojnë,
për ata, që Ty të duan
me gjithë zemër e me gjithë shpirt.
Je Ti, o Jezus, Buka që na e shuan
urinë tonë më të madhe, sepse na jep amshimin.