MAP

2023.06.29 Solennità dei Santi Apostoli Pietro e Paolo â   Santa Messa

Të meditojmë me Ungjillin e solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit

Ti i takove, o Jezus, në çaste shumë të ndryshme:/ Pjetrin, në fillim të misionit tënd publik, /Palin, pas ringjalljes, në udhën, që çon në Damask.../Ti i thirre, o Jezus/ për të realizuar planin tënd të dashurisë:/Ti u kërkove, o Jezus, të jenë dëshmitarët e tu:/me fjalë e me vepra,/me gjithçka kishin e ishin, pavarësisht nga rolet e ndryshme,/me dashuri e pasion, derisa dhanë jetën për ty,/ derisa derdhën edhe gjakun./I bëre ata/Dy shtylla të Kishës tënde,/pikë referimi për fenë e dishepujve

R.SH. – Vatikan

Këtë vit festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit bie të dielën, solemnitet i dyfishtë për Kishën Katolike. Pali u lirua nga goja e luanëve, Pjetri nga burgu, por më pas të dy pësuan martirizim, me besim të madh në ringjalljen e premtuar nga Krishti. Jo shumë e dinë se kokat e tyre ruhen së bashku mbi altarin kryesor të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, që është selia zyrtare e Papës, i cili është para së gjithash Ipeshkvi i Romës. Ndërsa trupat e tyre janë njëri në Shën Pjetër, pikërisht nën altarin e Berninit, dhe tjetri në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në një sarkofag.

Në Ungjillin e sotëm shohim se Simoni quhet Pjetër nga Krishti, i cili e bën shkëmbin mbi të cilin do të ngrihej Kisha, pikërisht se i dëshmoi bindje dhe e kuptoi se kush ishte. Ndërsa Pali, pasi i kishte persekutuar të krishterët, u kthye nga Krishti në udhën e Damaskut dhe diti të punonte për Ungjillin si apostull i vërtetë. Ashtu si Pjetri e Pali, edhe ne sot jemi të thirrur t'i përgjigjemi pyetjes së Jezu Krishtit: "Ju, kush thoni se jam unë?" Kështu, edhe sot, na zbulon identitetin e Hyjit, Atit tonë, që na do edhe kur nuk e meritojmë, sepse dashuria e tij nuk kushtëzohet nga të metat tona. Këtë na dëshmuan Pjetri, i cili e mohoi Krishtin, dhe Pali, i cili e persekutoi atë. Të ndjekim pjesën ungjillore nga Mateu:

Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.” “Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?” Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Fjala e Zotit.

Të lutemi së bashku

Ti i takove, o Jezus, në çaste shumë të ndryshme:

Pjetrin, pikërisht në fillim të misionit tënd publik,

ndërsa ishte i zënë duke hedhur rrjetat

sepse ishte peshkatar;

Palin, pas ringjalljes,

në udhën, që çon në Damask,

ndërsa shkonte për të kërkuar të krishterë

që do t’i gjykonte e do t’i dënonte.

 

Ti i thirre, o Jezus

për të realizuar planin tënd të dashurisë:

Pjetrin, të parin e apostujve, me hovin e tij të fesë,

por edhe më frikën e tij

që do ta çonte deri në mohimin tënd;

Palin, persekutuesin e kthyer,

me përgatitjen e tij tejet të madhe

dhe me vendosmërinë para sprovave.

 

Ti u kërkove, o Jezus, të jenë dëshmitarët e tu:

me fjalë e me vepra,

me gjithçka kishin e ishin, pavarësisht nga rolet e ndryshme,

me dashuri e pasion, derisa dhanë jetën për ty,

derisa derdhën edhe gjakun.

 

Kështu, i bëre ata

Dy shtylla të Kishës tënde,

pikë referimi për fenë

e dishepujve të tu, shembull i asaj dashurie

që e shndërron çdo ekzistencë

28 qershor 2025, 11:02