ÐÓMAPµ¼º½

Siri, 20 të vdekur nga atentati vetëvrasës në një Kishë të Damaskut

Atentat dje në Damask ndaj Kishës ortodokse greke të Shën Elisë. Sulmi, i marrë përsipër nga ISIS, shkaktoi të paktën 20 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur, shumë prej të cilëve janë në gjendje kritike. Dënimi i atentatit nga Vikariati Apostolik Latin i Halepit (Haleb) , imzot Jallouf: "një sulm kundër të krishterëve, kundër gjithë Sirisë, popullit të saj"

R.SH. / Vatikan

Një atentator vetëvrasës u hodh në erë në Kishën e Shën Elisë, në Damask. Lajmin e japin mediat siriane, që shpjegojnë se kamikazia kishte një rrip, që e shpërtheu në mes të besimtarëve brenda Kishës, në lagjen Dwelaa, ndërsa Mesha ishte në kremtim e sipër. Një dëshmitar okular pohoi, në një video që qarkullon në internet, se atentatori hyri dhe filloi të qëllonte mbi njerëzit e pranishëm, para se ta shpërthente jelekun vdekjeprurës që kishte veshur. Sulmi, i marrë përsipër nga ISIS, shkaktoi të paktën 20 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur, shumë prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Pamjet brenda kishës, publikuar nga mediat lokale, janë skena shkatërrimi,  pellgje gjaku si dhe pamje të shpëtimtarëve, që zhvendosin njerëzit nga vendi i shpërthimit. Vrojtuesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, pohon se 60 vetë u plagosën ose u vranë, por numri i saktë nuk është ende i qartë. Disa media lokale njoftuan se, ndërmjet viktimave, kishte edhe fëmijë!

23 qershor 2025, 10:42