MAP

2025.06.05 Meeting portavoce CCEE

"Si të komunikojmë shpresën në Evropën e sotme?"

Në Pragë, Takimi i përgjegjësve për shtypin dhe i zëdhënësve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Për Shqipërinë, mori pjesë dom Mark Pashkja

R.SH. – Vatikan

         Nga 3 deri më 5 qershor 2025, kryedioqeza e Pragës priti një takim të zëdhënësve të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, mbledhur në kryeqytetin e Republikës Çeke nga pothuajse tridhjetë vende. Tema e seminarit, organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) së bashku me Konferencën e Ipeshkvijve Çekë, ishte "Komunikimi i Shpresës në Evropën e Sotme". Nga Shqipëria, mori pjesë zëdhënësi i ipeshkvijve, dom Mark Pashkja.

         Takimi u hap me një referat të prof. Daniel Arasa, Dekan i Fakultetit të Komunikimit Institucional në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë, mbi temën “Shërbimi i komunikuesve kishtarë për Kishën në kontekstin aktual”. Ai foli për sfidat me të cilat duhet të përballen shoqëria dhe Kisha sot, veçanërisht për ndikimin e teknologjisë dixhitale dhe krizën e besimit në institucione. Për t'iu përgjigjur këtyre sfidave, ai propozoi tre pika që mund të orientojnë ndryshimin. Së pari, foli për të ashtuquajturin “ripyllëzim kulturor”, që do të thotë se komunikatori kishtar duhet jo vetëm të informojë për veprimtaritë e Kishës, por edhe të mbushë boshllëkun për njohuritë fetare, që është krijuar nga shekullarizimi i shoqërisë. Ai nxiti të përdoret më shumë krijimtaria e të flitet për argumente, që zgjojnë interes jo vetëm për formën, por sidomos për përmbajtjen.

         Në sesionin e dytë, zëvendësdrejtori editorial i mediave të Vatikanit, Alessandro Gisotti, u përqendrua në temën “Komunikimi nga Papa Françesku te Papa Leoni”, duke nënvizuar disa pika të përbashkëta për dy Papët. Ndër to, përparësia që i jepet dëgjimit në komunikim, nevoja për t’ua shpallur Ungjillin të gjithëve dhe sinodaliteti edhe në mënyrën e komunikimit. Në veçanti, ai theksoi mendimin dhe përshpirtërinë augustiniane si çelës për të kuptuar vizionin e komunikimit të Robert Francis Prevost.

         Sesioni i fundit trajtoi temën: “Gazetarët dhe Komunikimi i Vatikanit” me ndihmën e dy folësve: Z. Javier Martínez-Brocal, korrespondent i Vatikanit për të përditshmen spanjolle ABC dhe Z. Josef Pazderka, kryeredaktor i Český rozhlas Plus, radios shtetërore çeke. Pjesëmarrësit në takim patën mundësinë të diskutonin së bashku çështje të tjera dhe të shkëmbenin përvojat. Programi përfshiu çaste kulturore dhe kremtimin e meshëve. Takimi i radhës i përgjegjësve kombëtarë të komunikimit kishtar është planifikuar për 5-7 maj 2026.

06 qershor 2025, 14:24