Nunci Kulbokas: ndava me Papën shpresën e dhimbjen për Ukrainën
R.SH. - Vatikan
Shpresë, lutje, dëshmi humanizmi, dhimbje për sulmet e ashpra të orëve të fundit në të gjithë Ukrainën... Nunci apostolik i vendit të munduar, Imzot Visvaldas Kulbokas, i ndau të gjitha këto me Papën, i cili e priti të premten, më 6 qershor, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Ishte takimi i parë i përfaqësuesit papnor me Leonin XIV. Për këtë flet Nunci Kulbokas me mediat e Vatikanit.
Shkëlqesi, ç’mund të na thoni për takimin tuaj të parë me Papën Leoni XIV?
Ishte shumë i rëndësishëm; prandaj u përgatit me shumë lutje: lutja ime personale, ajo e bashkëpunëtorëve në nunciaturën në Kiev, e ipeshkvijve, e ish-famullitarëve të mi në Lituani, e madje edhe e disa zyrtarëve shtetërorë të Ukrainës. Sepse, para së gjithash, ishte takim shpirtëror. Ishte takimi im i parë me Papën Leoni, ndaj i jam mirënjohës për këtë. E ishte edhe mjaft i gjatë, ngaqë i kushtohej, mbi të gjitha, çështjeve që na shqetësojnë si Kishë, në një kohë lufte. Tejet e rëndësishme për mua të ndjeja zemrën e Papës, të ndaja përvojat, veçanërisht ato shpirtërore, në këtë kohë lufte. Ishte edhe takim shumë ngushëllues, plot lutje. Do të doja ta nënvizoja këtë, sepse lutja është arma jonë kryesore. Unë kështu e quaj! E edhe Ati i Shenjtë e quan armën më të fuqishme nga të gjitha. Pjesa tjetër e audiencës u përqendrua në disa çështje të veçanta, përfshirë bombardimet natën e 6 qershorit në Kiev, Ternopil, Lutsk dhe rajone e qytete të tjera të Ukrainës. Pra, ç’do të thotë të jetosh, pa vënë gjumë në sy, ose të lëvizësh lirshëm ndërmjet qyteteve e në qytete. Përfundimi i takimit është se ne, si Kishë, edhe në situatat më të këqija, jemi dëshmitarë të asaj që mund të bëjë Zoti, pavarësisht ligështive e mëkateve njerëzore. Kjo është shpresa jonë! E unë i shpreh mirënjohjen time Atit të Shenjtë për këtë, e edhe për këto çaste lutjeje, që do t’i përsëris me të gjithë, kur të kthehem në Ukrainë.
Ju përmendët një sulm masiv rus në disa rajone të Ukrainës. Cila është situata e përgjithshme në vend?
Ka një ndryshim të caktuar ndërmjet rajoneve. Për shembull, në Kherson u shkatërrua ndërtesa e administratës rajonale. Aty prej katër vjetësh vijojnë bombardimet e ndoshta nuk ka as dhjetë minuta heshtje për shkak të frekuencës së tyre. Ka vende të tjera si Odessa, Zaporizhzhia, Kharkiv, të cilat i nënshtrohen alarmeve të vazhdueshme, por me disa pauza. Pastaj është pjesa tjetër e vendit, ku alarmet nuk janë të vazhdueshme. Por nëse marrim edhe kryeqytetin Kiev, është e vështirë të gjesh një ose dy netë në muaj kur nuk ka të paktën sulme me dronë. Për shembull, punonjësit e Nunciaturës që jetojnë në katet e sipërme, mbërrijnë vonë në zyrë e shpesh më thonë se nuk do të jenë në gjendje të punojnë shumë në mënyrë efektive, sepse nuk e kanë më forcën fizike për të punuar. Kësaj i shtohen edhe vështirësi të tjera, sepse gjatë sulmeve, supermarketet, bankat, zyrat shtetërore, shkollat nuk punojnë dhe takimet ministrore ndalen. Ka shkolla nëntokësore që janë tashmë aktive, ndërsa në të gjithë vendin po ndërtohen 140 shkolla të tjera nëntokësore. Fëmijë nga rajone të tëra, për shembull nga ai i Sumy-t, takohen vetëm kur mbërrijnë me grupe, siç është shoqata "Engjëjt e Gëzimit" që organizon festa për ta.
Është, pastaj situata në front...
Dua të nënvizoj një aspekt shumë të rëndësishëm. Në front, ushtarët që janë gati të vdesin, kërkojnë vetëm një gjë: faljen e mëkateve. Atje, as mjeku dhe as kirurgu nuk mund t'i ndihmojnë, vetëm kapelani ushtarak ose i deleguari, që lutet për ta. E njëjta gjë vlen edhe për të plagosurit ose ata që kanë pësuar trauma. Vetë psikologët më thonë shpesh se Kisha ka potencial të madh, sepse si priftërinjtë, ashtu edhe rregulltarët, duke pasur përvojë të vazhdueshme pune me njerëz, edhe në situata të vështira, mirëpriten në mënyrë shumë pozitive nga të plagosurit, madje edhe nga të plagosurit rëndë. Pra, punë që Kisha është e aftë ta bëjë edhe në nivel psikologjik.
Në media, shpesh shohim pamje lufte, shkatërrimi dhe vuajtjeje. Sigurisht, kjo na shqetëson dhe na bën të mendojmë se për të ruajtur qetësinë tonë, duhet të ndahemi disi nga gjithë ky tmerr. Megjithatë, ekziston edhe rreziku i humbjes së dhembshurisë. Si duhet t'i pajtojmë të dyja këto gjëra: të kemi mëshirë përballë këtij realiteti tejet të ashpër - e njëkohësisht ta ruajmë gëzimin e shpirtit?
Ka dy aspekte: njëri është shumë tragjik, mbasi nëse në shekullin e 21-të bashkësia ndërkombëtare nuk është në gjendje të mbrojë as të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe as të drejtën ndërkombëtare, është tragjedi e madhe. Kjo konsideratë na shtyn, a më mirë më shtyn mua, në një përfundim tjetër: e vetmja shpresë që kemi, është shpresa në Zotin, i cili na frymëzon veprime, përkushtim, sakrificë, këmbëngulje, guxim. Kur flas për shpresë e për gëzim, bëhet fjalë edhe për shpresën e gëzimin që sjellin kapelanët ushtarakë në front: luten, ia kushtojnë ushtarët Zemrës së Papërlyer të Virgjëreshës Mari, shpërndajnë Rruzare. Më kujtohet një ushtar, që më tha: “Dje i pashë dy nga shokët e mi duke dhënë shpirt. Nuk mund t’u them grave se burrat e tyre vdiqën, sepse nuk mund ta provoj. I pashë vetëm me sytë e mi. Është dhimbje e madhe për mua”. Dhe pse ata qajnë”. Për mua, si nunc, të flas me të gjithë këta njerëz, madje edhe me komandantë të njësive ushtarake, e të shoh sa shumë zemër ka ndër ushtarë, është ngushëllim i madh. Duke folur me ta, vërej jo vetëm humanizmin, por edhe dëshirën për të qenë gjithnjë më humanë.
Ata thonë: “Kur shokëve tanë nuk u mjaftojnë paratë për të paguar shërimin, ne investojmë paratë tona, nga paga jonë”. Kjo është për mua dëshmia që tregon sesi duhet të jetë njerëzimi: të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Shkëlqesi, a dëshironi të shtoni edhe ndonjë gjë tjetër?
Takimi im me Papën Leoni u zhvillua pas bisedës së Atit të Shenjtë me Presidentin e Ukrainës, me rastin e Meshës që shënonte fillimin e papnisë së tij dhe pas bisedës telefonike me Presidentin e Federatës Ruse. Edhe politikanët e botës dëshmojnë, të paktën me gjuhë simbolike, se duan të vazhdojnë kontaktet e tyre me Kishën, me Atin e Shenjtë, në këto situata të vështira. Mendoj se këto kontakte nënvizojnë edhe më shumë rolin e Papës, jo vetëm për Kishën, por edhe për njerëzimin.
E në këtë drejtim mendoj se është detyrë e çdo katoliku t'i lutet Shpirtit Shenjt në këto ditë: për Kishën, për Atin e Shenjtë, në mënyrë që forca e Jezu Krishtit dhe e Kishës të japin frytet e veta!