MAP

Paraqitja e librit Paraqitja e librit

Në një libër, kardinali Scola reflekton mbi pleqërinë

Vëllimi i botuar nga Lev u paraqit këto ditë në Milano, me një dialog ndërmjet Kryeipeshkvit Delpini dhe filozofit Massimo Cacciari. Kardinali: të shikosh sy për sy vdekjen, do të thotë të kesh guximin ta pyesësh veten para Zotit se çfarë bëre me jetën tënde

R.SH. - Vatikan

Një libër me “rëndësi paradoksale” që shkon “kundër rrymës të kulturës së sotme në shumë aspekte”. Massimo Cacciari, filozof i njohur për publikun e gjerë, përdor fjalë të zgjedhura për të përshkruar leximin e librit të fundit të Kardinalit Angelo Scola, Kryeipeshkëv Nderi i Milanos, ish-Patriark i Venedikut. Titullohet “Në pritje të një fillimi të ri. Reflektime mbi pleqërinë”, botuar nga Libreria Editrice Vaticana, të cilin ai vetë e paraqiti në Milano, në një aktivitet plot me njerëz në selinë e Kryeipeshkvisë, në prani të Imzot Mario Delpinit, pasardhësit të Scolës në katedrën Ambrozit.

Dialogu që u zhvillua ndërmjet Delpinit dhe Cacciari-t u përqendrua rreth çështjes së madhe të jetës së përjetshme, temë që Kardinali Scola e trajton në shkrimin e tij dhe mbi të cilën përqendrohet edhe Papa Françesku, i cili donte të nënshkruante parathënien e vëllimit. “Ndoshta duhet të gjejmë një fjalë tjetër për të shprehur këtë të vërtetë të Krishterimit - nënvizon Delpini - dhe të themi se jeta është e amshuar”. “Ne jemi kafshë, që e dimë se do të vdesin - thekson Cacciari - por kultura jonë aktuale bën ç’është e mundur që ta harrojmë fundin mbi dhe. Prej këndej u krijua meditatio mortis, nga Platoni e tutje, që Scola na e kujton në këtë libër, të vogël në përmasa, por me vlerë të madhe filozofike dhe teologjike”. Filozofi venecian, më pas, kujton kuptimin e pashmangshëm të të menduarit për vdekjen": "Të dish si të vdesësh është pranë nesh, në çdo çast të jetës sonë, në vetëdijen se mund të jetë i fundit. Është eskatoni, të përballesh me gjykimin: të Zotit,  të tjerëve a të vetes, nuk ka rëndësi, rëndësi ka fakti se është gjykim". Gjyqi i mbram!

Delpini, nga ana e tij, tregon se si mendimi mund të lindë "nga habia ose, si në rastin e këtij libri, nga ankthi”: libri i Kardinalit Scola përshkohet nga  pyetja: "Ç’do të bëhet me mua?". E kjo pyetje ka një përgjigje, një takim, një përqafim nga ana e Zotit.

Në pohimet e Scola-s gjejmë një deklaratë prekëse: ankth e shpresë përzier bashkë". Delpini dhe Cacciari, në dialogun e tyre të drejtuar nga Catia Caramelli, gazetare për Radio24, mendojnë se çështja e jetës së përjetshme nuk është metafizike, por ka të bëjë me faqen ungjillore të Predikimit në Mal, e mbi ftesën për të dashur, jo për të urryer e për të falur. Filozofi thotë se edhe ai, jobesimtar, do ta donte "atë jetë të bekuar"; ndërsa kryeipeshkvi kujton se ky formulim nuk është  parim filozofik, por "ka të bëjë me marrëdhënien me Zotin, sepse jetë e amshuar është jeta e Zotit". Cacciari këmbëngul në një pritje që e kultivon, si jobesimtar, në lidhje me bashkësinë e krishterë dhe me besimtarin: "Kjo është ajo që më pëlqen te mendimi i vërtetë teologjik, mendim që shkon në rrënjën e çështjeve e edhe kundër rrymës së kulturës së sotme, për shembull mbi idenë e vdekjes. Mbi këtë, filozofi jobesimtar do të dëgjojë gjithmonë zërin e fesë"- pohoi.

Scola ndërhyn me një intervistë video, të shkurtër, por me ndikim të fortë emocional, në të cilën falënderon dy folësit, duke kujtuar "miqësinë me Cacciari-n" dhe duke shprehur vlerësim të thellë për pasardhësin e tij Delpini. Pa harruar gjestin e Papës Françesku, menjëherë pas zgjedhjes së tij si papë në Kapelën Sikstine: "Ai erdhi nga pas meje, as që e kisha vënë re, për të më përqafuar". Emocioni që ia dridh zërin kardinalit lombard është dëshmi e fortë e bashkimit në Krishtin, që i takoi në mënyrë të patëmetë Papën argjentinase me Kryeipeshkvin e nderit të Milanos.

13 qershor 2025, 09:09