MAP

Kardinali Bychok merr në zotërim Bazilikën e Shën Sofisë në Romë Kardinali Bychok merr në zotërim Bazilikën e Shën Sofisë në Romë

Kardinali Bychok: urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, vëllezërve në luftë u them "nuk u harruat"

Kardinali i ri, ipeshkëv i Heparkisë së Shën Pjetrit e Shën Palit të Melburnit për katolikët ukrainas në Australi, merr në zotërim Bazilikën e Shën Sofisë, në Romë: "Është më shumë se një ndërtesë. Është dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë dhe e shpresës së popullit ukrainas. Uroj që të jetë edhe në vijim një fanar besimi, uniteti dhe shprese për Kishën Ukrainase, për Kishën Katolike dhe për mbarë botën"

R.SH. / Vatikan

Një liturgji solemne e një ceremoni e mbushur me njerëz dhe e dëshiruar, u kremtua dje pasdite, 22 qershor, për marrjen në zotërim nga Kardinali Mykola Bychok të Bazilikës së Shën Sofisë, e njohur më mirë si "kisha e ukrainasve"​​në Romë. Ipeshkëv i Heparkisë së Shënjtorëve Pjetër e Pal të Melburnit për katolikët ukrainas në Australi, Zelandën e Re dhe Oqeani, Bychok është një nga kardinalët e krijuar nga Papa Françesku në Koncistorin e tij të fundit, në dhjetor 2024. Në moshën 45 vjeç, është anëtari më i ri i Kolegjit të Kardinalëve.

Qendra e përshpirtërisë dhe e ndihmës

Dje pasdite, e diela e dytë pas Rrëshajve, sipas kalendari të Kishë së ritit bizantin, kur Kisha Greko-Katolike Ukrainase feston festën e Gjithëshenjtorëve të tokës ukrainase, Kardinali Bychok mori në zotërim Bazilikën që iu caktua. Një ndërtesë me arkitekturë bizantine interesante, e ndërtuar në vitet 1960, zemra shpirtërore e bashkësisë greko-katolike ukrainase në Romë e cila, që nga shpërthimi i luftës, u bë qendra kryesore në mbledhjen e ndihmës dhe të solidaritetit të romakëve për vëllezërit dhe motrat e tyre, viktima të agresionit rus. Një shenjë shprese, pra, siç është pikërisht në themelet e kësaj Bazilike të lindur nën vizionin dhe udhëheqjen e Josyf Slipyj, kryeipeshkvit kryesor, që vuajti burgosjen dhe torturat në gulagët e Bashkimit Sovjetik. Vetë kardinali e kujtoi këtë fakt, duke nënvizuar, në predikimin e tij, se kisha "duhej të përfaqësonte fundin shpirtëror të kësaj dhune dhe ardhjen e një paqeje të drejtë, një paqeje të themeluar jo vetëm mbi armëpushime ose marrëveshje politike, por mbi të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë".

Dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë dhe e shpresës

Marrja në zotërim e kësaj Kishe, vërejti kardinali i ri Bychok, do të thotë "të përqafosh një lidhje të thellë me brezat e besimtarëve që u mblodhën këtu, veçanërisht ata që kanë mbartur kryqin e mërgimit, të persekutimit dhe të zhvendosjes. Shën Sofia është më shumë se ndërtesë. Është dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë dhe e shpresës së popullit ukrainas".

Kardinali Bychok siguroi më pas se ndihet i përfshirë nga "një mision i ripërtërirë": "Të jetë  urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, të së kaluarës dhe të së ardhmes, qiellit dhe tokës". "Nuk mund ta  bëj vetëm, por me të ju të gjithë", u tha besimtarëve të shumtë, të pranishëm brenda Kishës dhe në oborrin e Shën Sofisë.

Duke ecur së bashku me ata që vuajnë

Së bashku - u tha besimtarëve që e ndiqnin me përshpirtëri - jemi të thirrur ta shpallim Krishtin e Ngjallur me jetën tonë". E më pas, duke kujtuar atë që tha Papa Leoni XIV në fillim të papnisë, nënvizoi: “Kisha duhet të jetë  shenjtërore shprese, zë paqeje dhe dritë, që asnjë errësirë ​​nuk do të mund ta mposhtë”. Fjalë që tingëllojnë si “sfidë” për të qenë të guximshëm në fe e të butë në dashuri, për të ecur me ata që vuajnë dhe për ta rrezatuar praninë e Krishtit në çdo cep të botës.

Gjaku i martirëve

Duke menduar pikërisht për ata që vuajnë, Kardinali Bychok kujtoi shumë viktima të konfliktit, dhunës dhe zhvendosjes në Ukrainë dhe në vende të tjera lufte, si Lindja e Mesme dhe Afrika: “Ju nuk jeni harruar”, u tha ai.

“Gjaku i martirëve është fara e Kishës. Nga flijimi i tyre do të lulëzojnë jeta e re, thirrje të reja, shenjtëri e re”, shtoi kard. Bychok, duke përfunduar homelinë me besimin se “kjo Bazilikë e Shën Sofisë do të vazhdojë të jetë farë e fesë së krishterë, farë uniteti dhe shprese për Kishën Ukrainase, për të gjithë Kishën Katolike e edhe për botën”.

Titulli i Shën Sofisë

Titulli kardinalor i Shën Sofisë në Via Boccea, në Romë, i lidhur me Bazilikën Greko-Katolike Ukrainase të Shën Sofisë, u krijua në vitin 1985 nga Papa Gjon Pali II, që ia besoi kreut dhe atit të atëhershëm të Kishës Greko-Katolike Ukrainase, Fortlumturisë së Tij Myroslav Ivan Lubachivsky. I njëjti titull iu dha, në vitin 2001, pasardhësit, Fortlumturisë së Tij Liubomyr Husar, i cili ndërroi jetë në vitin 2017.

Kardinali Mykola Bychok, i shtatëti në historinë e Kishës Ukrainase, u krijua kardinali i tretë me titullin e kësaj bazilike. Duhet theksuar se Fortlumturia e Tij Josyf Slipyj kishte titullin e Kishës së Shën Atanasisit, ku kremtohen shërbesat fetare sipas ritit bizantin. Kardinali i parë në historinë e Kishës Ukrainase, Mitropoliti Isidori i Kievit, i përkiste rangut të kardinalëve-ipeshkvij me titullin e dioqezës periferike të Sabinës.

23 qershor 2025, 12:05