MAP

Manifestues para Gjykatës së Lartë të SHBA-së Manifestues para Gjykatës së Lartë të SHBA-së

Ipeshkvijtë e SHBA-së: të mbrohet liria fetare me lutje, reflektime, veprime

Konferenca Ipeshkvnore Katolike në SHBA kremton Javën e Lirisë Fetare, nga 22 deri më 29 qershor. Ipeshkvi Thomas Paprocki: “Të lutemi, të reflektojmë dhe të veprojmë” në favor të lirisë fetare “në mënyrë që të jemi dëshmitarë të shpresës”

R.SH. – Vatikan

Duke filluar nga 22 qershori, festa e Shën Gjon Fisherit dhe e Tomas Morit, Kisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremton Javën e Lirisë Fetare, e cila përfundon me Solemnitetin e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, më 29 qershor. Nismë e Konferencës Ipeshkvnore Katolike në SHBA (USCCB), kjo Javë i fton besimtarët të promovojnë "të drejtën themelore të lirisë fetare për katolikët dhe për ndjekësit e të gjitha feve".

Dëshmitarë të shpresës

Tema e këtij viti, "Dëshmitarë të shpresës", bazohet mbi raportin vjetor të Konferencës për 2025-ën, që shqyrton gjendjen e lirisë fetare në SHBA. Në të, vihet në dukje "ndikimi i polarizimit politik në lirinë fetare", si edhe diskutohen çështje të ndryshme, nga legjislacioni që mbështet fekondimin në epruvetë, tek vështirësitë e shërbimeve katolike për emigrantët e deri tek e drejta e prindërve për të zgjedhur llojin e shkollës për fëmijët e tyre.

Tema e këtij viti është e lidhur me Vitin Jubilar të shpallur nga Papa Françesku, pohon ipeshkvi Thomas Paprocki, i dioqezës së Springfield në Illinois, i cili është nismëtari i 15-ditëshit kushtuar lirisë fetare, që më vonë u shndërrua në Javën e Lirisë Fetare. Duke u frymëzuar nga thënia e Shën Palit në Letrën drejtuar Romakëve "shpresa nuk zhgënjen", ipeshkvi Paprocki deklaroi për Vatican News se shpresa "jep besim në të ardhmen dhe në premtimin e Zotit për jetën e amshuar".

Ai shpjegon se Java e Lirisë Fetare është ftesë që katolikët të luten për mbrojtjen e lirisë fetare në SHBA dhe në të gjithë botën; të reflektojnë mbi kuptimin e lirisë fetare; si edhe të ndërmarrin veprime në mbrojtje të saj. "Pra, këto tre hapa: të lutemi, të reflektojmë dhe të veprojmë që të jemi dëshmitarë të shpresës përsa i përket lirisë fetare".

Liria dhe e vërteta

Në intervistën e tij me Vatican News, ipeshkvi Paprocki pohon se çështja e lirisë fetare duhet të kuptohet sipas mësimit të Kishës mbi lirinë. Duke përmendur Papën shenjt Gjon Pali II, ipeshkvi shpjegon se liria e njëmendtë lidhet me të vërtetën dhe duhet të dallohet nga mundësia, ose aftësia për të bërë çfarë të duam. "Kisha na mëson se liria ekziston që të jemi të lirë ta praktikojmë fenë tonë, të ndjekim çka është e drejtë dhe të jemi në gjendje të themi të vërtetën", nënvizon imzot Paprocki. "Ana tjetër e medaljes së të drejtave, janë detyrat", jo vetëm në Kishë, por edhe në "kontekstin civil", vëren ai. "Çështja nuk ka të bëjë vetëm me lirinë dhe të drejtat tona, pasi e kemi për detyrë të jemi qytetarë të mirë, për të kontribuar në të mirën e përbashkët të kombit dhe për të mbrojtur lirinë", përfundon ipeshkvi amerikan.

23 qershor 2025, 11:11