Imzot Murad: sfida e të jetuarit si të krishterë në Siri
R.SH. - Vatikan
Një moment historik vendimtar për ndërtimin e një të ardhmeje të mundshme për brezat e rinj: kjo është ajo që po përjeton Siria aktualisht, sipas imzot Jacques Mourad, kryeipeshkëv i Homsit të Sirisë, në një konferencë shtypi online të organizuar dje, më 3 qershor, nga ACN International, seksioni ndërkombëtar i Fondacionit Papnor "Ndihmë Kishës që Vuan".
Një shpresë e ripërtërirë
Vendi i Lindjes së Mesme, i provuar nga vite lufte civile dhe nga tërmeti shkatërrues i vitit 2023, po përballet tani me një fazë të re, pas rënies së presidentit Bashar al-Assad dhe marrjes së pushtetit nga Ahmed Al-Sharaa. Ky është një ndryshim që u ka dhënë një shpresë të re sirianëve, të gjithë në kushte pasigurie dhe varfërie vërtet shqetësuese. Midis tyre edhe të krishterët, të cilët po përballen me papunësinë dhe shpërbërjen familjare, për shkak të emigracionit të mijëra njerëzve në vitet e fundit. Prandaj, vuri në dukje kryeipeshkvi imzot Mourad, në Siri nevojitet "punë dhe guxim" në këtë moment historik ku ndjehet "përgjegjësia për të ardhmen" dhe ku nuk duhet të mendojmë më vetëm për të mbijetuar, por të veprojmë konkretisht për të mirën e të rinjve në veçanti.
Gjatë konferencë së shtypit - prezantuar nga Regina Lynch dhe e moderuar nga Maria Lozano, përkatësisht presidente ekzekutive dhe përgjegjëse për shtypin e Fondacionit Papnor "Ndihmë Kishës që Vuan"- imzot Mourad përshkroi fushat më të rëndësishme të veprimit për të ndërtuar një të ardhme të fortë për të krishterët në Siri: edukimi dhe shëndetësia. "Duhet të ndërtojmë shtëpi për të rinjtë që duan të martohen, t'i inkurajojmë ata të martohen", "të investojmë në shkolla dhe spitale", tha prelatit.
Situatë e paqëndrueshme
Situata në Siri, fatkeqësisht, nuk është e qëndrueshme. "Sirianët - shpjegoi imzot Mourad - nuk kanë qenë kurrë të lidhur me një islam kaq tradicional", siç duket të jetë ai i qeverisë në pushtet dhe kjo është pra një faktor "shqetësimi". Përveç kësaj, në rrugë, veçanërisht në zonën e Homsit, ka një prani masive ushtarake dhe pikash kontrolli. Përballë kësaj situate, "shumë familje, veçanërisht të krishtera, kërkojnë mënyra për t'u larguar dhe kjo nuk ndihmon ekonominë tashmë të kolapsuar të rajonit". Kryeipeshkvi i Homsit pohoi, megjithatë, se vendimi për të hequr sanksionet kundër Sirisë ka pasur dhe do të ketë në të ardhmen efekte pozitive në ekonominë e vendit. Një vend ku edhe shumë familje të krishtera janë në prag të urisë: "Ata mund të përballojnë maksimumi një vakt në ditë dhe nuk kanë para as për të blerë një copë bukë", ndërsa "benzina kushton shumë". "Prandaj them se sirianëve u është hequr dinjiteti - pohoi imzot Mourad - sepse në shumë raste nuk ka as ujë për të bërë dush", përveç një herë në javë.
Roli i Kishës
Në këtë kontekst, roli i Kishës është thelbësor: "Duhet të falënderojmë me gjithë zemër - pohoi prelati - të gjithë bamirësit e Fondacionit Papnor "Ndihmë Kishës që Vuan" dhe të gjithë Kishën që u mundëson të krishterëve të rezistojnë" në uri, në etje, në mungesë të gjithçkaje. "Kisha është përpjekur të jetë një urë për të mbështetur familjet" dhe tani fundi i sanksioneve do të ndihmojë në lindjen e iniciativave të reja, projekteve të reja, mundësive të reja pune. "Jemi në një gjendje shprese dhe pritjeje", vazhdoi imzot Mourad, edhe pse papunësia dhe varfëria rrezikojnë të nxisin tensionin e brendshëm.
"Larmia e feve dhe grupeve etnike kanë ekzistuar gjithmonë në Siri, nuk mund të imagjinojmë një komb që nuk është si yni", pohoi kryeipeshkvi i Homsit, duke saktësuar se aktualisht nuk mund të thuhet se të krishterët janë të persekutuar në Siri, edhe pse në të kaluarën "kanë qenë në mënyrë indirekte". Ekziston ende mundësia për të jetuar ritet dhe traditat e krishtera, megjithëse me disa kujdes. "Për kampet verore të dedikuara të rinjve këtë vit kemi vendosur të mos shkojmë në bregdet sepse nuk jemi mjaft të sigurt se mund të garantojmë sigurinë". Mund të ketë, në fakt, rrezik nga reagimet e grupeve islamiste përballë kampeve të përziera meshkuj dhe femra dhe në çdo rast atje situata duket se është më e pasigurt.
Inkurajimi i Leonit XIV
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeipeshkvi Mourad shprehu në fund fjalë mirënjohjeje ndaj Papa Leonit XIV, të cilin e ka takuar me rastin e Jubileut të Kishave Lindore. "Ati i Shenjtë na dha shumë guxim për të ardhmen e Kishës sonë", duke mbështetur "rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe liturgjisë sonë".