Fytyra e një feje në ndryshim: Raporti i Pew mbi panoramën fetare globale 2010-2020
R.SH. – Vatikan
Në një botë të karakterizuar nga ndryshime të shpejta shoqërore, kulturore dhe demografike, që ndikojnë në panoramën botërore të fesë, raporti i fundit i Qendrës Kërkimore Pew – qendër me seli në Uashington, e cila merret me studime shoqërore - ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi transformimin e përkatësive fetare dhe të demografisë së fesë gjatë dekadës së fundit, nga viti 2010 deri në vitin 2020.
Një popullsi në rritje, që ndryshon me shpejtësi
Raporti thekson se besimtarët janë rritur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, nga rreth 5,9 miliardë në vitin 2010 në gati 6,9 miliardë në vitin 2020. Kjo rritje u atribuohet kryesisht prirjeve demografike në rajone si Afrika Sub-Sahariane, ku ritmet e lindjes së fëmijëve janë të larta dhe bashkësitë fetare të gjalla. Ndërkaq, shtimi i popullsisë myslimane, e cila u rrit nga 23,2% në 24,1% të popullsisë botërore, nënvizon rëndësinë në rritje të Islamit në skenën globale. Krishterimi mbetet feja më e përhapur, pasi në të bëjnë pjesë rreth 31,2% e popullsisë së botës, por ritmet e shtimit të besimtarëve të krishterë janë më të ulta në krahasim me ritmin e rritjes globale të popullsisë.
Është interesante të theksohet se të krishterët janë të shpërndarë në mënyrë më të barabartë në botë, me një prani të madhe në shumë rajone; se shumica dërrmuese e myslimanëve në mbarë botën janë më të rinj se 50 vjeç; e se budistët, nga ana tjetër, janë më të moshuar se grupet e tjera fetare.
Ndryshime dhe divergjenca sipas kontinenteve
Raporti vë në dukje edhe ndryshimet nga kontinenti në kontinet. Veçanërisht në Evropë, njerëzit vazhdojnë të identifikohen gjithnjë e më pak me një fe të caktuar, me një rritje të dukshme të atyre, që e konsiderojnë veten të palidhur me ndonjë fe, pavarësisht se mund të besojnë në Zot. Ky grup përbën afërsisht 17% të popullsisë evropiane, duke pasqyruar prirjen drejt shekullarizimit në shoqëri. Amerika e Veriut, ndërsa e ruan ende përkatësinë në fenë e krishterë, ka një rritje, megjithëse modeste, të identiteteve jofetare, gjë që sinjalizon ndryshime në mënyrën se si përjetohet dhe shprehet besimi në Zotin.
Prirjet dhe lëvizjet e reja
Dekada e studiuar dëshmon për themelimin e lëvizjeve të reja gjallëruese fetare, veçanërisht brenda Krishterimit. Për shembull, në Afrikë dhe në Amerikën Latine, janë zgjeruar me shpejtësi bashkësitë pentekostale dhe ungjillore, duke ndikuar në ripërtëritjen e këtyre traditave me energji të re. Në shumë rajone, migrimi dhe globalizimi kanë kontribuar në rritjen e larmisë fetare, duke krijuar një shoqëri më pluraliste. Nga ana tjetër, në disa zona përjetohet ringjallja e traditës së fesë, tek e cila njerëzit kthehen për t’iu kundërvënë ndryshimeve të shpejta shoqërore, jo gjithnjë të pranueshme.
Shtimi i njerëzve, që deklarojnë “Asnjë” fe
Një nga prirjet më të dukshme është shtimi i njerëzve, që nuk identifikohen me asnjë fe. Globalisht, ky grup po zgjerohet, veçanërisht në vendet e zhvilluara, ndërsa shekullarizimi vazhdon të ndikojë qëndrimet shoqërore. Ky ndryshim, vëren Qendra Kërkimore Pew, shtron pyetje të thella për institucionet fetare dhe për politikanët përsa i përket rolit të ardhshëm të fesë në jetën publike.
Së fundi, raporti i Qendrës Pew thekson se bota jonë po bëhet më e larmishme dhe më e ndërlikuar nga këndvështrimi i identitetit fetar. Ndërsa popullsitë shtohen dhe ndryshojnë, ndryshon edhe mënyra e njerëzve për të plotësuar kërkesat shpirtërore dhe për t’u impenjuar në bashkësitë e tyre. Kjo është nxitje për Kishën e bashkësitë fetare në mbarë botën që t'i japin një shtysë të re dialogut dhe ta kuptojnë më thellë panoramën shpirtërore botërore, në mënyrë që t’u përgjigjen më mirë nevojave.