MAP

2024.11.25 FLORIBERT BWANA CHWI BIN KOSITI

Floribert Bwana Chui, martir i korrupsionit në RD të Kongos, do të lumnohet më 15 qershor

Të dielën e ardhshme, në Bazilikën e Shën Palin Jashtë Mureve, anëtari i ri i Bashkësisë së Shën Egjidit, i vrarë në vitin 2007 për shkak se nuk lejoi të qarkullonin, në këmbim të parave, shumë ushqime të prishura, që do të vinin në rrezik jetën e të varfërve, do të lartohet në nderimet e elterit. Kremtimi do të kryesohet nga Kardinali Semeraro, në prani të Kardinalit Ambongo dhe përfaqësuesve të tjerë të Kishës Kongoleze

R.SH. - Vatikan

Bashkësia e Shën Egjidit njofton me gëzim se më 15 qershor, në orën 17:30, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, do të lumnohet Shërbëtori i Zotit, Floribert Bwana Chui. Kremtimi do të kryesohet nga Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Në kremtim do të marrin pjesë dioqeza e Gomës, me ipeshkvin e saj Willy Ngumbi, dhe përfaqësues të tjerë të Kishës Kongoleze, përfshirë Kardinalin e Kinshasës, Fridolin Ambongo.

Dëshmia e fesë

Shën Egjidi falënderon Zotin për dëshminë e fesë e të shenjtërisë së këtij të riu, i cili e jetonte jetën e Bashkësisë duke i ndihmuar të varfrit dhe duke i mbrojtur të vegjlit.

Floriberti, oficer doganor në kufirin me Ruandën, aktiv që kur ishte student universitar në Shkollën e Paqes të Shën Egjidit, në Goma, refuzoi të lejonte, në këmbim të parave, shitjen e shumë ushqimeve të prishura, që do të kishin vënë në rrezik jetën e më të varfërve. Për këtë akt heroik, në korrik 2007, u torturua dhe u vra. Ishte vetëm njëzet e gjashtë vjeç. Martirizimi i tij, "nga urrejtja kundër fesë", u njoh nëntorin e kaluar nga Papa Françesku, duke i hapur rrugën lumnimit, pasi i lidhur me korrupsionin dhe kultin e parasë me çdo kusht, gjë që ndot të ardhmen dhe shpresat e Afrikës. Rezistenca e tij kundër së keqes është shenjë shprese dhe ringjalljeje për rajonin e munduar të Kivu-së, përshkuar prej vitesh nga një luftë civile e dhimbshme, e keqësuar muajt e fundit, por edhe për të gjithë të rinjtë e kontinentit që përfaqësojnë shumicën dërrmuese të popullsisë së tij.

Fjalët e Papës Françesku

Papa Françesku e kujtoi kështu martirin më 2 shkurt 2023, në stadiumin e martirëve, në Kinshasa, gjatë vizitës së tij në Republikën Demokratike të Kongos, duke u folur të rinjve:

"Një i ri si ju, Floribert Bwana Chui, vetëm njëzet e gjashtë vjeç, u vra në Goma për bllokimin e kalimit të produkteve ushqimore të prishura, të cilat do të kishin dëmtuar shëndetin e njerëzve. Ai mund t’i kishte lënë bracat të shkonin, ata nuk do ta kishin paditur e ai, madje, do të kishte fituar prej saj. Por, si i krishterë, u lut, mendoi për të tjerët dhe vendosi të mbetej i ndershëm, duke i thënë jo ndyrësisë së korrupsionit. Kjo është mbajtja e duarve tuaja të pastra, ndërsa duart që trafikojnë para njollosen me gjak. Nëse dikush ju jep një zarf, ju premton favore dhe pasuri, mos bini në kurth, mos u mashtroni, mos lejoni që të fundoseni në kënetën e së keqes. Mos lejoni të mposhteni nga e keqja, mos besoni në komplotet e errëta të parave, të cilat ju bëjnë të fundoseni natën. Të jesh i ndershëm do të thotë të shkëlqesh ditën, do të thotë të përhapësh dritën e Zotit, do të thotë ta jetosh lumturinë e drejtësisë: mposhte të keqen me të mirën!”.

Aktual, lumnimi! Për t’u ndjekur kudo, ku synohet të shuhet uria edhe me vdekjen!

09 qershor 2025, 14:26