Floribert Bwana Chui, dëshmi nga familja dhe miqtë e tij
R.SH. - Vatikan
Kisha e Republikës Demokratike të Kongos kremton, të dielën, më 15 qershor, në Romë, në solemnitetin e Trinisë së Shenjtë, lumnimin e laikut të ri kongolez Floribert Bwana Chui, i njohur si martir i ndershmërisë dhe i pastërtisë morale edhe nga Papa Françesku, më 25 nëntorin e kaluar. Në lumnimin e Floribertit, anëtar i Bashkësisë së Shën Egjidit, do të marrin pjesë edhe prelatë kongolezë, ndërmjet të cilëve Kardinali Fridolin Ambongo, Kryeipeshkëv i Kinshasës, dhe Imzot Willy Ngumbi, Ipeshkëv i Gomës, dioqezë e origjinës të të lumit të ardhshëm. Bashkësia kongoleze në Romë po përgatitet me gëzim për këtë ngjarje të madhe.
Më mirë të vdesësh sesa të rrezikosh jetën e të tjerëve
Floribert Bwana Chui Bin Kositi u rrëmbye më 7 korrik 2007. Dy ditë më vonë trupi i tij u gjet përpara Universitetit të Lirë të Pays des Grands Lacs (ULPGL-Goma), institucion edukativ arsimor i krishterë në provincën e Kivusë Veriore. Komisioner i ri i Zyrës së Kontrollit të Kongos (OCC), organit kombëtar për kontrollin e doganave dhe mallrave, Floribert ishte përgjegjës për vlerësimin e prodhimeve që kalonin kufirin lindor të Republikës Demokratike të Kongos. Refuzimi i tij për të rënë në duart e korrupsionit, i kushtoi jetën, pasi kishte vendosur të mos lejonte daljen nga Ruanda të asnjë ushqimi, që nuk kishte marrë autorizimet e nevojshme për marketing dhe konsum në vendin e tij. Sipas disa dëshmitarëve, "Bwana Chui preferoi më shumë të vdiste, sesa të lejonte kalimin e ushqimit, që mund të kishte helmuar një numër të madh njerëzish". Prej këndej, ndershmëria dhe integriteti i tij moral i dhuruan martirizimin.
Gëzimi i nënës, Gertrude Kamara Ntawiha
Gertrude Kamara Ntawiha, nëna e Floribertit, shpreh gëzimin dhe mirënjohjen e saj për lajmin, që ia qetëson dhimbjen në të cilën qe zhytur pas vdekjes tragjike të të birit. "Floribert - dëshmon nëna - u vra në emër të fesë së tij të krishterë, sepse kishte refuzuar një propozim ryshfeti që synonte të lehtësonte hyrjen e produkteve ushqimore, të cilat mund të rrezikonin shëndetin publik në territorin kongolez. Ai zgjodhi Zotin, deri në fund! Zgjodhi të vdiste, që të jetonte në Krishtin".
Nëna Gertrude u kërkon të rinjve ta ndjekin shembullin e Floribertit, të mos lejojnë të korruptohen, por të ndjekin gjithnjë vlerat e Ungjillit. U kërkon autoriteteve kongoleze paqe, veçanërisht në rajonin lindor të RDK-së ku u vra Floribert e ku popullsia jetoi për më shumë se tri dekada një jetë të tmerrshme, nën kërcënimin e grupeve të armatosura dhe agresionit të disa vendeve fqinje.
Vëllai: vdekja e Floribertit nuk ishte e kotë
Me ndershmërinë dhe qëndrueshmërinë e tij morale, Floribert Bwana Chui është model jo vetëm për të rinjtë e Republikës Demokratike të Kongos, por edhe për ata të mbarë botës, thekson Trésor, vëllai më i vogël i të Lumit të ardhshëm.
"Për mua, lufta e tij nuk ishte e kotë, e ruajti lirinë. Ky është shembull për ne të krishterët, katolikët, të rinjtë në mbarë botën, dhe veçanërisht për ata në Kongo, ku praktika e korrupsionit duhet ende të luftohet" - thotë i riu kongolez, sipas të cilit lumnimi i vëllait të tij duhet të tërheqë vëmendjen e botës ndaj këtij realiteti të trishtueshëm, që po bëhet mënyrë veprimi për përfitime joproporcionale.
Shembulli i Floribert mund të na ndihmojë "të jemi më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, sepse paratë ose të mirat e kësaj bote“nuk mund të sundojnë gjithmonë", thekson Trésor.
Lutuni që "plaga e korrupsionit të marrë fund"
Trésor e ruan kujtimin e vëllait të tij të madh si njeri shembullor. "Kishte mënyrën e tij të të jetuarit të jetës së krishterë: jetonte me frikën e Zotit". Floribert përfshihej në grupe dhe lëvizje të ndryshme kishtare, ishte ministrant në katedralen e Shën Jozefit në Goma, kishte qenë pjesë e korit latin të famullisë të Shpirtit Shenjt. “E forcoi më tej besimin e tij duke e predikuar Ungjillin në Bashkësinë e Shën Egjidit, ku ishte mik dhe vëlla, përkrah më të vafërve, kryesisht fëmijëve të rrugës".
Duke i bërë të vetat fjalët e Papës Françesku - Floriberti, që mund të kishte fituar shumë para duke iu dorëzuar tundimeve - "zgjodhi, përkundrazi, të ishte i ndershëm, t'i thoshte jo ndyrësisë së korrupsionit moral. Fjalë që duhet t'i frymëzojnë edhe politikanët tanë në jetën e tyre."