Çelësi i fjalëve të Kishës: nga «Rerum novarum» te Papa Piu XI
R.SH. - Vatikan
Thuhet se bazat e doktrinës shoqërore të Kishës katolike janë hedhur me enciklikën “Rerum Novarum” të Papës Leoni XIII. Por, vëmendja e saj ndaj temave shoqërore nuk zë fill me këtë dokument. Trashëgimia e saj në këtë drejtim i ka rrënjët në Shkrimin Shenjt, veçanërisht në Ungjill e në shkrimet apostolike dhe ka marrë formë e trup duke nisur prej Etërve të Kishës dhe prej Mësuesve të Mesjetës.
Ngjarjet me natyrë ekonomike në shekullin XIX patën pasoja shoqërore, politike e kulturore, siç nënvizohet në paragrafin 88 të Përmbledhjes së Doktrinës Shoqërore të Kishës, bazë e emisioneve tona. Ngjarjet e lidhura me revolucionin industrial përmbysën sisteme shoqërore shekullore, duke ngritur probleme të rënda drejtësie dhe duke parashtruar çështjen e parë të madhe shoqërore, çështjen punëtore, të nxitur nga konflikti ndërmjet kapitalit dhe punës. Si përgjigje ndaj saj, Papa Leoni XIII shpalli enciklikën e parë shoqërore, “Rerum novarum”.
Enciklika “Rerum Novarum”
Ajo shqyrton gjendjen e punëtorëve me pagesë, veçanërisht e rëndë në industri. Çështja punëtore trajtohet në dritën e parimeve doktrinore të bazuara në Zbulesën hyjnore, në ligjin dhe në moralin natyror.
«Rerum novarum» rendit problemet shoqërore, e përjashton socializmin si zgjidhje dhe, duke e saktësuar dhe aktualizuar, paraqet «doktrinën katolike mbi punën, mbi të drejtën e pronës, mbi parimin e bashkëpunimit në kundërvënie me luftën e klasave si mjet themelor për ndryshimin shoqëror, mbi të drejtën e të dobtëve, mbi dinjitetin e të varfërve dhe mbi detyrat e të pasurve, mbi përsosjen e drejtësisë nëpërmjet dashurisë, mbi të drejtën për të pasur organizata profesionale».
«Rerum novarum» u bë kështu dokumenti, që frymëzoi veprimtarinë e krishterë në fushën shoqërore. Tema qendrore e Enciklikës është ajo e vendosjes së një rendi shoqëror të drejtë, për realizimin e të cilit duhet të gjenden kriteret e gjykimit, që ndihmojnë në vlerësimin e sistemeve shoqëroro-politike ekzistuese dhe në paraqitjen e linjave të veprimit për shndërrimin e tyre.
«Rerum novarum», vijohet në paragrafin 90, e ka trajtuar çështjen punëtore me një metodë, që do të bëhet «paradigmë e vazhdueshme» për zhvillimet e mëtejme të doktrinës shoqërore. Parimet e pohuara nga Leoni XIII do të thellohen në enciklikat shoqërore të mëvonshme. Krejt doktrina shoqërore aktuale mund të kuptohet si aktualizim, thellim dhe shtrirje e bërthamës zanafillore të parimeve të paraqitura në «Rerum novarum».
Enciklika «Quadragesimo anno» e Piut XI
Në fillim të viteve Tridhjetë, pas krizës së rëndë ekonomike të vitit 1929, Papa Piu XI boton enciklikën «Quadragesimo anno», që përkujtonte dyzet vjetët e «Rerum novarum». Papa e interpreton të kaluarën në dritën e një situate ekonomiko-shoqërore, në të cilën industrializimit i ishte shtuar shtrirja e pushtetit të grupeve financiare, në fushën kombëtare e ndërkombëtare. Në Evropëpo përhapeshin regjimet totalitare, ndërsa ashpërsohej lufta e klasave. Enciklika qorton mosrespektimin e lirisë së organizimit dhe thekson parimet e solidaritetit e të bashkëpunimit për të kapërcyer kontradiktat shoqërore. Marrëdhëniet mes kapitalit dhe punës duhet të zhvillohen sipas parimit të bashkëpunimit.
«Quadragesimo anno» thekson se pagesa duhet të jetë në përpjesëtim jo vetëm me nevojat e punëtorit, por edhe me ato të familjes së tij. Shteti, në marrëdhënie me sektorin privat, duhet të zbatojë parimin e subsidiaritetit (pra, të ndërhyrjes e të ndihmës aty ku është e nevojshme), parim që do të bëhet një element i vazhdueshëm i doktrinës shoqërore. Enciklika nuk e pranon liberalizmin të kuptuar si konkurrencë pa kufi ndërmjet forcave ekonomike, por ripohon vlerën e pronës private, duke kujtuar funksionin e saj shoqëror.
Papa Piu XI ngriti zërin kundër regjimeve totalitare
Papa Piu XI nuk la pa e ngritur zërin kundër regjimeve totalitare. Që më 29 qershor 1931, pati protestuar kundër prepotencës së regjimit fashist në Itali me enciklikën «Non abbiamo bisogno» (Nuk kemi nevojë). Në vitin 1937 botoi enciklikën «Mit brennender Sorge» (Me shqetësim të jashtëzakonshëm), mbi situatën e Kishës Katolike në Rajhun gjerman. Teksti u lexua nga amboni i të gjitha kishave katolike në Gjermani, pasi qe shpërndarë në fshehtësinë më të madhe. Enciklika mbërrinte pas vite padrejtësish e dhune dhe i ishte kërkuar shprehimisht Piut XI nga ipeshkvijtë gjermanë, pas masave shtypëse të Rajhut në vitin 1936, veçanërisht lidhur me të rinjtë, të detyruar të regjistroheshin në «Rininë hitleriane». Papa u drejtohet meshtarëve dhe rregulltarëve, besimtarëve laikë, për t’i nxitur për rezistencë. Në vitin 1938, përballë përhapjes së antisemitizmit, Piu XI pohoi: «Jemi shpirtërisht semitë».
Piu XI kritikoi në mënyrë sistematike komunizmin
Me enciklikën «Divini Redemptoris», mbi komunizmin ateist dhe mbi doktrinën shoqërore të krishterë, Piu XI kritikoi në mënyrë sistematike komunizmin, të përkufizuar si «thelbësisht të mbrapshtë», dhe tregoi si mjete kryesore për t’i zgjidhur të këqijat e prodhuara prej tij, përtëritjen e jetës së krishterë, ushtrimin e dashurisë ungjillore, përmbushjen e detyrave të drejtësisë në nivel ndërpersonal e shoqëror për të mirën e përbashkët, institucionalizimin e korpuseve profesionalë e ndërpersonalë. Kontributi i Kishës për temat shoqërore vijoi edhe me Papën Piu XII e me të tjerët pas tij, por për këtë do të flasim në emisionin e ardhshëm.