Çelësi i fjalëve të Kishës: misioni i Kishës dhe doktrina shoqërore
R.SH. - Vatikan
Fillojmë sot një cikël emisionesh kushtuar doktrinës shoqërore të Kishës, duke u nisur nga baza dhe arsyeja e ekzistencës së saj në misionin e vetë Kishës. Gjatë historisë së saj, dhe veçanërisht në njëqind vjetët e fundit, Kisha - sipas fjalëve të Papës Leoni XIII - nuk ka hequr kurrë dorë së thëni «fjalën që i përket» mbi çështjet e jetës shoqërore. Duke vazhduar të përpunojë dhe të përditësojë trashëgiminë e pasur të Doktrinës Shoqërore Katolike, filluar me “Rerum Novarum” të këtij Pape, Ati i Shenjtë Gjon Pali II botoi, nga ana e tij, tri Enciklika të mëdha Laborem exercens, Sollicitudo rei socialis dhe Centesimus annus, që përbëjnë etapa themelore të mendimit katolik mbi këtë argument. Edhe Papa Françesku dha kontributin e tij në atë, që tashmë të gjithë e njohin si Doktrina Shoqërore e Kishës, duke shkruar dy enciklika “Laudato si’” (2015) dhe “Fratelli tutti” (2020).
Fakti që Kisha, si të thuash, përzihet me punët e kësaj bote, rrjedh nga misioni i saj i veçantë. Siç nënvizohet në paragrafin 50 të “Përmbledhjes së Doktrinës Shoqërore të Kishës” – bazë për emisionet tona - ajo “vihet konkretisht në shërbim të Mbretërisë së Hyjit para së gjithash duke kumtuar e duke përçuar Ungjillin e shëlbimit dhe duke themeluar bashkësi të reja të krishtera. Veç kësaj, ajo «i shërben Mbretërisë duke përhapur në botë “vlerat ungjillore”, që janë shprehje e Mbretërisë dhe që i ndihmojnë njerëzit ta mirëpresin dhe ta pranojnë planin e Hyjit”. Por, “Kisha nuk përzihet me bashkësinë politike dhe nuk është e lidhur me asnjë sistem politik. Në fakt, bashkësia politike dhe Kisha, secila në fushën e vet, janë të pavarura e autonome prej njëra-tjetrës dhe janë të dyja, edhe pse në mënyra të ndryshme, «në shërbim të thirrjes personale e shoqërore të po atyre njerëzve». Madje mund të pohojmë se dallimi ndërmjet fesë e politikës dhe parimi i lirisë fetare përbëjnë një arritje të veçantë të krishterimit, me rëndësi të madhe në planin historik e kulturor”.
“Me mësimin e vet shoqëror – vijohet më tej në paragrafin 62 të Përmbledhjes - Kisha synon të kumtojë dhe të aktualizojë Ungjillin në rrjetin e ndërlikuar të marrëdhënieve shoqërore. Nuk bëhet fjalë thjesht për të arritur tek njeriu në shoqëri, tek njeriu si marrës i kumtit ungjillor, por për ta ngjizur e për ta mbrujtur vetë shoqërinë me Ungjillin”.
Prandaj, “me doktrinën e vet shoqërore – nënvizohet më tej në paragrafin 63 - Kisha merr përsipër detyrën e kumtimit që i ka besuar Zoti. Ajo aktualizon në ngjarjet historike mesazhin e lirimit dhe të shëlbimit të Krishtit, Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. Kisha, duke kumtuar Ungjillin, «i vërteton njeriut, në emër të Krishtit, dinjitetin e tij dhe thirrjen e tij në bashkësinë e njerëzve; i mëson kërkesat e drejtësisë e të paqes, në përputhje me urtinë hyjnore».
Ungjilli që jehon nëpërmjet Kishës në të sotmen e njeriut është fjalë që liron. …Të ungjillëzosh fushën shoqërore do të thotë të ngjallësh në zemrën e njerëzve forcën e kuptimit dhe të lirimit të Ungjillit, …do të thotë të ndërtosh një botë më njerëzore për njeriun, sepse është më në përputhje me Mbretërinë e Hyjit.
«Misioni përkatës që Krishti ia ka besuar Kishës së Vet nuk është i rendit politik, ekonomik apo shoqëror: qëllimi që i ka caktuar është i rendit fetar – vijon paragrafi 68. - E megjithatë, pikërisht prej këtij misioni fetar rrjedh një detyrë, një dritë dhe disa forca, që mund të shërbejnë për të ndërtuar e për të përforcuar bashkësinë e njerëzve sipas Ligjit hyjnor». Kjo do të thotë se Kisha, me doktrinën e vet shoqërore, nuk hyn në çështje teknike dhe nuk themelon apo propozon sisteme, ose modele organizimi shoqëror: kjo nuk i përket misionit, që Krishti i ka besuar asaj. Kisha ka kompetencën e marrë prej Ungjillit: prej mesazhit të lirimit të njeriut të shpallur e të dëshmuar nga Biri i Hyjit bërë njeri”.
Siç e thamë që në krye, nga ky mision i Kishës lind reflektimi i saj mbi çështjet e botës, me synimin për të formuar ndërgjegjet e jo për të zëvendësuar vendimet, që detyrimisht, duhet t’i marrin politikanët e protagonistët e tjerë të shoqërisë. Por meditimi i saj orienton, hap udhë e përvijon shtigje, që i ndihmojnë vendimmarrësit të zgjedhin ç’është më e mira për shoqërinë. Për këtë arsye, edhe vetë Kisha, sidomos përmes magjisterit të Papëve, e ka plotësuar në kohë mendimin e saj e vazhdon ta zhvillojë më tej. “Doktrina shoqërore nuk është menduar qysh prej fillimit si një sistem organik, por është formuar gjatë kohës, nëpërmjet ndërhyrjeve të shumta të magjisterit mbi temat shoqërore – theksohet në paragrafin 72. - …një sqarim vendimtar në këtë drejtim përmbahet në enciklikën «Sollicitudo rei socialis»: doktrina shoqërore e Kishës «i përket… jo fushës së ideologjisë, por asaj të teologjisë dhe sidomos asaj të teologjisë morale». Ajo nuk mund të përkufizohet sipas parametrave shoqëroro-ekonomikë. Nuk është sistem ideologjik apo pragmatik, i prirur të përcaktojë e të përpilojë marrëdhëniet ekonomike, politike e shoqërore, por është një kategori më vete: ajo është «formulimi i kujdesshëm i rezultateve të një reflektimi të kujdesshëm mbi realitetet e ndërlikuara të ekzistencës së njeriut, mbi shoqërinë dhe kontekstin ndërkombëtar, në dritën e fesë dhe të traditës kishtare. Qëllimi i saj kryesor është t’i interpretojë këto realitete, duke shqyrtuar përputhjen apo mospërputhjen e tyre me linjat e mësimit ungjillor mbi njeriun dhe mbi thirrjen e tij tokësore e njëkohësisht transhendentale; për ta orientuar, pra, sjelljen e krishterë»”.
Por si duhet studiuar ky reflektim i Kishës mbi çështjet e botës? Siç thuhet në paragrafin 75: “Feja dhe arsyeja përbëjnë dy rrugët njohëse të doktrinës shoqërore, meqenëse dy janë burimet prej të cilave ajo ushqehet: Zbulesa hyjnore dhe natyra njerëzore. …Meqenëse misteri i Krishtit e shndrit misterin e njeriut, arsyeja i jep plotësi kuptimore perceptimit të dinjitetit njerëzor dhe të kërkesave morale, që e mbrojnë atë. Doktrina shoqërore është njohje e shndritur prej fesë, e pikërisht sepse është e tillë shpreh një aftësi më të madhe njohjeje”. Doktrina shoqërore e Kishës dialogon me çdo lloj dije, sidomos me filozofinë, pasi merret me koncepte si njeriu, shoqëria, liria, ndërgjegjja, etika, e drejta, drejtësia, e mira e përbashkët, solidariteti, subsidiariteti, shteti etj.. Por, siç vërehet në paragrafin 78, “një ndihmesë domethënëse për doktrinën shoqërore të Kishës vjen edhe prej shkencave njerëzore e shoqërore. Kisha njeh dhe pranon gjithçka që ndihmon njohjen e njeriut në rrjetin e marrëdhënieve shoqërore. Ajo është e vetëdijshme për faktin se njohjes së thellë të njeriut nuk i paraprihet vetëm me teologjinë, pa ndihmesat e shumë shkencave, të cilave vetë teologjia u referohet. Falë tyre, Kisha mund ta kuptojë në mënyrë më të saktë njeriun në shoqëri, t’u flasë njerëzve për kohën e tyre në mënyrë më bindëse dhe ta kryejë në mënyrë më të efektshme detyrën e vet për të mishëruar, në ndërgjegjen dhe në ndjeshmërinë shoqërore të kohës sonë, Fjalën e Hyjit dhe fenë, prej së cilës doktrina shoqërore «zë fill»”.