Atentati në Siri, Kishat kërkojnë garanci për vendet e kultit
R. SH. - Vatikan
Një "krim i tmerrshëm". Me këto fjalë, OKB-ja dënon "me fjalët më të forta të mundshme" sulmin terrorist të djeshëm ndaj Kishës të ritit Greko-Ortodoks të Shën Elisë në lagjen Duweila të Damaskut, në Siri, ku dhjetëra njerëz ishin mbledhur për të marrë pjesë në Meshën e së dielës. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga Ministria e Brendshme siriane, një sulmues "hapi zjarr dhe më pas shpërtheu veten me një jelek shpërthyes": bilanci është të paktën 30 të vdekur dhe rreth 60 të plagosur.
Autoritetet siriane kanë njoftuar se kanë arrestuar gjashtë persona të "përfshirë" në sulmin vetëvrasës kundër Kishës Greko-Ortodokse në Damask. Dy persona të tjerë të "përfshirë" në atentat u vranë, sipas të njëjtit burim. Ky njoftim vjen pak orë pasi Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmad al Sharaa, premtoi se do t'i dorëzonte drejtësisë personat e përfshirë në sulmin "e neveritshëm", i cili u dënua nga Kombet e Bashkuara dhe nga shumë vende tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francën, dhe që ringjalli shqetësimet e pakicave në Siri.
Ministria e Brendshme siriane raportoi se "disa kriminelë të përfshirë në sulmin ndaj Kishës së Shën Elisë janë arrestuar". "Këto operacione çuan në përleshje gjatë të cilave u arrestuan kreu i celulës terroriste dhe pesë anëtarë, ndërsa dy të tjerë u vranë: njëri ishte përgjegjësi kryesor për hyrjen e kamikazit në Kishë, tjetri po përgatiste gjithashtu një sulm terrorist në një lagje të kryeqytetit", shtoi ministria siriane.
Ngjarja
Në vendin e masakrës mbeten gjaku i shumë të pafajshmëve - mes viktimave ka edhe fëmijë - dhe rrënojat e ndërtesës së Tempullit të Zotit, dëmtuar rëndë nga shpërthimi. Të paktët besimtarë që arritën të shpëtonin ishin ata që patën kohë të fshiheshin mes bankave ose larg zonës ku kishte mbërritur sulmuesi, pasi kishin shmangur kontrollet në hyrje. Sipas konfirmimit të origjinës së atentatit, kjo është hera e dytë që ISIS shfaqet me sulme të përgjakshme në Sirinë e presidentit të përkohshëm, Ahmed al-Sharaa (i njohur edhe si al Jolani), të cilin fraksionet islamiste më ekstreme, vënë në dukje analistët, e akuzojnë se ka mohuar kauzën e tyre për të synuar njohjen nga Perëndim.
Në fund të majit, terroristët kishin vendosur një bombë përgjatë një rruge ndërsa kalonte një patrullë e ushtrisë, duke vrarë të paktën një ushtar. Edhe më i përgjakshëm ishte shpërthimi i djeshëm në periferinë e Duweila, ku jeton një komunitet i madh i krishterë, në një kohë kur qeveria e re deklaron se ndjek udhën e respektimit të pakicave fetare të Sirisë dhe njofton një rritje prej 200 për qind të pagave dhe pensioneve në sektorin publik, në përpjekje për të përballuar krizën e rëndë ekonomike që ka kapluar vendin, pavarësisht lehtësimit të fundit të sanksioneve ndërkombëtare pas përmbysjes së Bashar al-Assadit.
Reagimet e Kishës
Patriarkana Greko-Ortodokse e Antiokisë dhe e gjithë Lindjes, në një komunikatë të bërë publike në Damask, u ka kërkuar autoriteteve të reja siriane të "marrin përgjegjësinë e plotë" për sulmin, duke kërkuar garanci konkrete për "paprekshmërinë e Kishave dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve". "Dhimbje e thellë" është shprehur nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, në një bisedë telefonike me patriarkun e Antiokisë, Gjoni X Yazigi, gjatë së cilës - thuhet në një njoftim - Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës dënoi "pa mëdyshje" sulmin ndaj Kishës Greko-Ortodokse të Damaskut, duke theksuar se çdo akt terrorist, "sidomos kundër vendeve të kultit", është në të vërtetë i drejtuar "kundër bashkëjetesës paqësore të popujve, feve dhe kulturave".
Lajmi i sulmit vetëvrasës në Kishën e Shën Elisë është pritur "me tronditje të thellë" dhe po aq "neveri" nga Asambleja e Ipeshkvijve Katolikë të Tokës së Shenjtë, të cilët në një komunikatë shpjegojnë se nuk ka "asnjë justifikim - fetar, moral apo racional - për masakrën e të pafajshmëve, aq më pak në një hapësirë të shenjtë". Bëhet fjalë, shtojnë ata, për "një akt ligësie të papërshkrueshme, një krim kundër njerëzimit dhe një mëkat para Zotit", si dhe për "një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtës për të praktikuar kultin e fesë në paqe dhe siguri".
Duke dënuar me forcë atë që ndodhi dhe duke refuzuar "ideologjitë që kërkojnë të justifikojnë dhunën në emër të fesë", ipeshkvijtë katolikë të Tokës së Shenjtë i shprehin "ngushëllimet më të sinqerta Patriarkanës Greko-Ortodokse të Antiokisë e të gjithë Lindjes" dhe solidaritetin e tyre "me të gjitha komunitetet e krishtera të Sirisë, të cilat kanë duruar vite persekutimi dhe zhvendosjeje dhe tani përballen me frikë dhe pasiguri të re". Fondacioni Papnor ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ (Acs) bën të ditur ndërkohë se ka aktivizuar një mbledhje fondesh për të ofruar ndihmë emergjente komunitetit të prekur nga atentati.