ÐÓMAPµ¼º½

Gazans face hunger as charity kitchens run out of stock

Atë Faltas: Toka e Shenjtë vuan e mos e quani luftë

Vikar i Rojtarisë së Tokës Shenjte mediton për kohën e dhimbjes, që po jetohet në Gazë, ku "të gjithë janë të varfër e kanë nevojë për gjithçka" e ku vdekja "arrin nga qielli e nga dheu"

R.SH. - Vatikan

Ibrahim Faltas

Sot, më shumë se kurrë, Toka e Shenjtë ka nevojë për gjeste konkrete të së vërtetës dhe fjalë që mund të përkthehen në akte drejtësie.

Fjala "luftë" sjell ndërmend ushtri që ndeshen me njëra-tjetrën, jo gjithmonë me armë të barabarta, e të kujton gjithnjë fitues e humbës. E fjala "paqe", të sjell ndërmend të drejta dhe detyra të njohura reciprokisht nga popujt, e jo vetëm mungesën e luftës.

Toka Shenjte vuan e dhimbja nuk mund të peshohet, të matet, të llogaritet! Toka Shenjte nuk ka kombësi, as fe, as ngjyrë lëkure. Ata që humbasin një fëmijë, e shpesh më shumë se një, vuajnë. Vuajnë edhe ata që janë të uritur, që janë të sëmurë e të plagosur, që kanë pritur më shumë se 600 ditë për të dashurit, pengjet, kushtet e jetës ose të vdekjes së të cilëve janë të panjohura.

Sot, e premte, 6 qershor, myslimanët kremtojnë Festën e Flijimit, një festë që të përkujton sakrificën e Abrahamit, të cilit Zoti i kërkoi të flijonte birin e tij të vetëm. Vitin e kaluar, në të njëjtat ditë, tetë muaj pas tragjedisë së 7 tetorit 2023, kujtuam fenë e pamposhtur të Abrahamit i cili beson fort në Zotin e, edhe me zemër të thyer, e lëshon vetveten në dorë të Tij.

Abrahami duhej të zgjidhte! Dashuri të pakufishme për birin e tij të vetëm dhe të shumëdashur, apo dashuri të pakufizuar për Zotin, dashurinë e të cilit nuk do ta tradhtonte kurrë?

Në Gaza nuk mund të zgjedhësh. Vuan të keqen, pa qenë në gjendje të zgjedhësh të mirën. Në Gaza, vdekja vjen nga qielli e nga toka: nuk mund t'u shmangesh bombave e as vdekjes, nëse i afrohesh ushqimit, i poshtëruar  nga uria dhe pa të drejtën njerëzore e të mirënjohur për t'u ushqyer. Për këto dhe shumë arsye të tjera, mos e quani luftë!

Janë larg ditët dhe kujtimi i Festës së Flijimit: ditë gëzimi, ribashkimesh familjare, dhuratash dhe rrobash të reja. Tradita e ngrënies së qengjit, një krijesë e butë, si Abrahami, nuk është vetëm shenjë e ngrënies familjare sepse ushqimi u ofrohet edhe të varfërve, atyre që nuk mund të gëzohen. Por edhe këtë vit nuk do të ketë qengja për të ngrënë dhe për t'u dhuruar. Në Gaza të gjithë janë të varfër dhe kanë nevojë për gjithçka. Nuk ka ushqim, nuk ka ujë, nuk ka mundësi për t'u trajtuar dhe për të vazhduar të jetojnë, madje nuk ka mundësi as për t’i mbuluar të vdekurit, sepse nuk ka arkivole.

Gjatë ditëve të Festës së Flijimit, ashtu si vitin e kaluar, populli i Gazës vuan dhe vdes. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ndërsa njëra dorë ofron mbijetesën me ushqim, grushti tjetër përdor mjete vdekjeje. Kufijtë zgjerohen për të pushtuar tokat, e rrugë të reja hapen për të ndarë. Populli detyrohet të largohet nga shtëpitë e shkatërruara dhe strehimet e improvizuara, nga që përpiqen t'ia heqin “edhe vatrën".  Fjala "vatër", e zgjedhur jo rastësisht, zbulon ndershmërinë e thellë intelektuale dhe civile të Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, njeriut të mençur, njeriut të paqes.

Fjalët nuk janë vetëm tinguj. Vdekjet e fëmijëve në Gaza dhe në mbarë botën kanë tingullin vdekjeprurës të çnjerëzimit. Mos e quani luftë, fëmijët e Gazës nuk e deshën, po nuk patën zgjidhje tjetër.

06 qershor 2025, 11:08