MAP

Një nënë dhe një fëmijë nga Gaza mbërritën në Itali për të marrë trajtim mjekësor Një nënë dhe një fëmijë nga Gaza mbërritën në Itali për të marrë trajtim mjekësor

Atë Faltas: një strehë e sigurt për fëmijët e Gazës

Intervistë me vikarin e Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, pas mbërritjes në Itali të një grupi fëmijësh nga Gaza, për kujdes të ngutshëm: “Të lutemi që njerëzimi të fillojë të ecë përsëri në shtigjet e dritës”.

R.SH. / Vatikan

Këtë javë përfundoi me sukses operacioni për transferimin e 17 fëmijëve palestinezë që kanë nevojë për kujdes urgjent dhe 53 anëtarëve të familjeve nga Rripi i Gazës, në Itali. Flasim për këtë me Vikarin e Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, Atë Ibrahim Faltas, françeskan, për një vit e gjysmë organizator i disa korridoreve humanitare, që lejuan qindra fëmijë nga Gaza të mjekohen në Itali.

Atë Ibrahim, a është kjo hera e parë që fëmijët largohen nga Ramoni dhe jo nga Egjipti?

Fillova të mendoja se si t'i ndihmoja fëmijët e Gazës në nëntor 2023. Pas një audience private me Papën Françesku, shkova në Spitalin Bambino Gesù aty pranë për të përshëndetur mjekët, miq që kishin punuar aq shumë gjatë viteve për fëmijët e Betlehemit. Në atë takim kërkova të ndihmoja edhe fëmijët e Gazës. Që nga ajo ditë, organizata filloi të mendonte për ndihmën, e cila kërkonte qartë edhe përfshirjen e qeverisë italiane lidhur me transferimin e fëmijëve dhe shoqëruesve të tyre, si dhe identifikimin e strukturave spitalore të specializuara për sëmundjet dhe nevojat shëndetësore të fëmijëve. Secili prej organizatorëve të kësaj nisme luajti rolin e vet. Mund të kujtoj vetëm vullnetin e fortë të Ministrit Tajani dhe të të gjithë strukturës së Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane për të lejuar shumë fëmijë të arrijnë në Itali për mjekim. Struktura vendosi metodat më të përshtatshme për transferimet, sepse këto janë veprime që duhet të mbrojnë sigurinë e njerëzve të transferuar dhe të vullnetarëve. Jam thellësisht mirënjohës ndaj popullit italian, ndaj ministrit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme: janë njerëz me të cilët me kalimin e kohës - me disa edhe për vite me radhë - u krijua një lidhje e fortë e një marrëdhënie edhe më e fortë për vullnetin e përbashkët në ndihmë të nevojtarëve.

Së bashku me Adamin është edhe një vajzë e vogël që quhet Nour, e prekur nga sindroma e të ashtuquajturve "fëmijë flutura". A mund të na tregoni diçka për të? E pse që nga fillimi i luftës shumë "fëmijë flutura" nuk kanë arritur të mbijetojnë?

Nour është gjashtë vjeçe. Me emrin delikat të fluturave quhen fëmijët e prekur nga epidermioliza bulloza, sëmundje e lëkurës që e bën atë të hollë dhe të brishtë, si ajo e fluturave. Kjo sëmundje shkakton flluska që çahen dhe infektohen nëse nuk trajtohen në mënyrë të specializuar dhe me ilaçe e pajisje mjekësore, që sigurisht nuk gjinden në Gazë. Është informacion, të cilin e mora nga mjekë dhe vullnetarë të një qendre të mirënjohur në Modena, të cilët para 7 tetorit 2023, shkonin rregullisht në Gaza për t’i mjekuar fëmijët e prekur nga kjo sëmundje që shkakton vuajtje të mëdha, veçanërisht në muajt e nxehtë. Më thanë se po trajtonin shumë fëmijë deri njëzet muaj më parë, por nuk kam pasur asnjë lajm ose kontakt me shumë prej tyre.

Në këto orë ju, që qëndruat në Jerusalem, jeni në kontakt telefonik me prindërit e fëmijëve? Çfarë ju thonë ata?

Fola ditët e fundit me Alaa-n, nënën e Adamit. Alaa i tha Adamit se Italia do t'i mirëpriste e ai do të shërohej falë mjekëve italianë. Italia përfaqëson një strehë të sigurt për ta pas kaq shumë dhimbjesh. Fola edhe me babanë e Nour-it në telefon: ai nuk mund ta shprehte gëzimin për mundësinë e trajtimit dhe lehtësimit për vajzën e tij të vogël. Dy fëmijë që, së bashku me të tjerët, po marrin ndihmë në një periudhë shumë të vështirë të jetës së tyre të shkurtër. Dy emra të veçantë: Adam është emri i njeriut të parë, Nour do të thotë dritë. Le të lutemi që njerëzimi të fillojë të udhëtojë përsëri në shtigjet e dritës.

A mund të ketë arritje të reja në ditët në vijim?

Do të dëshiroja të kisha lajme të sigurta për mbërritjet e reja. Vendimi për transferim varet nga çaste të favorshme që nuk janë gjithmonë të parashikueshme. Ne duhet të jemi të gatshëm për çdo mundësi. Mbi të gjitha, duhet ta ndalojmë këtë vorbull dhune që po e shtrëngon gjithnjë e më shumë Tokën e Shenjtë dhe po na shuan dritën e shpresës. Zoti i ndihmoftë fajtorët e pafaj!

14 qershor 2025, 15:04