MAP

2025.04.30 Vangelo della III domenica di Pasqua 'C'

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 3-të të Pashkëve, “Kulloti delet e mia!”

Ti o Jezus i Ngjallur, nuk i braktis apostujt/në detin e hapur të misionit,/ndër vështirësitë e kumtimit të Lajmit të Mirë/nën zgjedhën e persekutimit./Po! Sot, ashtu si dymijë vite më parë,/ Ti na kërkon veç të kemi besim në Ty,/në Fjalën Tënde, në premtimet e tua./Po! pikërisht kur tundohemi/ta lëmë gjithçka, të dorëzohemi,/Ti na ngushëllon e na e rizgjon shpresën/me një peshkim të mrekullueshëm./...e Lajmit tënd të Mirë/Ungjillit/nuk piqen për meritat tona,/por për hir të veprës sate

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj së diele III të Pashkëve, ciklit të tretë ‘C’ nga Gjoni, na paraqet herën e tretë që Jezu Krishti u duket dishepujve të tij, pas ringjalljes. I bën të peshkojnë shumë peshq, por i bën edhe një lloj “provimi” Pjetrit për të parë nëse ishte i denjë “të kullosë delet” e grigjës së Tij. Pjetri e kishte mohuar tri herë e megjithatë u bë guri i parë, guri i këndit i Kishës së Krishtit. Edhe sot e kësaj dite, nëse pendohemi, Jezu Krishti nuk i kujton më gabimet tona, duke parë në secilin prej nesh vetëm atë plan të shkëlqyer, për të cilin na ka krijuar Zoti. 

Të ndjekim pjesën ungjillore marrë nga kreu 21 i shën Gjonit (1-19)...

Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij.

U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.

Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!”

Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.

Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”

I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Mandej i tha: “Më ndiq mua!”.

Të lutemi së bashku

“Djelmosha, s’keni gjë për të ngrënë?”

Kjo pyetja jote, o Jezus,

duket sikur i vë ata shtatë apostuj

para dështimit të tyre të plotë.

Ishin kthyer në zanatin e kahershëm:

në liqen, me barka e rrjeta,

ishin lodhur e këputur,

e s’kishin zënë asnjë peshk.

 

Por ti, nuk i përqesh

do që ata t’ia hapin zemrën një shprese të re,

sepse Ti o Jezus, i Ngjalluri, nuk i braktis apostujt

në detin e hapur të misionit,

ndër mijëra vështirësitë e kumtimit të Lajmit të Mirë

nën zgjedhën e persekutimit.

 

Po! Sot, ashtu si dymijë vite më parë,

Ti na kërkon veç të kemi besim në Ty,

në fjalën Tënde, në premtimet e tua.

 

Po! Sot, ashtu si dymijë vite më parë,

pikërisht kur tundohemi

ta lëmë gjithçka, të dorëzohemi,

Ti na ngushëllon e na e rizgjon shpresën

me një peshkim të mrekullueshëm.

 

Kështu, duket qartë se frytet

e Lajmit tënd të Mirë

nuk piqen për meritat tona,

për fondet e energjitë, që shpenzojmë,

por për hir të veprës sate, me forcën e dashurisë.

Kështu, të ulur në tryezën Tënde

s’na mbetet tjetër, veçse të themi “Faleminderit!”.

03 maj 2025, 09:51