T? meditojm? me Ungjillin e s? diel?s s? 3-t? t? Pashk?ve, “Kulloti delet e mia!”
R.SH. - Vatikan
Ungjilli i kësaj së diele III të Pashkëve, ciklit të tretë ‘C’ nga Gjoni, na paraqet herën e tretë që Jezu Krishti u duket dishepujve të tij, pas ringjalljes. I bën të peshkojnë shumë peshq, por i bën edhe një lloj “provimi” Pjetrit për të parë nëse ishte i denjë “të kullosë delet” e grigjës së Tij. Pjetri e kishte mohuar tri herë e megjithatë u bë guri i parë, guri i këndit i Kishës së Krishtit. Edhe sot e kësaj dite, nëse pendohemi, Jezu Krishti nuk i kujton më gabimet tona, duke parë në secilin prej nesh vetëm atë plan të shkëlqyer, për të cilin na ka krijuar Zoti.
Të ndjekim pjesën ungjillore marrë nga kreu 21 i shën Gjonit (1-19)...
Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij.
U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.
Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!”
Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.
Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”
I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Mandej i tha: “Më ndiq mua!”.
Të lutemi së bashku
“Djelmosha, s’keni gjë për të ngrënë?”
Kjo pyetja jote, o Jezus,
duket sikur i vë ata shtatë apostuj
para dështimit të tyre të plotë.
Ishin kthyer në zanatin e kahershëm:
në liqen, me barka e rrjeta,
ishin lodhur e këputur,
e s’kishin zënë asnjë peshk.
Por ti, nuk i përqesh
do që ata t’ia hapin zemrën një shprese të re,
sepse Ti o Jezus, i Ngjalluri, nuk i braktis apostujt
në detin e hapur të misionit,
ndër mijëra vështirësitë e kumtimit të Lajmit të Mirë
nën zgjedhën e persekutimit.
Po! Sot, ashtu si dymijë vite më parë,
Ti na kërkon veç të kemi besim në Ty,
në fjalën Tënde, në premtimet e tua.
Po! Sot, ashtu si dymijë vite më parë,
pikërisht kur tundohemi
ta lëmë gjithçka, të dorëzohemi,
Ti na ngushëllon e na e rizgjon shpresën
me një peshkim të mrekullueshëm.
Kështu, duket qartë se frytet
e Lajmit tënd të Mirë
nuk piqen për meritat tona,
për fondet e energjitë, që shpenzojmë,
por për hir të veprës sate, me forcën e dashurisë.
Kështu, të ulur në tryezën Tënde
s’na mbetet tjetër, veçse të themi “Faleminderit!”.