Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 6-të të Pashkëve: Jezus i na kërkon të duam në mënyrë konkrete
R.SH. - Vatikan
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele të 6-të të kohës së Pashkëve nga Gjoni (Gjn 14.23-29)na rikujtoi shprehjen e shumëdëshiruar të Krishtit, shqiptuar gjatë Darkës së Mbrame, në orët e fundit me dishepujt: “Po ju jap paqen time”. Krishti u jep lamtumirën dishepujve të tij duke shqiptuar një lloj testamenti: “Po ju lë paqen”. E menjëherë më pas shton: “Po ju jap paqen time”. Në këto dy fjali të shkurtra shprehin dashuri dhe qetësi, e këtë Jezusi e bën në një çast që nuk është aspak paqësor.
Juda doli për ta tradhtuar, Pjetri është duke e mohuar, të tjerët pas pak do ta braktisin: Krishti e di këtë. E megjithatë nuk qorton, nuk përdor fjalë të rënda, nuk bën fjalime të ashpra. Në vend që të zemërohet, mbetet i butë. Deri në fund. Po, orët e fundit të Jezusit janë thelb i gjithë jetës së tij. Ka frikë e dhimbje, por nuk inatoset, as nuk proteston. Edhe pse ka shumë arsye për ta bërë këtë. E frenon hidhërimin, nuk e shfren dhimbjen, nuk e humbet durimin. Ai është në paqe, një paqe që vjen nga zemra e tij e butë, ku banon besimi. Prej këndej rrjedh paqja që na lë Jezusi. Sepse nuk mund t’ua lësh paqen të tjerëve, nëse nuk e ke në shpirtin tënd. Nuk mund të japësh paqe, nëse nuk ke paqe! Po të ndjekim fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë…. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë”.
Ti, o Jezus, s’na kërkon të të duam
Vetëm me fjalë.
Ti nuk mjaftohesh
me pranimin tonë,
me duartrokitjet,
me konsensusin.
Për ty, dashuria është diçka konkrete,
reale, e prekshme:
tregohet me fakte,
me vendime e me jetën
e çdo dite.
Edhe, e sidomos
kur kjo na dhemb,
kur nuk është e lehtë
të rreshtohemi në anën tënde,
të ndjekim rrugën tënde,
të plotësojmë vullnetin e Atit Qiellor.
Na ndihmo pra, o Zot
Ta pranojmë Fjalën tënde
Edhe kur është tepër kërkuese.
Na dhuro forcën, guximin,
ta bëjmë realitet në jetën tonë.
E kur sprovohemi,
kur tundohemi ta shkëmbejmë
paqen e gëzimin tënd
me ndonjë avantazh të kotë
na jep urtinë të zgjedhim
çka vlen me të vërtetë.
Shpirti yt na kujtoftë fjalët e tua
që ne t’i përballojmë
ndërlikimet e jetës me shpirt të qetë.