Poloni, 15 motra rregulltare të vrara në vitin '45 u shpallen të Lumtura. Semeraro: dëshmitare profetike të paqes
R.SH. / Vatikan
Christophora Klomfass dhe katërmbëdhjetë shoqërueset e saj “sot ripohuan me dëshminë e tyre vlerën e përjetshme të Zotit dhe të së mirës, ndërsa vrasësit e tyre u kujtuan vetëm për brutalitetin e së keqes që kryen”: Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve dhe përfaqësues i Papës, e përshkroi kështu jetën dhe martirizimin e pesëmbëdhjetë motrave rregulltare të kongregatës së Shën Katerinës Virgjër e Martire, të cilat sot, e shtunë, 31 maj, u shpallën të lume në Branievo, kryedioqezë e Warmia-s, në Poloni.
Ishte riti i dytë i lumnimit në vend brenda pak ditësh: më 24 maj në nderimet e altarit, në Poznań, u lartua Don Stanisław Streich. Sot ndërmjet bashkëkremtuesve ishin Kardinali Stanisław Dziwisz, Kryeipeshkvi i Nderit i Krakówit dhe Kryeipeshkvi Metropolitan i Warmia-s, Imzot Józef Górzyński. Besimtarë të shumtë, pavarësisht erës së fortë, morën pjesë në Meshën e kremtuar në sheshin përpara Bazilikës së Shën Katerinës.