MAP

2024.12.30 Incontro europeo di Taizé a Tallinn (ks. Tomasz Materna) 2024.12.30 Incontro europeo di Taizé a Tallinn (ks. Tomasz Materna)

Lutje ekumenike në të gjitha Kishat e Këshillit Botëror të Kishave për Konklavin

“Në pragun e konklavit, të lutemi, o Zot, të dërgosh Shpirtin Shenjtë mbi ata që kanë përgjegjësinë e zgjedhjes së Ipeshkvit të Romës”. Lutja kërkon nga Zotit “një zemër që dëgjon, urti dhe përulësi për të gjithë kardinalët”. “Përtërije shpresën tonë dhe bekoje atë që do ta thërrasësh të jetë shërbëtor i unitetit midis popullit tënd dhe dëshmitar i shpresës dhe i paqes në familjen njerëzore, i vëmendshëm ndaj të përulurve dhe nevojtarëve, sepse mbretëria jote u përket atyre”.

R.SH. / Vatikan

Një lutje ekumenike e shkruar nga Vëllai Matthew i bashkësisë Taizé propozohet dhe përhapet në të gjithë botën për Konklavin dhe për të festuar zgjedhjen e Ipeshkvit të ri të Romës. Kështu njoftoi sot Këshilli Botëror i Kishave. “Të falënderojmë, o Zot, për jetën dhe shërbesën e Papa Françeskut dhe për rrugët që ai ka hapur për të shpallur lajmin e mirë të dashurisë tënde në botën e sotme”, thuhet në lutje. “Në pragun e konklavit, të lutemi të dërgosh Shpirtin tënd të Shenjtë mbi ata që u është besuar përgjegjësia e zgjedhjes së pasardhësit të tij si Ipeshkëv i Romës”.

Lutja kërkon nga Zotit “një zemër që dëgjon, urti dhe përulësi për të gjithë kardinalët dhe për të gjithë ata që janë përfshirë në përgatitjen e konklavit”. “Përtërije gjithmonë shpresën tonë dhe bekoje, o Zot, atë që do ta thërrasësh të jetë shërbëtor i unitetit në mesin e popullit tënd dhe dëshmitar i shpresës dhe i paqes në familjen njerëzore, i vëmendshëm ndaj të përulurve dhe nevojtarëve, sepse mbretëria jote u përket atyre”, thuhet në lutje.

Lutja shpreh mirënjohje për jetën dhe shërbimin e Papa Françeskut, e kujton ata që kanë qenë në qendër të shërbesës së tij: njerëzit që jetojnë në kufijtë ekzistencialë të botës, si migrantët, të varfrit dhe shumë të tjerë.

Lutja bëhet gjithashtu edhe për Kishën e Anglisë dhe të gjithë Bashkimin Anglikan, për procesin e emërimit të personit që do të shërbejë si Kryeipeshkëv i Canterbury-t. Sot në orën 12:00, Këshilli Botëror i Kishave mbajti një liturgji të veçantë dhe një reflektim nga imzot Andrzej Choromanski i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve. Po kështu, Këshilli Botëror i Kishave (WCC) fton Kishat e saj anëtare të promovojnë shërbesat ekumenike lokale duke ndjekur skemën e lutjes së përgatitur nga Taizé..

Lutja e Vëlla Matthew

O Zot besnik, Bari i popullit tënd, ti na bashkon në gjithë diversitetin tonë. Na jep dhuratën e dashurisë për Birin tënd Jezus dhe misterin e bashkimit që është Trupi i tij, Kisha. Të falënderojmë për jetën dhe shërbesën e Papa Françeskut dhe për shtigjet që ai ka hapur për të shpallur lajmin e mirë të dashurisë nde në botën e sotme.

Në pragun e konklavit, të kërkojmë të dërgosh Shpirtin tënd të Shenjtë mbi ata të cilëve u është besuar përgjegjësia e zgjedhjes së pasardhësit të tij si Ipeshkëv i Romës. Shpirti i yt u dhashtë atyre një zemër që dëgjon dhe urtinë e përulësinë që u nevojitet për të dalluar vullnetin tënd.

Përtërije gjithmonë shpresën tonë dhe bekoje atë që do ta thërrasësh të jetë shërbëtor i unitetit në mesin e popullit tënd dhe dëshmitar i shpresës dhe i paqes në familjen njerëzore, i vëmendshëm ndaj të përulurve dhe të varfrëve, sepse mbretëria jote u përket atyre.

06 maj 2025, 16:42