MAP

Liturgjia në ritin etiopas Liturgjia në ritin etiopas

Jubileu i Kishave Lindore: nesër, audienca me Papën Leoni XIV

Që nga hapja e Portës Shenjte, më 24 dhjetor 2024, një sërë jubilesh kushtuar kategorive të ndryshme janë kremtuar në Romë. Secili prej tyre parashikon ngjarje, që i bëjnë shtegtarët të përjetojnë përshpirtërinë e udhëtimit tek varret e apostujve e tek qendra e fesë së krishterë, ku së fundi, marrin pjesë në meshën e kremtuar nga Papa, ose nga një i deleguar i tij. Nga 12 deri më 14 maj, në Qytetin e Amshuar, kremtohet Jubileu i Kishave Katolike të ritit lindor

R.SH. – Vatikan

Nga 12 deri më 14 maj, kremtohet në Romë Jubileu i Kishave Katolike të ritit lindor. Është e trembëdhjeta nga ngjarjet e mëdha të Vitit Shenjt 2025, që ka mbledhur në kryeqytetin italian rreth 5.000 besimtarë dhe përfaqësues të Kishave Lindore, patriarkë dhe kryeipeshkvij metropolitanë. Pjesëmarrësit vijnë nga të gjitha kontinentet, nga vende si Italia, SHBA-të, Ukraina, Spanja, Etiopia, Franca, Brazili, Argjentina, Meksika, Kanadaja, Pakistani, Kolumbia e Bangladeshi.

Nga e gjithë bota

Kremtimet filluan të hënën, më 12 maj, me liturgjinë në ritin etiopas në Bazilikën e Shën Pjetrit, me atë të ritit armen, paradite, në Bazilikën e Zojës së Madhe dhe me atë në ritin kopt, pasdite, po në Bazilikën e Zojës së Madhe. Sot, 13 maj, Liturgjia Hyjnore sipas ritit siriako-lindor në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, organizuar nga Kisha Kaldease dhe Kisha Siro-Malabareze. Në orën 18.45 lutja e Mbrëmësores sipas ritit siriako-perëndimor në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, organizuar nga Kisha Katolike Siriane, Kisha Maronite dhe Kisha Siro-Malankaraze. Më pas, në tremen e Bazilikës së Zojës së Madhe, do të këndohet himni i lashtë ortodoks Akathistos, kushtuar Nënës së Zotit, organizuar nga Kolegjet e Qytetit të Amshuar, me prani bizantine.

Audienca me Papën Leoni XIV, të mërkurën, 14 maj, në orën 10.00

Shtegtarët, që marrin pjesë në Jubileun e Kishave Lindore, do të takohen më pas në audiencë me Papën Leoni XIV, të mërkurën, 14 maj, në orën 10.00, në Sallën Pali VI. Në orën 14.00, Jubileu do të përfundojë me kremtimin e Liturgjisë Hyjnore sipas ritit bizantin në Bazilikën e Shën Pjetrit, organizuar nga Kishat Katolike Greko-Melkite, Greko-Ukrainase dhe Greko-Rumune, së bashku me Kishat e tjera sui iuris të ritit bizantin.

Patriarku armen Minassian: të eliminojmë të gjitha format e urrejtjes

Në Liturgjinë Hyjnore sipas ritit armen, që u kremtua dje në Bazilikën e Zojës së Madhe, ishte i pranishëm prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore, kardinali Claudio Gugerotti, i cili solli "përqafimin e Papës Leoni XIV".

Në homelinë e tij, Patriarku i Kishës Katolike Armene, Fortlumturia e Tij Raphael Bedros XXI Minassian, e quajti Jubileun “kohë hiri e ripërtëritjeje”, “mundësi për të hequr dorë nga çdo formë urrejtjeje”. Ai kujtoi fjalët e Papës Françesku dhe ftesën e tij për të “rigjetur ndjenjën e vërtetë të vëllazërimit universal”. “Ne, bij të Kishës Katolike Armene Lindore, dëshmitarë të shekujve të fesë e të martirizimit, jemi të thirrur sot, në këtë kohë luftërash të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe në botë, të dëshmojmë me jetën dhe gjakun tonë besnikërinë ndaj Krishtit”, pohoi Patriarku Minassian, duke i ftuar të pranishmit të impenjohen për të ndjekur shembullin e Krishtit, “në mënyrë që shpresa të shkëlqejë në çdo zemër dhe në çdo familje, duke sjellë paqe dhe dashuri në botë”.

Liturgjia Hyjnore në ritin kopt në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe

Po dje, në Kapelën Pauline të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, u kremtua Liturgjia Hyjnore në ritin kopt nga Patriarku i Aleksandrisë së Katolikëve Koptë,  Fortlumturia e Tij Ibrahim I. Sedrak, gjithnjë në prani të kardinalit Gugerotti, i cili iu drejtua pjesëmarrësve në meshë me fjalët: “Zoti nuk shikon numrat, por cilësinë e besimtarëve”. Vërtet, është fjala për një Kishë, që në zanafillën e saj ka figura si ajo e Antonit të Madh, eremitit të shkretëtirës, si ajo e Shën Pakomit apo figura teologësh të mëdhenj si shenjtorët Athanasi dhe Cirili i Aleksandrisë, doktorë të Kishës. Me mbërritjen e krishterimit në Egjipt, fjala "kopt" mori kuptimin e "të krishterëve egjiptianë", duke treguar ata, që mbetën të krishterë pas pushtimit arab të Egjiptit. Pikërisht këtyre njerëzve, të cilët kanë duruar shumë vuajtje dhe janë martirizuar, kardinali ua lavdëroi guximin dhe rëndësinë për gjithë krishtërimin botëror.

  (@Vatican Media)

Në Shën Pjetër, Liturgjia Hyjnore sipas ritit etiopas

Gjithnjë më 12 maj, por kësaj radhe në Bazilikën e Shën Pjetrit, u kremtua Liturgjia Hyjnore sipas ritit etiopas, organizuar nga Kisha Etiopase dhe Kisha Eritrease. Mesha u kryesua nga kryeipeshkvi i Adis Abebës, kardinali Berhaneyesus Demerew Souraphiel. Në fillim, Prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore, kardinali Claudio Gugerotti, përshëndeti shtegtarët dhe u çoi afërsinë e Papës Leoni XIV, duke kujtuar edhe shoqërimin e këtyre viteve nga Papa Françesku e duke shprehur përqafimin e Kishës së Romës për atë Kishë martirësh. “E juaja – tha prelati – është një Kishë e shquar”, rrënjët e krishtera të së cilës u zhvilluan në një kontekst të veçantë, të shënuar edhe nga persekutimet. Në historinë tuaj, vërejti kardinali,  ka ende vuajtje të mëdha, për shkak të luftës, përçarjeve, për shkak të arrogancës, por “Kisha juaj - saktësoi ai - nuk ka asgjë për të kërkuar përveçse të drejtës për të bërë mirë". "I krishteri nuk mund të jetojë pa bamirësi" e, që këtej, kërkesa për ta ushtruar atë edhe në Etiopi dhe Eritre.

13 maj 2025, 13:47