Ipeshkvi Ndihmës i Moskës: të prekur nga shtytja e Papës për paqe
R.SH - Vatikan
Në Rusi shumë zemra nuk mbetën indiferente ndaj fjalëve për paqen të Leonit XIV, të shqiptuara nga Llozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit mbrëmjen e zgjedhjes së tij si Papë. “Na preku apeli i tij për paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse, një koncept i thjeshtë por depërtues që ai e përsëriti edhe në fjalimet e tij të mëvonshme. Kjo gjeneroi shpresë”, thotë imzot Nikolaj Gennad'evič Dubinin, ipeshkëv ndihmës i Kryedioqezës së Nënës së Zotit në Moskë. Një tjetër koncept që preku një pjesë të imagjinatës ruse ishte edhe uniteti. “Papa – thotë ipeshkvi Dubinin në një bisedë me mediat e Vatikanit – e përsëriti këtë fjalë tetë herë gjatë homelisë së kremtimit Eukaristik për fillimin e shërbimit të tij pjetrin. Një nxitje e rëndësishme jo vetëm për Kishën tonë, por edhe për të gjithë shoqërinë”.
Ngushëllim i madh
Dialogu, solidariteti dhe misionariteti janë konceptet e tjera kyçe të Leonit XIV që bënë dolën në pah, që në fillim: “Në fund të fundit, ato paraqesin një vijë vazhdimësie me pontifikatin e Papa Françeskut dhe kjo na jep ngushëllim të madh dhe një shtysë të re”. Një balsam që zbut plagët e një Kishe lokale të provuar rëndë nga konflikti dhe që vazhdon të lutet pa pushim për një ndërprerje të plotë të çdo armiqësie. Ipeshkvi Dubinin thekson se Kisha katolike ruse është super partes pikërisht sepse në famulli “gjenden besimtarë të kombësive të ndryshme, me prejardhje të ndryshme kulturore dhe mendimi. Në këtë situatë, Kisha bashkëndan me njerëzit të gjitha dhimbjet, të gjitha vuajtjet. Na rëndon shumë pafuqia për të mos mundur të ndryshojmë drejtpërdrejt ngjarjet, por i besojmë veprimit të Leonit XIV të ndihmuar nga Shpirti Shenjtë”.
Njeri me zemër të hapur
Kur u zgjodh Papa i ri, një pjesë e madhe e shoqërisë ruse, edhe ajo larg Kishës, shprehu habi dhe admirim për një njeri që menjëherë bëri një përshtypje të mirë: “Është e vërtetë – konfirmon ipeshkvi ndihmës i Kryedioqezës së Nënës së Zotit në Moskë – ishin shumë ata që ma besuan këtë përshtypje të mirë. Mbetën pozitivisht të befasuar kur panë një Papë rinor, energjik dhe njerëzisht shumë simpatik. Ai perceptohet si një njeri me zemër të hapur që di të hapë edhe zemrën e njerëzve. Dhe kjo është e nevojshme për të kapërcyer të gjitha frikët që ka shoqëria sonë”. Një shenjë e prekshme shprese është shtegtimi që një kopje e ikonës së Zojës Mari ‘Salus populi romani’ po bën në të gjitha famullitë katolike të Rusisë: “Piktura e Zojës Mari ishte një dhuratë që Papa Françesku deshi të na bënte pasi ipeshkvijtë i kishin kërkuar një shenjë ngushëllimi për faktin se shumë besimtarë nuk mund të vinin në Romë si shtegtarë për Jubileun e Shpresës 2025. Në fund të Vitit të Shenjtë ikona do të ruhet në Katedralen katolike të Moskës”.
Dialogu thelbësor
Në frontin e dialogut ndërfetar, dimension thelbësor edhe për ndërtimin e paqes, duhet regjistruar një ngjarje që imzot Dubinin e konsideron historike: përkthimi, nga një grup myslimanësh, i enciklikës Fratelli tutti, kushtuar vëllazërisë dhe miqësisë shoqërore. “Ndërsa ne po merreshim me përkthimin në rusisht të dokumentit, mësuam me gëzim dhe habi se myslimanët e kishin bërë para nesh. Në këtë pikë ata e shtypën dhe ne e propozuam së bashku të botohet. Është hera e parë në historinë tonë që ndodh një gjë e tillë: ai dokument zgjoi dialogun sepse myslimanët perceptuan se përmbajtja e enciklikës Fratelli tutti i drejtohet vërtet gjithë njerëzimit”.